E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Çmimet e mallrave të konsumit u ulën me 0.7% në korrik



Çmimet e mallrave të konsumit gjatë këtij viti kanë qenë në ulje të vazhdueshme. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, gjatë muajit korrik 2009 çmimet e mallrave të konsumit ishin më të ulëta se një muaj më parë. Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin korrik arriti në 101.8% kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0.7%, krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin korrik është 2.2 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 3.7 për qind. Sipas INSTAT, indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 2.0 për qind, me një ndikim prej – 0.8 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, ulja më e madhe prej 11.0 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”, ndërsa indeksi në nëngrupin “Fruta” shënoi një ulje prej 6.4 për qind. Gjatë muajit korrik çmimet janë ulur dhe në disa nga nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçohen uljet në nëngrupet “Bukë e drithëra” 0.5 për qind, “Vajra dhe yndyrna” 0.3 për qind, “Qumësht, djathë e vezë” 0.2 për qind etj. Sipas INSTAT, edhe në muajt e mëparshëm indeksi i çmimeve të konsumit ka qenë në ulje. Gjatë muajit maj, indeksi i grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" shënoi një ulje prej 1,9 për qind, me një ndikim prej -0,7 për qind në totalin e ndryshimit mujor.

18 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›