Merkel sugjeron një referendum në Greqi për qëndrimin në eurozonë
Liderja e Gjermanisë i ka telefonuar presidentit grek dhe i ka sugjeruar që Greqia të mbajë një referendum nëse vendi do të qëndrojë në eurozonë apo jo.
Lajmin e bën të ditur BBC. Sipas rrjetit britanik, zyrtarët grekë thonë se Merkel ka sugjeruar që votimi të bëhet paralelisht me votimet për parlamentin muajin që vjen.
Megjithatë gjermanët mohojnë një propozim të tillë.
Kriza në eurozonë pritet që të dominojë bisedimet e G8 në SHBA këtë fundjavë.
Në një telefonatë me presidentin Karolos Papulias, zonja Merkel shprehu mendimin për një votë paralele me votimet e përgjithshme në lidhje me pyetjen nëse qytetarët grekë duan të qëndrojnë në eurozonë, thuhet në një deklaratë të zyrës së kryeministrit të përkohshëm grek.
Megjithatë është e qartë se kjo çështje është përtej kompetencave të qeverisë së përkohshme, vijon deklarata.