INTERVISTA/ Gramoz Ruçi: PS i ka kandidatët për president
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, tha se PS i ka kandidatët për president, por nuk mund të publikojë asnjë emër, për sa kohë që PS është e interesuar, që procesi i zgjedhjes së presidentit të jetë konsensual. Ruçi flet për kandidaturën e Fatos Nanos, si dhe për preferencat e PS për një proces konsensual nga i cili të dalë një president garant i kushtetutës, dhe jo një noter partiak. Kreu i grupit parlamentar socialist flet gjithashtu për mundësinë e bashkëpunimit me LSI në rast të tërheqjes nga qeverisja me PD, çfarë e bashkon PS me LSI dhe çfarë i ndan ato, për negociatat me LSI dhe shanset, që ky bashkëpunim të realizohet në momentin e zgjedhjes së presidentit.
Nga Luljeta Progni
Megjithëse ju jeni shprehur për proces konsensual për zgjedhjen e presidentit të ri, Berisha është shprehur, se do ta zgjedhë kandidaturën nga radhët e PD. A ka emra konkretë PS si kandidatë për president?
Nuk është momenti që PS të diskutojë për emra konkretë. Kur flasim nëse ka, apo jo kandidat PS, unë mund të them, që sigurisht PS ka kandidat për president. Ne nuk kemi lançuar asnjë emër, por mund të them se vlerat brenda PS ekzistojnë në atë staturë që duhet të jetë presidenti i republikës. Por e përsëris, që nuk jemi në momentin për të diskutuar për emra. Çështja është se ne nuk jemi në kushte normale, në të cilat forcat politike shqiptare të bëjnë një konkurencë me një ballafaqim brirësh në parlamentin shqiptar. Jemi në kushtet, kur nuk mund të ballafaqohemi dhe në bazë llogarish numerike të dalë presidenti, pasi nuk kemi të bëjmë me një parlament normal, në të cilin deputetët të jenë të pavarur, të japin gjykimin e tyre dhe votën përkatëse për kandidaturën e pëlqyer. Një proces i mundshëm në një parlament normal do të sillte një president garant të kushtetutës dhe garant të pavarësisë së institucioneve të tjera, që rrjedhin nga presidenti. Në këto kushte, PS nuk e shikon të arsyeshme të përcaktojë emra kandidatësh, për sa kohë, që parlamenti nuk është në ato kushte normale, për të cilat fola më lart. Arsyeja e dytë është fakti, që ne nuk mund të bëhemi pjesë e këtij procesi, pasi nuk i kemi numrat e nevojshëm për të votuar kandidaturën e pëlqyer. E treta ka të bëjë me qëndrimin tonë, që presidenti duhet të jetë garant i kushtetutës dhe jo noter i PS apo i PD. Këto janë arsyet, pse ne kemi kërkuar që çështja e presidentit të zgjidhet me një proces moral dhe politik të qënësishëm. Pra çështja e zgjedhjes së presidentit është një dimension kushtetues, që do të thotë të zbatohet me përpikmëri kushtetuta, i një dimensioni parlamentar, që do të thotë të zbatohen me përpikmëri procedurat parlamentare. Gjykimi jonë është, që çështja e zgjedhjes së presidentit të paraprihet me një proces politik dhe moral fazës së zbatimit të kushtetutës për këtë proces. Pra do të thotë, që palët politike duhet ti paraprijnë procedurat parlamentare për të arritur më pas një konsensus për një emër dhe për të mbërritur në procedurat e respektimit të kushtetutës, në pikën për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Prej disa javësh Fatos Nano është vetshpallur si kandidat për president. Çfarë e pengon PS të mbështesë kandidimin e tij për postin e kreut të shtetit?
