E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Rritet e 4 pikë përqindje treguesi i besimit për biznesin e ndërtimit



Treguesi i Besimit të Biznesit dhe Konsumatorit ndaj zhvillimeve në sektorin e ndërtimit (TBN) u rrit me 4 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë të vitit 2009, kundrejt tremujorit të parë të 2009. Kjo gjë bëhet e ditur prej Bankës së Shqipërisë në raportin e fundit të saj mbi treguesit e besimit të biznesit për ekonominë. Sipas BSH-së, vlerësimet pozitive dhe në rritje të bizneseve ndërtuese për kërkesën dhe për prodhimin në këtë periudhë (T2-09), përcaktuan rritjen e treguesit të besimit. BSH-ja bën të ditur se bizneset e ndërtimit e kanë gjykuar të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të biznesit të tyre. Ndërkohë që problemet që kanë hasur më shumë bizneset e ndërtimit në aktivitetin e tyre janë prania e ekonomisë informale dhe pengesa të kuadrit ligjor dhe institucional. Përmes këtij raporti, Banka evidenton faktin se shfrytëzimi i kapaciteteve të bizneseve ndërtuese, për të tretin vrojtim radhazi është raportuar në nivelin 70%. Duke pasur parasysh kërkesën aktuale dhe pritjet për porositë në të ardhmen, 76% e bizneseve e vlerësojnë të mjaftueshëm kapacitetin aktual të prodhimit të tyre. Ndërkohë që çmimet e prodhimit, megjithëse pozitive, kanë pësuar një rënie të ndjeshme nga vrojtimi i kaluar. Gjithsesi, niveli i të gjithë treguesve të besimit qëndron në nivele të ulëta, poshtë mesatareve të tyre historike, e ndikuar kjo nga kriza ekonomike globale.

Kursimet e shqiptarëve, depozitat në euro shënojnë rritje

Pavarësisht tërheqjes së depozitave në valutë, depozitimet e reja në monedhën evropiane euro, kanë vazhduar të jenë në nivele relativisht të larta, bën të ditur Banka e Shqipërisë, në raportin e fundi të saj. Sipas ekspertëve bankarë, interesat relativisht të larta, duket të kenë qenë faktor që i kanë bërë përsëri interesante kursimet e shqiptarëve në monedhën e përbashkët europiane. Ndonëse norma bazë e euros u ul me shpejtësi, duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, si rrjedhojë e vendimeve të njëpasnjëshme të Bankës Qendrore Europiane (aktualisht norma bazë ka arritur në 1%), kjo tendencë nuk u reflektua në uljen e normave të depozitave në euro në tregun bankar. Situata ishte e ndryshme nga vitet e kaluara, kur ulja e normës bazë të euros dhe si rrjedhojë dhe euriborit shoqërohej dhe në Shqipëri me uljen e interesit, si të depozitave, ashtu dhe kredive. Nga të dhënat e BSH-së, rezulton se interesat e depozitave në euro kanë mbetur të larta, në nivelin e 4.5-4.7% mesatarisht. BSH-ja njoftoi se totali i depozitave në banka, gjatë muajve të fundit të këtij viti u rrit me mbi 3 miliardë lekë, kundrejt fillim vitit. Sipas BSH-së, për herë të parë pas 6 muajsh rënie, depozitat në banka kanë nisur të rriten sërish. Ekspertët shprehen se ky fakt tregon për një rikthim të besimit te klientët, e shoqëruar kjo edhe me rritjen e garancisë nga ana e bankave.

18 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›