E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Hoxha: Superfuqi energjetike? Të gjithë hidrocentralet mbi Devoll do jenë sa Vau i Dejës

Share

Profesor Farudin Hoxha, një nga projektuesit e famshëm të kaskadës së Drinit flet për energjinë. Çfarë rrezikon Shqipëria që ndodhet pothuaj gjithmonë në dy anë të një lavjerësi fatkeq: thatësi ose përmbytje? Çfarë ka ndodhur në 40 vjet që nga koha e ndërtimit të digave të Veriut, ku pothuaj ka qenë zero investimi në mirëmbajtjen e tyre? Mund të bëhet Shqipëria një superfuqi e vogël energjitike? Një ëndërr e politikës, por jo e shkencës! Pse problemi i energjisë në Shqipëri mund të zgjidhet vetëm në plan rajonal, në bashkëpunim me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi e më gjerë. Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk ka marrëveshje ujrash me vendet fqinjë që mbas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe lindjes së shteteve të rinj. Histori të vjetra dhe të reja, gjithë përgjigjet e Profesor Hoxhës për betejën e të nesërmes, betejën për ujin

Nga Lorenc Vangjeli, Revista JAVA

Ka revoltë. Ka mërzi. Ka trishtim të thellë. Flet ngadalë dhe herë pas here, një nënqeshje e lehtë i tradhton fjalinë pasardhëse. Një fjali me mërzi, të trishtuar, por aspak të mërzitshme. Nuk ka cinizëm në atë çfarë thotë, por ka shumë dhembje. Dhembjen e dikujt që sheh ecjen e tjetrit drejt greminës dhe nuk dëgjon që i thërrasin të kthejë rrugë. Si një filozof mes profanëve. Si një okulist mes miopësh që thyejnë me kokëfortësi edhe syzet që mbajnë mbi kokë. Profesor Farudin Hoxha, një nga projektuesit më të famshëm të kaskadës së Drinit dhe të sistemit të ujërave të veriut për ti shndërruar në energji elektrike, e projekton me fjalë të thjeshta atë çfarë po ndodh me sistemin energjitik në Shqipëri dhe çfarë pritet të ndodhë. Me çfarë i ka dhënë Perëndia Shqipërisë jam optimist, me çfarë kanë bërë njerëzit me këtë pasuri, jo!, thotë ai. Në një bisedë të gjatë me revistën JAVA ai rrëfen për të shkuarën e hidrocentraleve, garanton për sigurinë e tyre dhe thotë se ato duhet domosdoshmërisht të mirëmbahen. Deri tani në to ndërhyrjet kanë qenë zero, thotë Profesor Hoxha.

Ai hedh ujë të ftohtë në entuziazmin fals që politika kërkon të ndezë me premtimet për superfuqi të vogël rajonale në fushën e energjetikës. Thjesht qesh. Gjithë hidrocentralet që pritet të ndërtohen në Devoll, sa për të marrë një shembull, kanë të njëjtën fuqi të instaluar si Vau i Dejës, sqaron çdo mëdyshje. Sipas Profesor Hoxhës, Shqipëria duhet të fillojë të ndërtojë një strategji energjetike duke nisur që me marrëveshjet për ujërat me fqinjët, me Kosovën, Maqedoninë e Malin e Zi dhe të integrojë sistemin me to. Duhet nisur sa nuk është vonë. Betejat e nesërme të njerëzimit do të jenë për ujin, paralajmëron profesor Hoxha, njeriu që jetoi për ta bërë ujin dritë për shqiptarët.

Dy vjet më parë, pati një panik të jashtëzakonshëm për situatën në digat e Veriut dhe qëndrueshmërinë e tyre. Përmbytjet masive sollën alarmin e madh për mundësinë që ato të kishin probleme dhe vendi të nënshtrohej nga kataklizma. Si është gjendja e digave sot?