Është e drejtë e Fatos Nanos të aspirojë, të jetë kandidat për president. Emri i Fatos Nanos, sigurisht që është prezent. Është prezent, sepse Fatos Nano është qytetar i Republikës së Shqipërisë. Është prezent, se ka një ambicie dhe ka shpallur këtë ambicie për të qenë kandidat për president. Emri i Fatos Nanos është prezent, sepse nuk mund të mohohen vlerat e tij intelektuale, vlerat e tij politike, vlerat e tij si shtetar, vlerat që duhet të ketë një president. Por mund të them, se nëse procesi do të ecë normalisht me negociata normale midis palëve, sigurisht këto negociata në tryezën politike që do të zhvillohen, do të kenë një produkt të qenësishëm. Nga ana tjetër, mund të them, se emri i Fatos Nanos nuk është thjesht objekt apo subjekt i gjykimit dhe i vlerësimit të PS, pasi sipas këndvështrimit tonë për këtë proces, kandidati për president duhet të jetë produkt i tavolinës së bisedimeve midis palëve në politikë.
Shpresoni në një produkt pozitiv të këtyre negociatave të pritshme me Berishën, duke patur parasysh qëndrimet e deritanishme të tij, se presidenti i ri i vendit do të vijë nga radhët e PD?
Shpresa është ajo që vdes e fundit. Ne jemi të bindur, se jemi në rrugë të drejtë sa i përket qëndrimin tonë, sepse këtë rrugë, që ne kemi parashtruar për zgjedhjen e presidentit e kërkon kushtetuta, e kërkojnë kushtet konkrete, e kërkojnë objektivat, që ka Shqipëria në raport me integrimin në Bashkimin Europian. Këtë e kërkojnë gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Sigurisht që, nëse Berisha nuk do të tërhiqet nga qëndrimi për të zgjedhur presidentin e ri nga radhët e PD, atëherë do të kemi të bëjmë me një zgjedhje, por e kam thëne dhe e përsëris, që kjo zgjedhje nuk do të jetë zgjidhje për Shqipërinë. Gjithsesi ne jemi dhe vazhdojmë të jemi për një linjë bashkëpunimi dhe të hapur për negociata me mazhorancën, për të kryer një proces normal të zgjedhjes së presidentit. Kryetari i PS, Edi Rama, e ka bërë publike ftesën në emër të PS, që kjo parti është e hapur të ulet në bisedime me të gjithë faktorët politikë për të zgjidhur me konsensus çështjen e presidentit. Dhe këto bisedime vlejnë edhe për reformat e domosdoshme, siç është zgjidhja e çështjes së imunitetit, e reformës parlamentare dhe ajo që është më kryesorja, reforma zgjedhore.
Sa optimist jeni për mundësinë e një bashkëpunimi real me LSI në këtë situatë, kur nuk dihet ende si do të shkojë çështja e zgjedhjes së presidentit?
Sa kohë ne jemi të hapur me negociata, ne nuk përjashtojmë mundësinë e bashkëpunimit me askënd.
Do të vazhdojnë përpjekjet tuaja për të bërë të mundur bashkëpunimin me LSI, nëse ajo tërhiqet nga qeverisja?
Absolutisht po. Por çështja është, se ne nuk jemi duke biseduar me LSI, nëse do të tërhiqet apo jo nga qeverisja me PD. Gjithsesi dua të theksoj se LSI është një forcë politike e majtë. Së dyti është një parti, që ka dalë nga forca jonë politike dhe e treta është, që LSI ka pika të përbashkëta kontakti me programin tonë elektoral dhe politik. Çështja është, se ka një dallim të madh mes nesh. LSI është në qeverisje. Në këto kushte LSI është në opozitë me ne dhe ne me atë. Kështu që, tani në këto kushte e rrethana nuk duket i mundur një bashkëpunim me LSI. Në qoftë se do të ketë hapa konkretë nga LSI, atëherë PS është e hapur për një bashkëpunim paraelektoral, elektoral dhe pas elektoeral që është qeverisja.
E shikoni si mundësi për realizimin e këtij bashkëpunimi momentin e zgjedhjes së presidentit?
Mbetet për tu parë dhe ne nuk mund të parashikojmë.