E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Rama: Bashës i ka rënë kallaji, Berisha rri përgjon pas vrimës së çelësit tim

ramaKur kanë mbetur vetëm 5 ditë nga 23 qershori, kreu i PS, Edi Rama është rikthyer në studion e Tonight Ilva Tare, për një analizë të fushatës elektorale në përfundim të saj, por dhe për një mesazh për elektoratin se pse duhet të votojnë PS dhe numrin 29 të dielën.

5 ditë kanë mbetur për të shkuar majtas, jeni i bindur, po ju keni shkuar majtas?

Të shkosh majtas në këtë rast është të shkosh nga zemra.

Karafilat në xhaketat tuaja, gjetje apo ua dhurojnë?

Jo, është një rit. Unë jetoj me ngjyrat, jam pjesë e tyre.

Pas gjithë turit, ka gjëra që kanë ndryshuar dhe keni reflektuar pas fushatës?

Ndryshe nga Saliu, nuk kam pritur fushatën për të zbuluar Shqipërinë, e njoh Shqipërinë me siguri km për km. Kaq shumë kam udhëtuar sa që di me sy vendet ku ka dhe nuk ka valë celulari.

Ka pasur zhvillime dhe me teknologjinë?

I kam adoptuar njohuritë në bazë të zhvillimeve. Shqipëria është një peizazh shumë i dëmtuar, nga erozioni, shkatërrimi i pyjeve, gërryerja e lumenjve. Është një vend që nuk ka asnjë rrugë me standarde, me përjashtim të një pjese të rrugës së Kombit. Është një vend ku ka realisht dëme, varfëri dhe plagë të jashtëzakonshme.

Po tuneli i Elbasanit?

Kjo është katandia ku kemi arritur. Tuneli, apo çdo vepër publike, ndërtohet me paratë e popullit, nuk është vepër që të duket si shpikje. U ndërtua tuneli, po pastaj? Jemi në situatën e vendeve të botës së tretë ku qeveritë mburren me rrugët. Janë shpenzuar shumë para, kemi shumë pak rrugë dhe në ato pak rrugë nuk kemi standarde. Ky këndvështrim është i bazuar mbi fakte, mbi ato që kemi parë dhe mbi dy debate të fundit të Ministrit të Transporteve që se ka provuar dot që ka ndërtuar 10.000 km rrugë. Njerëzit kanë shumë tunele, ndërkohë që ndërtohet ai tunel për të marrë ca vota. Kanë tunelin e varfërisë, e listave, ku ka presion mbi administratën. Pyetja nuk është si u bë tuneli, po sa ka kushtuar, si janë shpenzuar këto para, pra rrugët kanë mbetur rrugëve. Qytetarët në 23 qershor janë shumë të qartë në perceptimin dhe marrjen e vendimeve të tyre. Në një vend ku media është institucioni i të vërtetës, një Kryeministër i tillë do ishte kryqëzuar, sdo kishte qëndruar as një muaj në pushtet. Qeveria nuk e provon dot që ka bërë 10 mijë km rrugë.

Nuk keni folur më për anulime koncesionesh?

Kemi folur për transparencë, do shikojmë të gjitha kontratat dhe si janë bërë ato, aty ku janë shkelur do të zhbëhen. Për ato që janë realizuar në kundërshtim me ligjin do ndjekim ligjin dhe do kërkojmë dëmshpërblim. Do angazhojmë me fuqinë e parlamentit një komision për të bërë të gjithë hetimin e këtyre koncesioneve.

Keni thënë se do zbatoni ligjin pas 23 qershorit për administratën që ka dalë në fushatë?

Jo me ata, por me të tjerët që i kanë urdhëruar të dalin në fushatë. Ka kuadër ligjor të plotë kushtetues, këto janë çështje që do i trajtojnë gjykatat, ne do ti trajtojmë nga pikëpamja etike. Kush ka abuzuar do ndëshkohet dhe sdo ketë më vend në administratë.

