INTERVISTA/ Rama: Ska asnjë shans për një mandat të tretë, nuk do vidhemi për të dytën herë
Lideri i opozitës shqiptare i përgjigjet pyetjeve të Klan-it: Tirana pas 8 majit dhe pse viti 2013 do të sjellë rotacionin politik në vend. Çfarë mendon ai për Nanon si President dhe pse nuk i kushton vëmendje Aleancës Kuqezi apo partisë së Bamir Topit
Nga Renato Kalemi, Revista Klan
Kur nisa kontaktet e para për ti rrëmbyer një intervistë Kryetarit të Partisë Socialiste, nuk e kisha menduar se kalvari mund të zgjaste mbi një muaj. E dija ngarkesën me të cilën duhet të përballej lideri i opozitës shqiptare me fillimin e 2012-ës, por prapë se prapë, nxisja veten, ai duhet ta gjente një orë kohë për ti kthyer përgjigje pyetjeve. E këtë e bëri në prag të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pak orë përpara se të merrte avionin për në Mynih, e mandej në Nju Jork e Uashington. Mësohet se gjatë kësaj vizite në Departamentin e Shtetit do të takohet me zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit, Filip Riker, pa detaje të tjera.
Në këtë intervistë ekskluzive për Klan, Edi Rama është treguar konçiz, i drejtpërdrejtë dhe fjalëpak, jo sepse nuk di të bëjë të kundërtën, porse duke folur shkurt arrin të thotë më shumë. Ndoshta, edhe Twitter-i, rrjeti social të cilin ai e përdor çdo ditë e për të cilin thotë se nuk i merr asfare kohë nga përditshmëria e aktiviteteve politike, mund të ketë pakëz gisht në këtë mesele. Ai tregohet i sigurt kur e quan të mbaruar dhe të dështuar misionin e qeverisë aktuale: Ska asnjë shans për një mandat të tretë dhe sdo ketë më mundësi që për të dytën herë të vjedhë mandatin e saj qeverisës. Ndërsa, në Tiranën të cilën e udhëhoqi për 11 vjet radhazi, pas gati një viti nga zgjedhjet e 8 majit, shikon veç shenjat e para të rënies dhe keqadministrimit.
Z. Rama, po afrohet një vit nga zgjedhjet e 8 majit, pas të cilave ju u larguat nga Bashkia e Tiranës në mënyrën që tashmë dihet. Gjatë këtyre muajve, kur ju ndodh të ecni nëpër Tiranë, si ju duket ajo? A ka ndryshuar shumë nga Tirana që bëtë dhe latë ju pas 11 vitesh?
Nuk më duket, përkundrazi, sepse Tirana ka humbur sheshin e saj qendror dhe kështu edhe një pjesë thelbësore të trashëgimisë e të identitetit të saj urban e kulturor. Për të tjerat sshoh asnjë ndryshim në mos shenjat shqetësuese të rënies së cilësisë së mirëmbajtjes së rrugëve, trotuareve, sipërfaqeve të gjelbra, Parkut të Liqenit, të cilat shpresoj të mos kthehen në plagë siç ndodh me qytetet e keqadministruara përgjithësisht.
Në dy vitet e fundit, por edhe sot e gjithë ditën, PS-ja, opozita në tërësi dhe ju personalisht fajësoheni nga mazhoranca dhe Kryeministri Berisha si arsyeja kryesore për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në BE të Shqipërisë. Sigurisht, kjo ska se si të jetë plotësisht e vërtetë, përderisa qeveria përgjigjet përpara çdo dështimi. Por, në të gjithë këtë histori, a i njihni vetes qoftë edhe një gabim apo mosveprim politik që mund të ketë ndikuar në refuzimin dy herë të statusit?
