Arvizu: Ndërkombëtarët do e pranojnë një president me 71 vota, por do e quajnë një rast të humbur
Ambasadori amerikan tha se deri më tani duket se nuk ka bisedime për një president konsensual, por negociata se si të arrihet tek 71 vota. Arvizu vlerësoi figurën e Fatos Nanos dhe tha se ai është një person pak i kontrollueshëm
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, duke folur në emisionin Zonë e Lirë, tha se se ai ndërkombëtarët do e pranojnë një president me 71 vota, por do e quajnë një rast të humbur.
Unë jam përpjekur të shmang përdorimin e termit konsensual sepse termi konsensual nënkupton gjëra të ndryshme për persona të ndryshëm. Nëse nuk arrihet një konsensus ky nuk duhet të jetë shkaku i një krize politike. Ka një proces kushtetues, dmth ka tre raundet e para. Do doja të shihja 84 vota, madje dhe 140 vota. Nëse ata përpiqen më të mirën e tyre, unë mendoj se ata do ia dalin, tha Arvizu.
Nëse vjen puna tek zgjedhja e dikujt me 71 vota dhe kjo bëhet në përputhje me Kushtetutën, a do ta pranonte bashkësia ndërkombëtare? Nëse bëhet në përputhje me Kushtetutën, them se po. Por unë dhe SHBA do e shihnin si një rast i humbur, vijoi më tej ai.
Ambasadori përcolli një mesazh për Berishën. Unë mund ta kuptoj se Berisha do dikë që beson dhe influencon. Por mendoj se ai duhet të largojë për çështjen më të madhe. Megjithë respektin për personat që janë në kabinet, ky nuk është post në kabinetin e kryeministrit, është presidenti, tha Arvizu.
Sipas tij, deri më tani nuk ka pasur negociata për një president konsensual, por më shumë pazare për të arritur 71 vota.
Berisha ka thënë se personi duhet të vijë nga PD. Rama thotë se do pranojmë cilindo, mjafton që të mos vijë nga PD. Ka njëfarë mënyre një hendek. Por është e mundur që të afrohen. Dhe kemi parë disa persona që janë takuar. Shikoni zotin Nano që ka qenë shumë i ngarkuar me takime. Kjo është gjë e mirë që ata të takohen. Shqetësimi që kam është se nëse po takohen për të pasur një kandidat konsensual, kjo do ishte e madhe dhe SHBA do ishin të lumtura. Por kam ndjesinë se ajo që po ndodh është se grupe të ndryshme po mendojnë se si të arrijnë tek 71 vota, tha Arvizu.
Ambasadori amerikan komentoi edhe takimin Rama- Meta.
Ata kanë një të shkuar interesante së bashku. Ata duhet të flasin me njëri- tjetrin. Kjo është gjë e mirë. Nuk u habita nga takimi i tyre, tha Arvizu.
Duke komentuar darkën e ditës së enjte me Ramën, Arvizu tha: Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer. Ndihem shumë mirë me të.
I pyetur se tani pas takimit Meta- Rama, a ka ndryshuar qëndrimi i ambasadorit për 21 janarin, ai tha: Në cilëndo rrethanë, ajo që ka ndodhur më 21 janar ka qenë e tmerrshme. Nga të gjitha ato thënie që kam dëgjuar, ajo ka rimuar me mua ka qenë ajo që ka thënë Fatos Nano.
Ambasadori komentoi edhe deklaratat e Ekrem Spahisë për homoseksualët.
Përsa i përket zotit Spahiu, ai ka të drejtë të ketë opinionin e tij, por e ka gabim. Kryeministri e ka bërë të qartë se cila është pozita e qeverisë. Gjithashtu kam parë se si policia ka mbrojtur dhe ka qenë aty gjatë gjithë aktivitetit.
Ndërsa duke komentuar qëndrimin e presidentit amerikan për martesat mes homoseksualëve, Arvizu tha: Ato janë edhe ndjenjat e mia. Bashkëshortja ime ka ide liberale dhe ka qenë gjithmonë në favor të martesave të gay-ve. Unë kam qenë në favor të të drejtave të gay-ve, por për një kohë të gjatë nuk kam qenë rehat me martesat mes gay-ve. Për mua martesa është e natyrshme mes burrit dhe gruas. Sërish një pjesë e imja thotë se kjo duhet të jetë rezultati. Por si presidenti Obama kam kaluar përmes një transformimi. Kështu që kur pashë presidentin, mu duk se pashë veten.
