E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Mirel: Shqipëria ka bërë progres. Të vijojë dialogu

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme në BE, për Zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel ka vlerësuar si pozitive ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore dhe parlamentare si dhe miratimin e ligjeve me 3/5.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e integrimit Majlinda Bregu, Mirel ka kërkuar vazhdimin e dialogut politik në Shqipëri për të përmbushur 12 prioritetet e kërkuara nga KE-ja për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

 “Integrimi europian për Shqipërinë është prioritet dhe një projekt i tillë që të jetë i suksesshëm kërkohet një konsensus i gjerë mes palëve politike. Konsensusi ka bërë që të ketë arritje të cilat janë përkthyer në veprimi konkrete prandaj ky dialog duhet të vazhdojë siç e kemi parë edhe në muajt e kaluar” ka theksuar Mirel.

Gjithashtu Mirel tha se zgjedhja e Avokatit të Popullit ishte një hap pozitiv për integrimin dhe njëkohësisht një shembull që sipas tij duhet të merret edhe për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Githashtu heqja e imunitetit është vlerësuar nga drejtori për Ballkanin në KE, Pier Mirel si një nga reformat për integrimin e Shqipërisë në BE. “Kemi parë që ka angazhim në luftën kundër korrupsionit mes kuadrove ligjore dhe ne thamë se duam një sërë arritjesh në vazhdimësi. Heqja e imuniteteve është e rëndësishme për ne. Kur flitet për këtë mund të lind pyetja si mund të pritet që një gjyqësor i pavarur dhe nga ana tjetër t’u hiqet imuniteti gjyqtarëve. Por të jesh i pavarur nuk do të thotë të mos kesh mundësi të japësh llogari, por duhet të krijohen kushtet në mënyrë të plotë që të çojnë te heqja e imunitetit”- tha ai.
 

Nga ana e saj, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi gatishmërinë e qeverisë dhe maxhorancës për heqjen e imunitetit ndërsa i kërkoi KE-së ta vendosë heqjen e imunitetit si kusht për anëtarësimin e vendit në BE. “Heqja e imunitet është një nga çështjet më të rëndësishme madje do të ftoja palën europiane që heqjen e imunitetit ta vendosë si kusht përmarrjen e statusit kandidat. Mazhoranca ka bërë me dije se do të jetë pro çdo propozimi të opozitës për heqjen e imunitetit qoftë me ndryshimin e kushtetutës dhe po ashtu edhe me ndryshimin e ligjit” theksoi Bregu.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›