Të them të drejtën jo! Zgjedhjet që janë edhe në krye të listës së shqetësimeve e të rekomandimeve nuk i vodhi opozita. Krimin e korrupsionin nuk e lufton konkretisht opozita që vetëm mund të flasë për to. Sistemin e drejtësisë nuk e bën funksional opozita që vetëm mund të bëjë propozime për përmirësimin e tij. Kush mendon se pa këto Shqipëria mund të merrte statusin, thjesht gënjehet nga propaganda e shfrenuar antiopozitare. Sa për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në procesin e ligjvënies kjo nuk ka munguar, përkundrazi kemi miratuar të gjitha kodet me 3/5-at, por statusi mbetet larg pikërisht sepse marrja e tij nuk është vetëm çështje e lidhur me çfarë miratojmë në letër, po në radhë të parë me çfarë jetësohet në realitet. Dhe është pikërisht realiteti i gjërave që nuk e favorizon marrjen e provimit të kandidimit për BE.
Zgjedhjet për kryetarin e PS-së në Tiranë ju i keni cilësuar si një model i demokracisë brenda një partie politike. A është sot Partia Socialiste partia më e hapur në vend, pavarësisht kritikave që keni marrë për të kundërtën nga disa eksponentë politikë?
Besoj se realiteti i gjërave në këtë aspekt flet vetë. PS-ja nuk është e përsosur, ska parti politike të përsosura, por është e vetmja parti ku ka jetë demokratike, debat të brendshëm, zgjedhje të lira e të ndershme si ato të Tiranës.
Ju është dashur të reagoni disa herë pas disa titujve në gazeta për sherre dhe pakënaqësi në PS, se asgjë nuk është e vërtetë. Megjithatë, disa pakënaqësi janë vënë re, sidomos pas delegimit të deputetëve në qarqe të ndryshme nga ato ku janë zgjedhur, siç është rasti i z. Braçe, çka më pas sqarua. Cila është mënyra që ndiqni për të ruajtur ekuilibrat në PS?
Ekulibri në PS garantohet pikërisht përmes debatit, ballafaqimit të mendimeve, përputhjes së qëndrimeve individuale mbi bazën e vetëdijes së përbashkët e të dëgjimit me durim të njëri-tjetrit, jo mbi bazën e diktatit gojëmbyllës.
Ingranimi i një grupi të rinjsh në strukturat e PS-së, pas një përvoje të tyren në jetën publike e politike, çfarë rezultatesh i ka sjellë partisë dhe çfarë prisni ende prej tyre?
Eshtë proces i natyrshëm për PS-në, e cila sot është ripërtërirë në një masë të konsiderueshme në një fazë ndërrimi gjeneratash. Sot në drejtimin e PS-së ka shumë të rinj që punojnë në harmoni me ata me më shumë jetë të gjatë partie e prandaj edhe me një eksperiencë më të madhe që është shumë e çmuar për ne.
Jeni shumë aktiv në Twitter, qoftë në publikimin e reagimeve tuaja, por edhe në leximin e atyre që ju shkruajnë. Sa kohë ju merr kjo gjatë ditës? Dhe pse ju duket interesant fakti i komunikimit online se sa ai nëpërmjet kamerave?
Smë merr asnjë kohë, është pjesë e të jetuarit të ditës politike dhe nuk e përjashton asfare komunikimin e drejtpërdrejtë para kamerave apo njerëzve pa praninë e kamerave. Eshtë një mjet më shumë që na e ka dhënë koha që jetojmë dhe paragjykimet apo keqgjykimet për përdorimin e këtij mjeti vijnë thjesht prej faktit se është një gjë e re, me të cilën jam i bindur se njerëzit do të mësohen shumë shpejt, ashtu sikundër ata që merren me politikë do ta përfshijnë më shumë herët sesa vonë në mjetet e tyre të komunikimit. Kur sheh një burrë të moçëm si Presidenti izraelit Shimon Perez në rolin e protagonistit të një videoje si ato të MTV për të lançuar faqen e tij në Facebook, ska se si të mos e shohësh edhe hendekun e madh mes kohës që jetojmë dhe atyre që këtu në Shqipëri flasin broçkulla për këto mjete të reja komunikimi.
Eshtë vënë re një aktivizim i shtuar i juaji në Kosovë e trevat e tjera shqiptare, ku duhet thënë PS-ja ka patur mungesa dhe ku z. Berisha gëzon një autoritet të konsoliduar. A duhet ta kishit nisur më herët këtë aktivizim; si e shihni reflektimin që politika shqiptare ka mbi