E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/Rexhep Qosja: Nuk kam asgjë personale ndaj Berishës

IMG_1794Akademiku i njohur Rexhep Qosja në një intervistë për Rudina Xhungën, në Shqip në Top Channel flet për politikën, letërsinë dhe gjuhën shqipe. Ai flet për politikën shqiptare, kritikat ndaj kryeministrit Berisha, besimin që ka tek opozita. Gjithashtu akademiku jep vlerësimin e tij edhe për debatin e fundit mbi gjuhën standarde.

Kënaqësi që jeni në Tiranë, pas 10 vjetësh. E thyet betimin se nuk do të vinit për sa kohë drejton Sali Berisha?
Po, e theva. Por ka një arsye pse e theva. Shpresoj se Berisha së shpejti nuk do të jetë më kryeministër i qeverisë së Shqipërisë dhe të shpresojmë se nuk do të jetë as kryetar i Partisë Demokratike, për të mirën e Shqipërisë dhe për të mirën e Partisë Demokratike.
Në fakt, do kemi kohë të flasim për politikë, por si fillim dua tju pyes për librin. Isha në promovimin e librit tuaj dhe ishte një sallë e mbushur plot me njerëz, gjë që e pashë edhe në Vlorë kur ju morët titullin Qytetar Nderi i Vlorës. Ju ndjeheni mirë kur kaq shumë shqiptarë të Shqipërisë ju presin, ju duartrokasin, ju duan?
Natyrisht, ndjehem shumë mirë. Kjo do të thotë se një numër shqiptarësh më duan sepse i duan veprat e mia, i lexojnë ato. Unë nuk shkruaj për të ndikuar tek njerëzit me shkrimet e mia, unë shkruaj për të thënë të vërtetën dhe të drejtën. Sigurisht kjo gjë iu pëlqen njerëzve, iu pëlqen tyreve që lexojnë dhe prandaj vijnë të dëgjojnë çfarë thonë të tjerët kur bëhet përurimi i veprave të mia dhe vijnë të më shprehin një nderim që mua më sjell gëzim të madh.
Më ngacmoi diçka në librin tuaj me titullin Shqipëria dhe Kosova, si janë dhe si duhet të jenë. Njëra prej shprehjeve që keni zgjedhur për ti paraprirë librit është nga Alfred de Lamartin, i cili thotë: Nëse arrin që prej një kombi qytetarësh të bëjë një shoqëri të turpshme gënjeshtarësh, nëse e bën atdheun të skuqet për shkak të të këqijave zyrtare, nëse lejon që të fundosemi në tragjedi të vërteta të korrupsionit, nëse lejon që pandershmëria e pushtetit shtetëror të pikëllojë dhe poshtërojë kombin dhe pasardhësit, ky pushtet, të jeni të sigurt që do të përmbyset. Dhe, do të përmbyset jo në gjakun e vet si ai i vitit 1789, por në kurthin e vet. Dhe meqenëse keni pasur revolucionet e lirisë dhe kundër-revolucionet e famës, tani do të keni revolucionin e ndërgjegjes dhe revolucionin e përbuzjes. Ngjan shumë franceze kjo profesor, jo shqiptare.
Një krijues i madh, që ishte njëkohësisht edhe politikan, Alfred de Lamartin, e ka njohur mirë realitetin shoqëror, politik kombëtar, kulturor francez dhe ishte shumë i revoltuar nga gjithë ato shpërfytyrime, formime, degjenerime që ndodhën në pushtetin e Francës pas revolucionit të Madh të 1789. nga ajo revoltë, nga ajo pakënaqësi, pikëllim, dëshpërim i tij, ai ka shkruar ato fjali që, po të jem i sinqertë, dhe ta themi të vërtetën, me keqardhje, i përgjigjen plotësisht një mendësie të shqiptarëve sot. Ato fjali mund të shkruhen për pushtetin shqiptar sot dhe për ato që ngjajnë në politikën shqiptare sot dhe për protagonistët e kësaj politike në Shqipëri. Ato të këqija, ato korrupsione, mashtrime, ato gënjeshtra për të cilat flet Lamartini e me të cilat protagonistët e politikës së Francës e mashtruan popullin, e gënjyen, e fyen popullin francez, e cënuan në jetën e tyre, e shpërfytyruan Francën e madhe me kulturë dhe tradita të mëdha, ato fjali mund të shqiptohen edhe këtu. Po ti lexoni shkrimet e mia, në kohë të buta apo të ashpra, janë thënë edhe këto, edhe këtu në librin tim.
Ka njerëz që ju thonë se ju jeni i Kosovës, pse duhet të flisni dhe të shpreheni kaq shumë për çfarë ndodh në Shqipëri sepse mbase ju nuk e njihni realitetin? Ç është Shqipëria për ju profesor?
