INTERVISTA/ Rama: Aleancë me LSI nëse ikin nga qeveria
Kryetari i PS, Edi Rama, tha se nuk ka një mocion mosbesimi për Berishën dhe shtoi se ai do që të bëhet kryeministër me votat e shqiptarëve. Rama tha se me Ilir Metën ka diskutuar vetëm për presidentin. Kreu i PS tha se Berisha e do presidentin për tu ruajtur nga hetimi më vonë. Ai deklaroi se kushti i tyre është që presidenti të mos jetë nga PD. Rama tha se reforma zgjedhore ka ngecur tek KQZ. Sipas tij, PS do të këmbëngulë për një KQZ të re dhe për kontroll elektronik të kartave, por jo për numërimin elektronik.
Bisedoi: Alfred Peza
Vizion Plus
Zot Rama, sot mbushen një vit që ju e keni humbur Bashkinë e Tiranës, mund të themi se keni fituar Partinë Socialiste?
U mbushën një vit që Bashkia e Tiranës është pushtuar me vota të vjedhura, por nuk bëhet një vit që unë e kam fituar Partinë Socialiste, po bëhen disa vite më shumë dhe sot ndihem më i bindur se asnjëherë tjetër që PS është gati për ta qeverisur vendin dhe për ti hapur rrugë një rilindje shqiptare.
Kjo i jep të drejtë zërave që ju nuk duhet të kishit kandiduar për mandatin e katërt, në mënyrë që të bënit këtë që po bëni në fakt?
Nuk besoj se është kështu. Por, besoj se mënyra se si u sakrifikua Bashkia e Tiranës dhe vetë dërrmimi i imazhit të vendit përmes atij sakrifikimi bëri që ndjeshmëria të rritet maksimalisht, qoftë në opinionin publik, qoftë edhe në opinionin ndërkombëtar për domosdoshmërinë e daljes nga një epokë zgjedhjesh të vjedhura e të kontestuara dhe hapjes të një faqe të re në funksion të së ardhmes evropiane të vendit, dhe pa dyshim edhe të marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian në provimin e vjeshtës në Bruksel.
Në një vit keni botuar një libër, keni hapur një faqe në internet, me shumë klikime dhe fansa, gjithashtu keni rikthyer opozitën në parlament, keni bërë një pakt me mazhorancën, keni hyrë në një proces për reforma, – janë 3 reforma të ndryshme që pothuajse afati po u mbaron dhe keni bërë një takim pas shumë vitesh me Fatos Nanon, keni bërë një takim pas shumë vitesh me Ilir Metën. Në fund a u bëtë, a po bëheni, a jeni politikan?
Shpresoj jo, shpresoj jo. Unë besoj se gjithçka që ju përshkruat është shprehje e një vullneti të madh për të ndërruar një faqe në vazhdën e mbrapshtë të politikës së këtij vendi dhe për të hapur një faqe të re në funksion të një politike me njerëzit dhe për njerëzit, dhe sigurisht edhe në funksion të një vizioni tanimë të shpalosur për një rilindje shqiptare. Në mënyrë që shqiptarët më në fund të kenë një qeveri e cila të punojë me mish e shpirt, ditë natë, për punësim real, pa lejuar rritjen e mëtejshme të papunësisë, për vendosjen e një taksimi të ndershëm duke eliminuar taksën e sheshtë, për rimëkëmbjen e fshatit pas një historie të gjatë dhe të dhimbshme braktisjeje fshati për shërbime publike që të jepen sipas nevojës së qytetarëve dhe jo thjesht sipas xhepit të secilit. E pa dyshim, për ta mbështetur realisht sipërmarrjen dhe jo për të vazhduar me shkatërrimin e biznesit në funksion të monopoleve dhe klientelave të pushtetit.
A mund të jetë një mision kësisoj duke dashur të na rilindë po nëpërmjet Ilir Metës dhe pjesëmarrjes së LSI-së në qeverinë tuaj të ardhshme, pse jo…?
