INTERVISTA/ Tufa: Berisha qeverisi me ministra të zhubrosur dhe piranja të pamëshirshme
Agron Tufa në një analizë politike të së djathtës. Gabimet e qeverisjes së djathtë dhe vota e 23 qershorit. Ndryshimet brenda PD-së, e majta dhe të drejtat e padhëna të të përndjekurve. Dëshmitë e munguara për të shkuarën, botimet e pakta dhe disa pseudoautorë e artikuj të sforcuar sipas publicistit të njohur
Nga Alida Cenaj*
Sikur Partia Demokratike të mos i kishte harruar degët e veta në pushtetin lokal, duke u dhënë kështu dorë klikave drejtuese në provinca të ushtrojnë një pushtet arrogant e banal, sikur aleanca me LSI-në të mos kishte ndodhur, sikur ministrat e qeverisë që do të lërë pushtetin në shtator të kishin qenë ca të tjerë, sikur listat e kandidatëve të PD-së të ishin kursyer nga disa emra të marrë nga kampi kundërshtar etj.,etj., me siguri rezultati i 23 qershorit do të kishte qenë i ndryshëm. Kështu e analizon të djathtën e paszgjedhjeve, një publicist i njohur, shkrimtar e mbrojtës i të drejtave të të përndjekurve, i djathtë në bindjet e veta politike. Agron Tufa megjithatë beson se Partia Demokratike i ka nxjerrë mësimet e veta pas disfatës së fundit. Ndryshimet rrënjësore të këtyre ditëve, pas dorëheqjes së Berishës, sipas tij janë vërtetë të tilla dhe kryetari i i ri nuk duhet paragjykuar. Qoftë ose jo i preferuari i Berishës (tek e fundit çtë keqe ka!), Basha duhet ta justifikojë besimin që i dhanë demokratët, besim, që sado ta relativizojmë, ishte plebishitar me përqindjen e votave. Vetëm se as zgjedhjet e qeta që sapo lamë pas, as shpresa se tanimë tranzicioni ka kaluar, as 23 vitet që na ndajnë nga diktatura nuk kanë mjaftuar për të qartësuar debatin mbi të majtën dhe të djathtën në Shqipëri. Janë lënë pas dorë edhe të përndjekurit këto vitet e fundit sipas Tufës, siç ende nuk kemi çuar në vend nderin e atyre që humbën gjithçka nga përndjekja e 50 vjetëve të regjimit të Enver Hoxhës.
-Z. Tufa, më në fund kaluam zgjedhje parlamentare, në fund të të cilave nuk pamë dy palë kundërshtare që dalin duke akuzuar njëra-tjetrën pa e pranuar rezultatin (masivisht të paktën). Pamë dorëheqjen e një lideri historik të së djathtës pasi pranoi humbjen. A do të thotë kjo që politika shqiptare ka filluar të piqet e ta kuptojë se në demokraci, vota është ajo që ka pushtetin e vërtetë?
Mendoj, se së paku këto zgjedhje, me disfatën tronditëse të PD-së, kanë qenë rasti më i mirë për të ngulitur të vërtetën e pushtetit të votës. Por ama, vetëm për sa i përket realitetit numerik! Se, mandej, çfarë shtrihet përtej realitetit numerik, në ç’mënyrë shokuese u përftua disfata, kjo është detyra kryesore që duhet të analizojnë palët politike – në rastin konkret, demokratët. Dorëheqja e liderit historik të së djathtës, edhe pse për momentin nuk duket aq ngushëlluese, është një hap dhe një gjest premtues për ta kthyer vështrimin kritik nga themeli, për të hetuar me realizëm humnerën e thellë të alienimit, që ka ngjarë jo menjëherë, por pak nga pak e ndër vite me elektoratin e djathtë. Kam pasur dhe kam dyshime të mëdha për “biografinë” morale të kësaj vote të ashtuquajtur “plebishitare”; artificën e saj nuk më duket bindëse në përmasat që u përftua. Por kjo është një çështje që i takon vetë lidershipit të djathtë të thellohet në një lexim të esëllt, realist, duke e kërkuar tek vetja arsyen e vërtetë të këtij denatyrimi.