Berisha tha në Shkodër se nuk po flisni më për pensionistët, por kërkoni të çoni në pension Berishën që punon 300 min në ditë më shumë se ju?

Po nga e di ky, apo që rri pas vrimës së çelësit tim, që merret me familjen time, të vdekur e të gjallë. E dyta e punës, çfarë rëndësie ka sesa minuta rri në zyrë ai njeri? Të flasim për bilancin, Shqipëria sot lëngon në kushtet e një mbijetese, arka e shtetit është bosh, njerëzit ku shkojnë i shikojnë nga xhepat, Shqipëria nuk ka ujë, nuk ka shtet. Për çfarë flasim ne? Biznesi është me litarin në fyt. Sot shqiptarët blejnë më pak. Ekonomia familjare e njerëzve të zakonshme është me rëndë seç ka qenë që prej periudhës së piramidave. Ne kemi bërë një plan. Gjëja e parë që do bëjmë është ulja e taksave për 95% të njerëzve, kriza po i faturohet njerëzve të zakonshëm.

Do i rrisni për kompanitë?

Jo. Do ulim taksat për gjithë ata që sot jetojnë me një rrogë nën 1.5 milion. Sipër kësaj ne do heqim taksën e sheshtë dhe do vendosim taksim të ndershëm. Do ulim taksat për gjithë fermerët, do fillojmë dhënien e certifikatave të tokës dhe do ulim naftën, duke hequr akcizën dhe taksën e qarkullimit, atë të makinerive bujqësore. Po kështu do ndërtojmë sistemin vaditës, zotohem solemnisht se kjo histori turpi do marrë fund në katër vitet e ardhshme, për ta zhdukur nga premtimet elektorale. Problemi tjetër janë plehrat, e di pse vendet e tjera eksportojnë plehra të rrezikshme në Shqipëri, vetëm se nuk ka kontroll. Ne do anulojmë ligjin për importin e plehrave. Ne do heqim TVSH për 5 ushqimet bazë.

Gjithë këto taksa që do hiqni, si do të kompensoni atë pjesë të buxhetit të munguar?

Nga taksimi i ndershëm, heqja e TVSH për 5 ushqimet bazë, ulja e TVSH për energjinë, heqja e 10% për ilaçet, etj janë sa gjysma e parave që shqiptarëve u humbasin nga nafta. Ne do fitojmë për ti dhënë fund avazit të vjetër, për të hapur luftë madhore kundër evazionit, korrupsionit dhe kjo ska të bëjë me kompanitë, por me ata që kanë vulat e shtetit në dorë, që marrin paratë për vete. Me kompanitë do vendosim një marrëdhënie krejt të re, nuk do ketë taksë progresive që ta keni të qartë, do ketë taksim në dy nivele. Rilindja është të rilindim ekonominë, shtetin. Një Kryeministër të tillë vendet normale do ta përdornin vetëm si personazh kabaresh.

A do ketë ulje të kuotave në pranimet e studentëve në fakultetin e drejtësisë?

Kjo është një pyetje 1 mln eurosh, është situatë shumë komplekse. Saliu u bëri një pabesi të rinjve, bleu 5 vjet qetësi duke joshur prindërve për të paguar shkollën e tyre. Dhe mbrapsht morën një diplomë pa asnjë vlerë. Kemi universitete private pa fund, po bëhen 100. Kemi numrin më të madh të juristëve për km katror në botë. Ne skemi më zanate, kemi krahun më të papërgatitur të punës, si mund të marrin ne investime. Jemi në kushte kur duhet të ndërrojmë model dhe këtë e ka kuptuar dhe Saliu që na ndjek nga pas. Bazohej shumë dhe në remitanca, por ato kanë rënë. Në këto kushte duhet industri prodhuese për të prodhuar vende pune dhe për këtë duhet zgjidhur problemi i pronës. Duhet një administratë shtetërore korrekte me publikun dhe investitorin, pra duhet shtet. Ai thotë jam model familjar, po çfarë modeli familjar?<

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›