E Diel, 1 Nëntor 2026

Historiani Lempert: Në Shqipëri drejton dhe komandon ende elita komuniste

Share

Përvetësimi i botëkuptimit të demokracisë në Shqipëri duket kaq i vështirë dhe kjo ka të bëjë pjesërisht me një trashëgimi nga komunizmi, ku shteti ishte i superfuqishëm, kontrollonte gjithçka dhe qytetari shqiptar në të vërtetë nuk kishte të drejtën e fjalës. Tani që ka liri, ajo duhet përvetësuar, është e rëndësishme të dish se si të sillesh në liri. Por ka edhe një faktor tjetër, që me sa duket për shqiptarët është e vështirë të zgjedhin alternativa, sepse këto alternativa nuk ofrohen. Qysh nga viti 1990 thuajse nuk ka pasur fare ndryshim të elitave në Shqipëri. Elita, që drejton tani politikën pjesërisht e ka prejardhjen nga i njëjti rreth personash, të cilët përbënin elitën edhe në komunizëm. Kështu është shprehur në një intervistë për DW, historiani dhe njohësi i Shqipërisë Hans-Ulrich Lempert, nga Universiteti i Vjenës, Austri.

Në këto njëzet vjet pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, që u konsideruan si zgjedhjet e mirëfillta pluraliste, si do ta vlerësonit nivelin e demokracisë në Shqipëri?

Tranzicioni nga komunizmi në demokraci për Shqipërinë ishte mjaft i vështirë: Shqipëria ishte një ndër vendet e fundit të Evropës Lindore. Tranzicioni u shoqërua nga mosmarrëveshje dhe konflikte shumë të gjata midis partive lidhur me institucionet dhe procedurat elektorale. Sot Shqipëria pa asnjë rezervë ka një demokraci: Institucionet demokratike janë etabluar, pavarësisht, se sot jo gjithçka funksionon si duhet duke mos iu përgjigjur në nivelin e duhur parimeve demokratike. Çfarë duhet parë me sy mjaft kritik është efikasiteti i institucioneve, se sa funksionojnë këto institucione sipas parimeve demokratike dhe sa vihen këto parime në jetë.

A është i konsoliduar dhe a është i garantuar funksionimi i parlamentit sipas standardeve perëndimore?

Institucioni i parlamentit nuk vihet më në pikëpyetje nga asnjëra palë. As parimi i zgjedhjeve të lira nuk vihet në dyshim. Por fakti është që njëzet vitet e shkuara janë karakterizuar nga polarizimi mes dy partive të mëdha asaj socialiste dhe demokratike, të cilat kanë qenë vazhdimisht në konflikt me njëra-tjetrën. Kësisoj ato e kanë bllokuar shpeshherë procesin e transformimit, sepse si njëra, ashtu edhe tjetra parti e kanë bojkotuar parlamentin.

Cilat janë sipas jush arësyet e këtij polarizimi?

Një nga arësyet është personalizimi dhe hierarkizimi i fortë i këtyre partive. Që të dyja partitë janë të orientuara fort ndaj udhëheqësve të partisë, Sali Berisha në partinë demokratike dhe Edi Rama në partinë socialiste, në këtë të fundit deri në 2005 ka qenë e njëjta dukuri me ish-kryetarin Fatos Nano. Çdo përballje politike dhe çdo debat sillet gjithmonë rreth këtyre dy figurave. Diskursi politik nuk zhvillohet aq për ideologji, apo koncepte politike, por përqëndrohet fort tek përballja midis personave që ndonjëherë duket se merr trajtën e armiqësive personale.

Simbioza e krijuar mes dy kundërshtarëve politikë është kjo një karakteristikë e politikbërjes në Shqipëri, apo njihet si dukuri edhe në vendet e tjera postkomuniste?

Kjo dukuri është shfaqur në shumë vende postkomuniste, ku është krijuar një polarizim i fortë në politikë, kjo edhe për arësyen se shumë shpejt partitë pasuese të partive komuniste, partitë socialiste shumë shpejt u kthyen në pushtet pas zgjedhjeve. Megjithatë krahasuar me vendet e tjera evropiano-lindore politika e bojkotimit të vazhdueshëm të parlamentit, siç ka ndodhur në Shqipëri, është relativisht unikale.