-Në prag të zgjedhjeve, analistët e politikës parashikonin një rezultat të ngushtë mes të majtës dhe të djathtës. Në të vërtetë e djathta humbi edhe në qarqet ku historikisht ka qenë e fortë. Cilat janë arsyet, sipas jush, të kësaj humbje?
Analistët tanë, ç’është e vërteta, nuk ia kanë qëlluar ndonjëherë me parashikimet e tyre. Nuk u kanë paraprirë realiteteve me të cilat merren dhe ku janë të punësuar si profesionistë. As kësaj here nuk ia ngjitën! Arsyet e disfatës së PD-së dhe të djathtës në tërësi janë të shumëllojshme e komplekse. Pa u bërë i mërzitshëm, po bëj një enumeracion të thukët e përmbledhës të arsyeve, që sipas meje, sollën disfatën zhgënjyese e lënduese për ne të djathtët: autoritarizmi piramidal në zhvleftësimin e çdo debati, propozimi apo kriticizmi brenda radhëve; Venitja e kreativitetit të deputetëve dhe ministrave në pushtet. Në raste sporadike kur ky kreativitet apo kriticizëm shfaqej tek-tuk, ai luftohej paceremonishëm, duke i linçuar nga partia, nga grupi parlamentar e në finale – nga lista e kandidatëve; shkëputja, madje harrimi i kontakteve me degët e PD-së në pushtetin lokal, duke u dhënë dorë klikave drejtuese në provinca të ushtrojnë një pushtet arrogant e banal, tërësisht arbitrar, të bazuar nga rrjetet nepotike (këtu e ka bazën psikologjike, mendoj, shumica e votave që iu kundërvunë demokratëve nga brenda); aleancat e panatyrshme në pushtet me një kundërshtar jo të një gjaku politik me demokratët, lëshimi terren kur ata uzurpuan mbi 40% të pushtetit të administratës në bashkëqeverisje dhe, mandej, më e turpshmja, mbrojtja me çdo kusht e tyre, kur kjo tenjë e pushtetit u kap me presh në duar në të ashtuquajturin korrupsion flagrant, të njohur me kasetën filmike Meta-Prifti. Por ajo që e çoi në ad absurdum apo in ekstremis gabimin fatal të PD-së është se në betejën finale të zgjedhjeve, militantët e fushatës së djathtë nuk nxorën goje, makar një fjalë, kundër aleatëve të pabesë, edhe pse tani ishin kundërshtarë; PD dhe Berisha qeverisën me ministra të zhubrosur, të përfolur e dalëboje, që në masën e të djathtëve, përveç stërpërdorjes dhe korrupsionit, perceptoheshin prej kohësh edhe si bij komunistësh në piramidën e shtetit të Enver Hoxhës, dhe si karrieristë të infiltruar në PD, “piranja” të pamëshirshme, të riardhur, pasi e kishin braktisur partinë në ditët e saj më të vështira të vjetit 1997. Shumicës së tyre, nëse perifrazoj fjalët e një veterani të djathtë, “po t’u kruash pak cipën blu, zbulohet një e kuqe e flaktë, e të tillë që në të mund të ndezësh cigaren”; Përfshirja në lista, në prag të përballjes së madhe, e figurave politike të rëndësishme nga kampi kundërshtar, të tillë si Kastriot Islami, Agron Duka etj; Kurora e arsyes së humbjes mendoj se është sjellja ndaj shtresës së ish të persekutuarve dhe ish pronarëve, që janë thuajse e njëjta shtresë. Kjo sjellje, me shtresën më të gjerë numerike, më besnike, më të moralshme e më identare të së djathtës – ka qenë shpërfillëse në shumë aspekte, duke filluar me mospërfaqësimin e tyre në hierarkinë e politikës dhe