E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza përtej zgjedhjeve



Skënder Minxhozi

Secili ka hallet e veta në shtëpi. Ata që kanë humbur po se po, por, me sa duket, edhe ata që kanë fituar. Zgjedhjet e 28 qershorit kanë lënë pas vetes një bisht të gjatë debatesh, mërish, pretendimesh dhe akuzash, të cilat do ta shoqërojnë edhe për shumë javë jetën parlamentare që përgatitet të nisë. Paralelisht me këtë betejë, në distancë, palët po përgatiten të përshtaten me konfigurimin e ri politik që krijuan votimet dhe shifrat e dala prej tyre. PD-ja dhe PS-ja, por edhe LSI-ja bashkë me to, po adoptojnë skema dhe strategji të reja në kushtet që u krijuan dhe që nga shumë anë janë tejet të ndryshme me ato të një dite para votës. Tashmë PS-ja dështoi në projektin e saj për t’u rikthyer në pushtet; PD-ja arriti një fitore që ende nuk e lë të qetë në krye të shtetit, kurse LSI-ja duhet të mësojë veten dhe shqiptarët me faktin se është goma e shpëtimit e Sali Berishës dhe jo një parti që kërkonte largimin e tij sa më të shpejtë nga politika.

Prej këtyre piketave të lexueshme prej së largu rrjedhin shumë e shumë veprime, hapa dhe lëvizje që pritet të shënojnë gjithë legjislaturën e ardhshme dhe që kanë të bëjnë me vetë partitë kryesore, por edhe me fatet e vendit. Partia Demokratike doli nga këto zgjedhje me të drejtën e një mandati të dytë qeverisës, por edhe me shumë brinjë të thyera në përplasjen me opozitën socialiste. Berisha shmangu daljen nga politika aktive, por ai duhet të bëjë llogaritë me partinë e Ilir Metës, pa të cilën e ka të pamundur të qeverisë, por edhe me një numër shkëmbinjsh të tjerë të nënujshëm që qëndrojnë në horizont.
Kriza ekonomike, e cila ka nisur të ndjehet thellë në ekonominë dhe financat shqiptare, ka një impakt ende të pallogaritur saktë në shifra dhe në kohëzgjatje. Nëse Berisha mundi që me anë të një borxhi të minutës së fundit, të marrë në prag të fushatës elektorale, të japë idenë se gjithçka shkon mirë në Shqipëri, ka shumë gjasa që kjo të mos ndodhë më, pasi, me sa duket, nga parametrat zyrtarë, kriza tashmë është e vështirë të maskohet. Kjo krizë mund t’i diktojë qeverisë së re “Berisha” një temp krejt të ndryshëm nga ai që trumbetohet sot nga propaganda zyrtare.

Një tjetër problem, më shumë politik sesa ekonomik, duket bashkëqeverisja me Metën. Nëse shumëkush mbështet sot idenë se nevoja për të marrë në dorë shtetin dhe për të nxjerrë prej tij disa përfitime të shpejta, në një afat të gjatë mund të supozohet se kjo dyshe, më e çuditshmja e politikës së viteve të fundit, nuk është e destinuar për një rrugë të gjatë. Kërkesat e tanishme të LSI-së për një ndryshim sa më të shpejtë të sistemit zgjedhor shihen prej gojëve të këqija si një përgatitje e fshehur për zgjedhje të afërta.
Nga ana e saj, vetë LSI-ja, si partnere e koalicionit qeveritar, ndodhet këtej e tutje në një situatë cilësisht të re dhe të paprecedentë për historinë e saj të shkurtër politike. Ilir Metës do t’i interesonte që ta influenconte sa më shumë dhe sa më thellë qeverisjen e nesërme, me qëllim që të justifikojë disi bashkimin me Berishën. Daljet e shpeshta të politikanëve të kësaj partie për të shpjeguar se çfarë do t’i kërkojnë Berishës dëshmojnë se ka një shqetësim të madh brenda LSI-së për t’i dhënë qeverisë një imazh tjetër nga ai i një orkestre interesaxhinjsh. Një ndërmarrje e vështirë, duke njohur protagonistët e kësaj martese të pazakontë.
Me këto pengesa, por edhe me faktorë të tjerë po kaq të rëndësishëm, lidhet edhe axhenda europiane e kësaj qeverie. Qysh në vigjilje të karrierës së tij politike, Sali Berisha ka premtuar lëvizje të lirë dhe hyrje në Europë. Sot, në mandatin e tij të dytë qeverisës, kryeministri ndodhet në vagonin e fundit të trenit që mund të kapë drejt këtij objektivi, që njëherësh ka qenë dhe një sfidë, në të cilën deri sot ka dështuar. Nëse lëvizja e lirë, për shumë arsye, më shumë globale sesa individuale, duket e arritshme, hyrja në BE vështirë se do të ndodhë brenda kufirit kohor të këtij mandati. Berisha dhe Meta nxitojnë të premtojnë një avancim të dukshëm në të dyja frontet, por e dinë mirë që vetëm njëri prej tyre, ai i liberalizimit të vizave, mund të ndodhë. Aq më tepër që këto dy procese mund të influencohen rëndë nga notat e pritshme gri të raportit final të zgjedhjeve të 28 qershorit, si dhe nga gatishmëria reale e opozitës për të bashkëpunuar.

Në anën tjetër të barrikadës ka shumë zhurmë dhe potere. Si gjithmonë, kur flitet për Partinë Socialiste. Edi Rama nuk mundi t’i shpëtojë këtij rituali që rikthehet në PS sa herë që aty ka kriza dhe probleme të brendshme. Aktualisht, kjo parti debaton problemin e kryetarit, por ndoshta do të ishte më racionale të mbante një sy në të ardhmen e afërt të saj. Gara aktuale për kreun e partisë duket se nuk fsheh shumë enigma, por ajo që mund të ndodhë pas saj mund të jetë mjaft e koklavitur. Ka mundësi që Rama të mos e ketë të vështirë të rizgjidhet kryetar, në rast se do të kandidojë, por kjo s’mund të thuhet me siguri për atë që do të ndodhë në PS dhe rreth saj pas këtij momenti. Nuk është aspak e qartë se cili do të ishte qëndrimi i deputetëve që sot përkrahin Blushin dhe Malajn, në rastin e konfirmimit të Ramës. Një kontestim sado i butë ndaj linjës së partisë mund të sillte të çara në grupin parlamentar, i cili ndodhet aktualisht nën një regjim të fortë vrojtimi, për shkak të supozimeve që qarkullojnë rreth kalimit të disa deputetëve socialistë në krahun e djathtë.
Në këtë sfond të trazuar, afrimi i zgjedhjeve lokale përbën një datë shqetësuese në kalendarin politik të kësaj partie, që aktualisht ndodhet e demoralizuar dhe ende nën efektin e shokut të krijuar nga dështimi i ëndrrës së rikthimit në qeverisje të vendit. Do të duhet shumë energji dhe entuziazëm, dy “lëndë” mjaft dificitare në PS-në e sotme, që të kapërcehet ky ngërç psikologjik. Kjo është edhe sprova e madhe në të cilën ndodhet sot kjo parti, e cila deri dje i bënte llogaritë me daljen e shpejtë të Berishës në pension dhe tkurrjen përfundimtare të Metës e Nanos. Tashmë, kur ka ndodhur pikërisht e kundërta, duhet një strategji krejtësisht e re, të cilën PS-ja thjesht nuk e ka.

18 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›