INTERVISTA/ Ambasadori gjerman: Ajo çfarë u duhet është shteti ligjor
Ambasadori i ri gjerman, Helmut Hoffmann, në këtë intervistë për TemA-n, e vë pikërisht gishtin tek plaga më e madhe e këtyre viteve tranzicion, mungesa e një shteti ligjor.
Hoffmann flet edhe për projektin e një linje interkonjeksioni me Kosovën, duke theksuar se projekti është në rrugë të mbarë, ndërsa qetëson shqiptarët se mekanizmi i rikthimit të vizave lidhet më shumë me vendet e rajonit dhe jo me Shqipërinë
Bisedoi: Anisa Xhani
Zoti ambasador, Shqipëria shpreson që të marrë statusin e vendit kandidat për në BE në fund të këtij viti. A mendoni se është realiste kjo pritshmëri?
Për fat të keq kësaj pyetje nuk mund ti përgjigjem me siguri, nuk mund të parashikoj se cila do të jetë rrjedha e zhvillimeve të ardhshme.
Shqipëria sigurisht që ka bërë përpjekje për t’ju afruar statusit të vendit kandidat, ka pasur disa kritere që janë vendosur për tu plotësuar prej Shqipërisë, në sektorë të tjerë është duke u punuar, diçka pozitive ishte zhvillimi i zgjedhjeve dhe fakti që edhe ndërrimi i pushteteve u bë në mënyrë të paqtë dhe i rregullt.
Unë jam i sigurt që partnerët e BE do të mbështesin për aq sa munden aplikimin e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat, por sigurisht do të verifikojnë me mjaft kujdes.
Unë për fat të keq nuk mundem t’i paraprij raportit të KE-së në lidhje me vendimet që do të merren.
Dëshiroj të shtoj në këtë kontekst edhe që ne kemi ndjekur me mjaft interes dhe thekset që janë vënë nga qeveria e re në kuadër të programit të vet qeveritar dhe më duhet të vërej se ka pasur disa pika që kanë qenë pozitive dhe në vlerësimin tim dhe që janë në drejtimin e duhur.
Vendimtare do të jetë se sa do të mundet të realizohen këto pika.
Për sa i përket përmbajtjes të sektorëve të caktuar lidhur me angazhimin në të ardhmen, sigurisht që një element qendror është siguria në shtetin ligjor, e cila do të ishte me rëndësi thelbësore në këtë drejtim, pasi shumë elementë të tjerë, përparimi dhe progresi, do shënohen nga vendosja e shtetit ligjor. Këtu mund të përmendim luftën kundër korrupsionit, krimin e organizuar, pra janë shumë sektorë të tjerë që janë të lidhur ngushtë me shtetin ligjor.
Si i komentoni zhvillimet e fundit në parlamentin shqiptar? A mendoni se do kemi sërish një opozitë që bojkoton dhe një qeveri revanshiste?
Lidhur me këtë pyetje më mungon përvoja, por në përgjithësi mund të them se ka një polarizim shumë të fortë të politikës në vend. Kjo u vu re edhe kur kryeministri Rama lexoi deklaratën e vet prezantuese dhe grupi parlamentar i PD-së e la sallën.
Sigurisht është në interes të vendit që elementë të konsensusit të mund të zhvillohen më tej dhe në mënyrë më të fuqishme dhe mendoj që nuk është kompetenca ime të vërej si duhet të sillen, por besoj se në interes të vendit është të vendoset një ekuilibër midis konsensusit dhe debatit politik.
Gjithsesi e rëndësishme mbetet që një parti politike të mund të udhëheqë.
Zoti ambasador, edhe kryeministri kosovar e përmendi gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama çështjen e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Si po ecën ky proces dhe a do ndryshojnë gjërat tani që ka ndryshuar qeveria? Cili është pozicioni i bankës gjermane KfW?
Unë kam dëgjuar që në fillimet e këtij projekti ka pasur vështirësi, të cilat ndërkohë unë mendoj se janë në rrugë të mbarë të zgjidhjes së tyre.
Tenderi i dytë është zhvilluar tani, ka pasur disa oferta dhe brenda këtij viti do të fillojmë me realizimin e projektit.
Sigurisht gëzohemi që tanimë vështirësitë janë në rrugë të mbarë të zgjidhjes së tyre, për më tepër që ky është një projekt i rëndësishëm për sa i përket tregut energjetik në Shqipëri dhe përtej saj.
Një nga problemet me të cilat përballet Shqipëria është pamundësia për të thithur investime të huaja. Si qëndron e vërteta me investitorët gjermanë? A keni ju kontakte me ta? A duan të investojnë këtu dhe a kanë rezerva?
Lidhur me investimet gjermane, me angazhimin e tyre këtu në Shqipëri, më duhet të përmend që në fillim Dihan që është një organizatë shqiptaro-gjermane në formën e një dhome tregtie, e cila fokusohet mjaft në veprimtaritë e investitorëve të huaj, investitorëve gjerman më Shqipëri.
Sigurisht që ka pasur investime mjaft të rëndësishme gjermane, aeroporti Nënë Tereza, porti i Durrësit dhe shumë sektorë të tjerë.
Ajo çka është thelbësore në këtë kontekst është fakti që investitorët gjermanë e konsiderojnë mjaft të rëndësishme elementin e sigurisë ligjore, të shtetit ligjor.
Pikërisht këtu duhet punuar më tepër në mënyrë që të garantohet pastaj dhe shtimi i investitorëve gjerman në vend, përndryshe…
Gjithsesi duhet të tregohemi të durueshëm dhe të bëhemi sa më aktiv që të jetë e mundur.
Sigurisht edhe pala shqiptare duhet të bëhet mjaft aktive që të tërheqë investime gjermane në vend.
Dhe sigurisht ne do përpiqemi të bashkëpunojmë me qeveritë shqiptare në mënyrë që të arrijmë suksese edhe në këtë drejtim.
Së fundmi është miratuar nga Parlamenti Europian një mekanizëm që mundëson rikthimin e përkohshëm të vizave për vendet e Ballkanit në rast se abuzohet me regjimin e lëvizjes së lirë. Sa e rrezikuar është Shqipëria?
Në fakt kjo është një pikë që edhe unë e kam mësuar sigurisht këto ditët e fundit qëkur ka dalë ky njoftim, por ky mekanizëm i sapomiratuar, me sa di unë i referohet vendeve të rajonit.
Gjatë fundjavës pata për qëllim të mësoj më tepër rreth këtij mekanizmi çka e kam ndërmend, por jemi në fillim të javës.
Në gjykimin tim kjo është diçka që nuk ka të bëjë me Shqipërinë, nuk do të prekë Shqipërinë.