Sado që në dukje shoqëria shqiptare është e politizuar, në masë ndihet edhe përhapja e mosbesimit ndaj politikës. A është edhe kjo pasojë e trashëgimisë komuniste, apo kemi të bëjmë me një dukuri të re të kushtëzuar nga rrethanat aktuale?

Mendoj se të dyja këto janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ndërsa në komunizëm kishte një mosbesim të madh kundrejt shtetit, zhvillimet në vitet 90-të duke nisur qysh me manipulimet në zgjedhje e deri tek kriza financiare, prej së cilës shtresa të tëra të popullsisë humbën kursimet e tyre duke çuar në pragun e luftës civile, kanë bërë që në Shqipëri të krijohet një zhgënjim i madh dhe deziluzionim sa u përket zhvillimeve politike.

Përse duket kaq i vështirë përvetësimi i botëkuptimit të demokracisë në Shqipëri?

Unë mendoj, se kjo ka të bëjë pjesërisht me një trashëgimi nga komunizmi, ku shteti ishte i superfuqishëm, kontrollonte gjithçka dhe qytetari shqiptar në të vërtetë nuk kishte të drejtën e fjalës. Tani që ka liri, ajo duhet përvetësuar: Eshtë e rëndësishme të dish se si të sillesh në liri, ku duhet të jesh i përgjegjësheëm si për veprimet vetiake, ashtu edhe për zhvillimet në shoqëri. Por ka edhe një faktor tjetër, që me sa duket për shqiptarët është e vështirë të zgjedhin alternativa, sepse këto alternativa nuk ofrohen. Qysh nga viti 1990 thuajse nuk ka pasur fare ndryshim të elitave në Shqipëri. Elita, që drejton tani politikën pjesërisht e ka prejardhjen nga i njëjti rreth personash, të cilët përbënin elitën edhe në komunizëm.

Më sipër ju theksuat, se diskursi politik fare pak ka të bëjë me koncepte, përse ndodh kjo?

Ka shumë pak dallime programore midis dy partive të mëdha: asaj socialiste dhe demokratike. Dallimet janë fare të vogla sa i përket politikës së taksave, apo asaj sociale. Por edhe midis partive të vogla, duke veçuar paksa partinë republikane, që ka një orientim si të thuash patriotik, dallimet programore janë të zbehta. Parimisht mund të thuhet, se dallimet midis tyre nuk janë të përkufizuara nga përmbajtja.

A përbën problem për funksionimin e jetës parlamentare fakti, që partitë nuk kanë dallime të qarta programore?

Definitivisht: Ky është vërtetë një problem i madh. E rëndësishme është që të shmanget fiksimi ndaj personalizimit të politikës dhe që të vendosen pikërëndesat programore. P.sh. edhe në partinë socialiste ka pasur anëtarë, apo edhe drejtues, të cilët pas zgjedhjeve të fundit nuk kanë qenë dakord me bojkotimin e parlamentit dhe kërkonin kthimin në parlament për të bërë një opozitë konstruktive. Por për fat të keq strukturat partiake janë aq të hierarkizuara dhe kjo pengon zgjidhjet e suksesshme.

Ndonëse politika në Shqipëri dominohet nga dy partitë e mëdha që polarizojnë, peisazhi partiak qysh në fillimet e demokracisë e deri më sot ka pësuar ndryshime duke u fragmentarizuar me krijimin e partive të reja. Eshtë ky fragmentarizim në dobi apo në dëm të parlamentarizmit?

Faktikisht në këto njëzet vjet në Shqipëri janë krijuar një sërë partishë. Por unë nuk do të mendoja se ky është një faktor, që e ka dëmtuar parlamentarizmin, sepse partitë e vogla kanë fare pak influencë në politikë. Përderisa ligjet elektorale gjithmonë kanë favorizuar partitë e mëdha, për partitë e vogla ka qenë e mundur të marrin mandate parlamentare apo të jenë pjesë e pushtetit vetëm pasi kanë hyrë në aleanc

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›