Berisha takon Cameron dhe e fton për 100 vjetorin e Pavarësisë
Pak minuta përpara nisjes së ceremonisë madhështore, kryeministri britanik, që kishte në shtëpinë e tij 120 liderë nga e mbarë bota, priti kryeministrin Berisha dhe dëgjoi nga ai se si Shqipëria po shkon drejt… moshës dixhitale
Edhe pse kishte në shtëpinë e tij mbi 120 liderë nga e gjithë bota, kryeministri britanik, David Cameron gjeti mundësinë të bënte një takim me kryeministrin Sali Berisha, pak minuta përpara nisjes së ceremonisë madhështore. Madje Cameron dëgjoi shumë gjëra nga Berisha, deri edhe si po ecën vendi ynë drejt moshës dixhitale.
Në këtë takim të përzemërt dhe miqësor, Kryeministri Berisha falënderoi përzemërsisht Kryeministrin britanik Cameron për kohën dhe pritjen e veçantë që i rezervoi në një ditë kaq të ngarkuar dhe i shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë mbështetjen e çmuar që Britania e Madhe i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në përpjekjet e saj për të ndërtuar demokracinë, bazuar në vlerat e tregut dhe integrimin e vendit në NATO dhe, tani, në procesin e integrimit evropian, si dhe për bashkëpunimin e frytshëm që ekziston midis dy vendeve tona në fushën e zbatimit të ligjit.
Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin Cameron me reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria, nga viti 2005 e në vazhdim, rezultatet e këtyre reformave në treguesit kryesorë të zhvillimit njerëzor, në disa prej të cilëve Shqipëria ka arritur vendet e zhvilluara. Kryeministri e njohu Kryeministrin britanik me arritjet e vendit në fushën ekonomike, me rritjen ekonomike katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit, arritjet në thithjen e investimeve të huaja ndër më të lartat për frymë dhe ndërtimin e infrastrukturës së re të vendit, ecurinë e Shqipërisë drejt moshës dixhitale, etj, thuhet në një njoftim të kryeministrisë.
Siç bën me çdo të huaj, Berisha e ftoi Cameron për një vizitë në Shqipëri me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Cameron tha se do e marrë në konsideratë ftesën.