E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Më shumë interes për energjinë e pastër

Qeveria shqiptare, në sytë e donatorëve dhe bankave të huaja, përfshi edhe bizneset ka shfaqur papritur një interes të lartë për energjinë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme. Deri tani janë nënshkruar 50 kontrata koncesionare për ndërtimin e HEC-ve me kapacitet të vogël prodhimi, kurse pritet finalizimi i disa kontratave të tjera, të cilat paraqesin një normë të lartë prodhimi deri në 1000 MW. I ndodhur edhe në presionin e faktorit ndërkombëtar, që më shumë se kurrë po rrit interesin për energji se më të pastër, ministri i Energjetikës, Genc Ruli, tha dje se, plani i qeverisë është për një zgjerim të mëtejshëm të energjisë nga hidrocentralet. Madje për këtë qëllim, po përgatit një projektligj për burimet e rinovueshme, me synim rritjen e investimeve të huaja për energji nga era dhe dielli. Që nga krijimi i ligjit të ri për koncesionet, qeveria ka bërë gati për inaugurim vetëm 15 HEC-e, të cilat nisën punën në muajin prill. Duke falënderuar qeverinë gjermane, për mbështetjen e dhënë ndaj sektorit energjetik, Ruli tha dje në konferencë se, "kufizimi i rezervave energjetike në bote, rritja e çmimeve të lëndëve energjetike dhe domosdoshmëria e reduktimit të ndotjes në mjedis, e bëjnë edhe më imperative një ndërhyrje të programuar në zhvillimin e burimeve te rinovueshme të energjisë, si burime alternative dhe të qëndrueshme". Shqipëria, me pozicionin e saj gjeografik shumë të mirë dhe me burime të bollshme ujore, me shumë ditë me diell, erë, biomasë etj., krijon mundësi për shfrytëzimin e energjisë të prodhuar nga këto burime, të cilat do të kenë impaktin e tyre në zvogëlimin e emetimeve të ndotësve në atmosferë. Aktualisht, Shqipëria shfrytëzon vetëm 35% të burimeve ujore për prodhim të energjisë. "Është detyra jonë që t‘i identifikojmë potencialet e mundshme dhe të përmirësojmë gjithmonë edhe më tepër kuadrin e nevojshëm ligjor, rregullator dhe institucional për zhvillimin e tyre", përfundoi ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›