Besoj se ky është një diskutim të cilin e bëjnë mediat, e bëjnë analistët. Është legjitime që ta bëjnë, por nuk është një çështje e shtruar në tryezën e vendimmarrjes të Partisë Socialiste pasi jemi në kushtet kur opozita është në njërën anë të parlamentit dhe qeveria është në anën tjetër dhe Ilir Meta është pjesë e qeverisë.
Akoma?
Pa dyshim.
Por, pas dy takimeve tuaja, një në shtëpinë e Ilir Metës në Gjirin e Lalëzit dhe një publik. Pyetja shtrohet se çfarë ka ndodhur, a është pakt, a ka një marrëveshje dhe a ka ndodhur diçka, a ka ndryshuar diçka pas kësaj midis jush dhe midis PS e LSI?
Jetojmë në një vend ku…
Jetojmë në Tironë…
… Teoritë e konspiracionit gjejnë një terren shumë pjellor për të gjitha fantazitë dhe frerët e imagjinatës lëshohen tërësisht drejt skenarësh nga më të habitshmit. Por, e vërteta është që takimet, sikundër e kam sqaruar edhe më parë, kanë qenë në funksion të një shqetësimi të madh serioz që opozita ka lidhur me udhëkryqin që kemi përpara, zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe udhëkryqin historik që vjen më pas në 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit, ku Shqipëria hyn për herë të tretë në një provim të vjeshtës të Komisionit Evropian për të marrë statusin e kandidatit. E me këtë shqetësim ne kemi vënë interesin kombëtar dhe atë publik mbi interesin partiak dhe mbi politikën e ditës duke tentuar dhe bërë gjithçka që mundemi për të hapur një dialog real, serioz, konstruktiv, me të gjitha palët që janë në parlament, të cilat janë shprehje e vullneteve popullore dhe nuk janë zgjedhur nga ne. Kundërshtarët asnjëherë nuk i zgjedhim, por jemi të dënuar që të komunikojmë dhe të gjejmë rrugët për të zgjidhur çështje që kapërcejnë natyrën krejtësisht të shëndetshme të pluralizmit, ku jeta zhvillohet midis kundërshtarësh…
Apo jeni duke zbatuar thënien e Mandelës që Miq mbaji pranë dhe armiqtë edhe më pranë?
Unë besoj që në kushtet kur kemi një çështje si kjo dhe kur zgjidhja e duhur është një zgjidhje që është përtej fuqive numerike të secilës palë, atëherë duhet vizion, vullnet, durim, madje dhe guxim për të paguar edhe koston përkatëse lidhur me faktin që ndodh një kapërcim me qëllimin e vetëm që për vendin të bëhet e mira, dhe sot me qëllimin e qartë që Shqipëria ta marrë më në fund statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. I cili, – është mirë që njerëzit ta dinë – , nuk është një certifikatë në letër, por është një status i ri i vendit në raport me familjen evropiane që lidhet me një sërë përfitimesh të drejtpërdrejta, të cilat na duhen dhe madje janë të domosdoshme me të nisur dhe rrugën e qeverisjes sonë për një rilindje shqiptare.
E gjitha kjo në fakt është një bisedë e këndshme kur e dëgjon kështu, por a ka pika konkrete, a ka një pakt konkret, a ka le të themi çështje konkrete me të cilat ju e keni hapur këtë dialog dhe këtë diskutim me zotin Ilir Meta dhe me LSI-në?
Unë nuk besoj se ka gjë më konkrete se sa një moment si ky dhe një çështje si kjo, kur e ardhmja për të cilën ne flasim të gjithë dhe gjatë gjithë kohës, dhe që në përgjithësi është një koncept që mbetet abstrakt, është kaq e lidhur konkretisht me një zgjidhje të domosdoshme. E pra, është kjo konkretësi që e bën fare konkret dhe dialogun, çfarë duhet të bëjmë të gjithë sëbashku për ti dhënë Shqipërisë një president të të gjithë shqiptarëve dhe për të mos lejuar që Presidenti të jetë një noter partiak i nxjerrë nga barku i pus