E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneseve borxhlinj ndaj shtetit nuk do t’u rimbursohet TVSH-ja

Tatimet konstatojnë përdorim të ulët të kasave fiskale nga biznesi në rrethe

Ervin KOÇI

Qeveria ka marrë vendim që të mos u rimbursojë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të gjitha subjekteve private që rezultojnë si borxhlinj ndaj organeve tatimore. Sipas këtij vendimi i cili është bërë publik nga Ministria e Financave, të gjitha bizneset që nuk paguajnë rregullisht taksat ose që kanë borxhe të prapambetura të pashlyera ende në tatime, nuk do të marrin rimbursimin e TVSH-së. Sektori privat në Shqipëri gjatë pjesës së parë të vitit ka pësuar një rënie të ndjeshme të aktivitetit të tij gjë që ka bërë që edhe fuqia e tij për të paguar taksa të jetë më e vogël. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se të ardhurat nga zëra që tregojnë drejtpërdrejt aktivitetin e biznesit kanë pasur mosrealizimin më të madh gjatë këtyre gjashtë muajve. Kësisoj të ardhurat nga TVSH-ja por dhe tatimi mbi fitimin, një zë ky që tregon qartë xhiron e biznesit, janë realizuar vetëm 86 për qind dhe duke bërë që në buxhet të mungojnë për këtë shkak rreth 1,1 miliardë lekë ose rreth 11 milionë dollarë. Siç është bërë e ditur të ardhurat kanë pasur mosrealizime të qarta edhe në taksën e akcizës etj. Kriza ekonomike e këtij viti ka bërë që të ardhurat nga taksat në buxhet të tkurren, në një kohë kur shpenzimet të nxitura edhe nga fushata elektorale kanë qenë në nivele rekord. Të dhënat zyrtare tregojnë se në gjysmën e parë të vitit, deficiti buxhetor ishte rreth 70 milionë dollarë më shumë se parashikimi dhe duket i vështirë për t’u mbajtur nën kontroll pa burime të reja financiare.

Tatimet

Nga aksionet e fundit në drejtoritë tatimore të qarqeve, krerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë konstatuar të dhëna vërtet pesimiste në lidhje me pagesën e taksave dhe përdorimin e kasave fiskale nga ana e biznesit. Këto të fundit përdoren deri në masën 20 për qind nga subjektet tatimpaguese, në një kohë që pjesa dërmuese e subjekteve private e kryen aktivitetin e biznesit pa faturat e TVSH-së. Këto konstatime u bënë gjatë javëve të fundit kur administrata tatimore deklaroi nisjen e aksionit për instalimin dhe përdorimin e kasave fiskale nga bizneset në rrethe. Por ashtu si në kryeqytet edhe në rrethe duket se vënia në përdorim e kasave fiskale do t’u hajë shumë kohë tatimeve, të cilat kanë konstatuar nivel të ulët të arkëtimeve të taksave të ndryshme nga subjektet private.

Kriza

Vitin e kaluar në fund të verës Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se ekonomia shqiptare po hyn në një fazë ku potenciali i biznesit për të paguar taksa po mpaket dhe kërkoi që programimi i të ardhurave të ishte më i kujdesshëm. Qeveria shqiptare nisur edhe nga fakti që kishte mundur të mbledhë të ardhura të konsiderueshme vite më parë vijoi të programonte edhe për vitin 2009 me të njëjtin ritëm, ndërkohë që efektet e krizës ekonomike botërore ranë mbi ekonominë shqiptare. Tashmë shihet se biznesi është vënë në vështirësi, se fitimet e tij kanë rënë dhe kjo do të thotë se mundësitë e tij për të çelur vende pune janë duke rrëshqitur nga koordinatat e mëparshme, se ai e ka të pamundur të rrisë investimet. Një mori të dhënash të tjera ia bashkëngjiten treguesit mbi të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi fitimin duke e bërë edhe më të pakundërshtueshëm faktin që sektori privat është në rrudhje. Importi i makinerive dhe i pajisjeve ka rënë duke shkuar në arsyetimin se investimet e biznesit janë zvogëluar. Po ashtu disa mijëra vende pune janë humbur dhe konsumi në vend në disa grupe të rëndësishme mallrash ka rënë. Vlera e tatimit mbi fitimin në Shqipëri është ulur ndjeshëm dhe ka shkuar në 10 për qind dhe me gjithë këtë vlerë të ulët të kësaj takse sërish biznesi nënë efektet e krizës ekonomike botërore është në vështirësi. Të dhënat dëshmojnë se ekonomia shqiptare, ndonëse e parënë në recesion por me rritje modeste prej 1 përqindësh, do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë të vuajë këto efekte.

18 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›