INTERVISTA/ Rama: Svotojmë më 6 gusht. Treni i koalicionit, shumë i gjatë. Imami na përgjoi gjatë negociatave për presidentin
Edi Rama hap dyert për Aleancën KuqeZi dhe FRD-në. Ai deklaron se nuk e ka humbur PDK-në e Ndokës, madje shton se PS ka futur në program çështjen çame. Rama thotë se Imami i ka përgjuar edhe kur diskutonin për presidentin.
Bisedoi: Alfred Peza
Vizion Plus
Zoti Rama, kjo javë pati një zhvillim, një ngjarje politike e cila kurrë nuk mund të anashkalohet, siç ishte inaugurimi i Presidentit të ri të Republikës dhe ndryshimi, si dhe dorëzimi i stafetës nga zoti Topi. Si do ta përkufizonit me një fjali pikërisht këtë inaugurim?
Nëse më pyesni për ceremoninë ku isha i pranishëm, do të thosha koncert në vitin 1936. Për të rinjtë që mbase nuk e kanë parë atë film mit të kohës së shkuar, një ceremoni e cila ishte triumf i mediokritetit dhe banalitetit.
Ju gjithsesi ishit në këtë ceremoni…
Sigurisht, sepse u zgjodh një President i Republikës pa pëlqimin tonë, por u zgjodh në fund të fundit në rrugë kushtetuese dhe ne i njohim institucionet jo vetëm kur kemi afrimitet me fytyrat e drejtuesve të tyre, por edhe kur drejtohen nga njerëz që nuk e kanë pëlqimin tonë. Pra, respektojmë institucionin dhe shprehje e këtij respekti për institucionin ishte dhe prania ime aty si përfaqësues i opozitës.
Megjithëse kishte shumë njerëz në radhë për ti dhënë dorën Presidentit të ri dhe zonjës së parë, ju me durim nga fundi arritët në transmetim live, njerëzit e kanë parë besoj, që i shtrëngonit dorë dhe diçka i pëshpëritët. Çfarë i thatë në ato pak sekonda?
Asgjë të veçantë. Pata mundësi tiu them diçka më shumë fëmijëve të Presidentit, që më bënë përshtypje me një ndrojtje shumë të sjellshme dhe sinqerisht do të uroja që kur të marrë vendimet që do i duhet të marrë Presidenti, të merakoset më shumë për emrin që do u lërë atyre dy fëmijëve, vajzës dhe djalit, se sa për shijen që vendimet e tij do ti lënë Saliut apo partisë nga ai doli.
Dikush erdhi, një tjetër iku. Po presidentit në ikje çfarë i thatë?
Në fakt, i çova një mesazh dhe i thashë një të vërtetë shumë të thjeshtë nga ceremonia. Ishte i vetmi moment kur duartrokita, natyrshëm më erdhi, teksa Bamir Topi po zbriste shkallët me zonjën dhe i urova sukses për jetën e dytë politike.
Jeni i sigurt se ai tashmë do ta ketë një jetë të dytë politike?
Ashtu e ka bërë me dije.
Meqë jemi këtu dhe meqë kaluan 5 vjet gjithsesi, duhet të keni një vlerësim për këtë mandat…?
E kam dhe besoj që nuk duartrokita me sinqeritet për atë çfarë ka bërë, por për të gjitha atë çfarë nuk ka bërë duke refuzuar të përdoret për interesat e partisë që e zgjodhi President. Besoj se në kontekstin në të cilin jetojmë, ky nuk është një kontribut i vogël, por përkundrazi, është një kontribut për tu çmuar veçanërisht nga pozitat e opozitës.
Keni diçka për të korrigjuar nga një deklaratë që keni bërë në momentin që u zgjodh Bamir Topi, që i thatë: Ti vijë turp. Duke pasur parasysh dhe ato që ai nuk bëri apo nuk bëri gjatë këtyre pesë vitesh?
Unë e dhashë vlerësimin tim. Por, e kam thënë dhe në raste të tjera për të tjera konteste dhe për të tjerë njerëz që deklaratat politike kanë vlerën e momentit në të cilin bëhen dhe sot unë nuk kam asnjë arsye për tu ndjerë keq për asnjë deklaratë që kam bërë për sa kohë jam në krye të Partisë Socialiste, as për Bamir Topin.
Përveç të tjerash ju njiheni për një sqimë, apo merak gati prej maniaku në lidhje me gjuhën shqipe, me fjalët, por dihet tashmë, pasioni dhe talenti juaj i vërtetë për publicistikën. Nisur nga këto dhe nga ajo çfarë ju vetë reflektoni në fjalimet e tuaja, besoj se e keni ndjekur dhe me këtë sy fjalimet e inaugurimit të Presidentit Nishani. Ka pasur dy fjalime. Një në parlament dhe një atje ku ishit ju i pranishëm. Si i vlerësoni?
Do të kisha dashur të ma kursenit këtë pyetje. Por, jam i detyruar tju përgjigjem. Fjalimi në parlament ishte nën mesataren e fjalimeve parlamentare. Fjalimi në Presidencë ishte nën mesataren e fjalimeve presidenciale. Por, nga ana tjetër besoj se nga Presidenti Nishani nuk kemi arsye të presim fjalime të mira dhe nuk besoj se ai do të mbetet në histori për fjalimet.
Meqë jemi tek ndryshimet kushtetuese, janë në proces, janë në diskutim ndryshime të freskëta, të reja, që ende nuk kanë ndodhur, një prej të cilëve lidhet me çështjen e heqjes së imunitetit. A do ta hiqni më në fund imunitetin apo jo?
Ju falënderoj për këtë pyetje sepse është një mundësi për tu shpjeguar ndoshta pak më gjerë me publikun. Por tanimë që flasim për ne çështja e nenit që ka të bëjë me kufizimin e imunitetit është e mbyllur. Është bërë një punë e lavdërueshme nga ana e Komisionit tonë të Ligjeve dhe nga relatori Pandeli Majko. Është arritur në një pozicion të përbashkët mbi variantin e ofruar nga ne dhe është miratuar në parim dhe nen për nen i gjithë ndryshimi që ka të bëjë me imunitetin. Kjo është çështje e mbyllur.
Do ta votoni më 6 gusht apo jo?
Më 6 gusht ne nuk do të votojmë. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshim qëndrimi lidhur me ndryshimin tanimë të realizuar për sa i përket imunitetit, por ka të bëjë me një qëndrim të qartë, publik dhe besoj koherent në raport me Kushtetutën dhe me qytetarët për domosdoshmërinë që ndryshimet kushtetuese të bëhen si një proces, i cili mbyllet vetëm kur janë diskutuar të gjitha propozimet. Kemi pasur dy propozime për imunitetin, një propozim i PS dhe një propozim i PD. Kemi rënë dakord më në fund për propozimin e PS, që prej vitesh ka qenë i qartë: Duhet bërë ndryshim kushtetues dhe duhet bërë në këtë formë. Më në fund erdhën në pozicionin tonë. Tani kemi edhe një sërë propozimesh të tjera që presin të kalojnë në sitën e një diskutimi të hapur, transparent dhe me të gjithë ata që kanë diçka për të thënë drejtpërdrejt lidhur me Kushtetutën, ekspertizë vendase, ekspertizë ndërkombëtare, institucione të drejtësisë dhe pastaj do të vijmë tek votimi i të gjithë këtyre propoz