E kam ndjekur atë situatë me shqetësim të thellë. I njoh mirë ato diga dhe e di mirë se si janë projektuar, si janë ndërtuar dhe çfarë garancish japin për qëndrueshmërinë e tyre. Fillimisht po ju them se ato kanë nisur të ndërtohen në vitet 70 me teknologjinë dhe mjetet teknike më të përparuara të kohës. Në gati 40 vjet të ekzistencës së tyre ato kanë afruar të gjitha garancitë e mundshme për të shmangur panikun dhe rrezikun e mundshëm. Një detaj; sipas marrëveshjes së ujërave që Shqipëria ka pasur atëherë me ish-Jugosllavinë, përpara ndërtimit të digës së Fierzës, projekti u dërgua në Beograd për konsultë. Çdo e papritur që mund të ndodhte me digën, do të afronte pasoja edhe për Malin e Zi, ndaj, ishim të detyruar sipas marrëveshjes që të merrnin dhe përgjigjen e tyre. Dhe nga pala jugosllave atëherë projekti u kthye mbrapsht pa asnjë lloj vërejtjeje. Po kështu, nga Kina atëherë jemi asistuar me inxhinierët më të mirë në fushën e projektimit dhe të zbatimit. I gjithë procesi ka kaluar në një sërë filtrash pikërisht që të afrohej garancia maksimale dhe jam i bindur se gjithçka është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithçka është bërë nën një kontroll jashtëzakonisht të rreptë teknik, në cilësi dhe në teknologji, është punuar me një rreptësi të skajshme deri në maniakllëk. Nga ndërgjegja në punë apo dhe nga frika, merreni si të doni, në asnjë rast, aty nuk është abuzuar në kurriz të cilësisë së ndërtimit dhe sigurisë. Një nga laboratorët më të mëdhenj të sizmikës në Evropë, në Shkup, gjithashtu ka certifikuar sigurinë e digave, kurse vetë diga e Fierzës, është përfshirë në katalogun e digave më të larta në botë në kohën e ndërtimit. Madje në atë kohë, ajo hynte tek digat më të larta në botë.

I vetmi rrezik vjen nga moszbatimi i rregullores për menaxhimin e kaskadës, siç ndodhi në dimrin e vitit 2010. I vetmi rrezik vjen kur lartësia e ujit do të kalonte mbi kurorën e digës.

E kam ndjekur me habi të thellë panikun e atëhershëm, madje edhe deklarimin e një ministri i cili pretendonte se koeficienti i sigurisë së digave të Veriut ishte më i ulëti në Evropë. E kam takuar edhe vetë disa herë këtë ministër dhe kurrë nuk ma ka shprehur një shqetësim të tillë. Nuk e kuptoj pse e kanë ushqyer panikun. Fundja, projektuesit dhe ndërtuesit e këtyre veprave janë ende gjallë. Edhe pse shumë e kanë marrë atë rrugë, janë gjallë. Pse nuk i thërrasin, pse nuk i takojnë, pse nuk i pyesin? Kam disa përgjigje për këto pyetje që bëj, por përgjigjet e sakta i dinë vetëm ata që janë përgjegjës për drejtimin e vendit.

Pothuaj katër dekada mbas ndërtimit, sa i pranishëm ka qenë kujdesi për mirëmbajtjen e digave?

E them me përgjegjësi që ky kujdes ka qenë pothuaj zero. Dhe pa patur frikë se gaboj në krahasim, mund tju them se digat janë konsideruar vetëm si lopë për tu mjelë dhe askush nuk është kujdesur për ushqimin e tyre. Sot, në mënyrë të shtrembër mendohet se hidrocentrali është vetëm pjesa që prodhon energji, turbina dhe gjeneratorë, tek të cilët ndërhyhet. Edhe pse me ligj përcaktohet se një pjesë e të ardhurave të krijuara nga prodhimi i energjisë duhet të shkojë për vetë mirëmbajtjen e veprës, kjo gjë nuk ka ndodhur. Një projekt zviceran për sigurinë e digave, ka dëshmuar se ka probleme në fund të digës në Koman, por jo të tilla që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e saj. Megjithatë, janë të nevojshme ndërhyrje inxhinierike në pjesën e poshtme të digës dhe në veprat anekse të saj.

Shikoni, historia e ndërtimit të digave në kaskadën e Drinit ka qenë në një farë mënyre edhe vetë historia e Shqipërisë. Në Vaun e Dejës punohej me kamionë ZIS-a sovjetikë. Më pas në Fierzë dhe Koman u kalua ne kamionët gjigantë Perlin e Centaur deri në 60 tonë. Vetëm në Fierzë duhet të lëvizeshin 8 miliardë metra kub mbushje dhe janë bërë çimentime deri në 50 metra thellësi. Nuk është kursyer asgjë për ti ndërtuar ato hidrocentrale, si nga pikëpamja financiare, ashtu dhe ajo e p

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›