Së pari, jo unë, por të gjithë kosovarët e kanë quajtur Shqipërinë, nëna Shqipëri. Ne jemi rritur me këtë fjalë, nëna Shqipëri dhe gjithmonë prej së keqes, prej rrezikut kemi shikuar të shpëtojmë në Shqipëri. Unë po ju them juve sonte, diçka që nuk e kam thënë ndonjëherë. E gjithë familja e të parëve të mi ka ikur në verën 1913 dhe ka gjetur shpëtimin në Shqipëri. Aty babës tim i kanë vdekur të gjithë, vetëm një xhaxha i ka mbetur gjallë. Aty i ra tifoja e morrit, kur ishin mërgimtarë dhe ishin të vendosur në Barbullush me çadra. Të gjithë u sëmurën, pjesa më e madhe kanë vdekur ndërsa babai im, një djalë i ri 22 vjeçar, shpëtoi. Pra, ata ikën dhe e gjetën shpëtimin në Shqipëri dhe të gjithë kosovarët e kanë kërkuar shpëtimin në Shqipëri. E gjithë rinia jonë që ka marrë pjesë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kanë hyrë nëpër burgje duke shqiptuar fjalinë nëna Shqipëri. Shqiptaria ishte atdheu i tyre dhe unë në moshën 15 vjeçare kam shkuar në Prishtinë dhe aty jam rritur, shkolluar, kam kryer fakultetin, jam martuar, kam krijuar familjen time. Por unë them se vendlindjen e kam në një vend por unë jam rritur në Kosovë dhe ajo praktikisht është vendlindja ime por unë them se atdheu im njëkohësisht është Shqipëria. Unë kam atdhe Kosovën por kam atdhe edhe Shqipërinë dhe këto dy atdhe nuk i ndaj, janë një i vetëm për mua dhe prandaj kam përkushtim të njëjtë, dashuri për të dy këto atdhe dhe i shikoj dhe reagoj njësoj ndaj të këqijave që ndodhin atje dhe këtu. Mjerisht, në Shqipëri po ndodhin më shumë të këqija se në Kosovë. Sot, edhe në Kosovë kanë filluar të shtohen të këqijat, të ngjashme me këto në Shqipëri dhe disa gjëra që iu përshtaten kushteve të Kosovës, reagoj ndaj atyre dhe këtyre. Dhe do vazhdoj të reagoj me padurim derisa të ma mbajë penën kjo dorë, domethënë derisa të jem gjallë.
Po ata shqiptarë të Kosovës të cilët vijnë e votojnë në zgjedhjet tona, për Berishën kryesisht, dhe të cilët do vazhdojnë ta bëjnë edhe në zgjedhjet e tjera, po ata a kanë të njëjtin përkushtim për Shqipërinë si ju?
Po, por përkushtimi i tyre ka pasoja të padëshiruara për Shqipërinë, ka pasoja të këqija, të dëmshme. Është një përkushtim që nuk mund të quhet etnikisht i arsyetuar, as politikisht. Është përkushtim që nuk e arsyeton zhvillimi historik i Shqipërisë.
A ka diçka personale në marrëdhënien tuaj të shprehur në libra apo intervista, me Sali Berishën, profesor?
Pse të ketë diçka personale? Njeriu mund të ketë diçka personale 1 minutë, 5 minuta, gjysmë ore, 2 ditë apo tre ditë por nuk mund të ketë me vite. Unë nuk kam asgjë personale kundër Sali Berishës, nuk kam arsye të kem. As kohë nuk kam, me punët që kam, të merrem me gjëra personale kundër tij. Unë kam personale kundër regjimit të Sali Berishës dhe mendoj se ky regjim e ka dëmtuar Shqipërinë, veçanërisht me 1997, po ashtu me 1998 dhe mandej e ka dëmtuar në vazhdimësi, e ka dëmtuar në Gërdec dhe në vrasjen e katër protestuesve. I përmenda këto sepse janë rezultat i një politike të gabuar dhe dëmtuese. Këto janë krime. Populli e ka një fjali të mençur e cila thotë: Nëse shala e vret kalin, fajtor është ai që është në shalë, domethënë i zoti i kalit. Sali Berisha ishte figura kryesore e Shqipërisë kur këto gjëra ndodhën. Epo, nuk mundet të jenë fajtorë figura fare të parëndësishme e të jetë i pafajshëm ai. Epo nuk është e pranueshme që, ajo që ndodhi në Gërdec, të mbajnë përgjegjësi disa njerëz që nuk mund të konsiderohen të rëndësishëm, e të jenë të pafajshëm ata kryesorët që u morën me fatin e armëve, ato që dhanë urdhra se duhej bërë ajo punë, ato që duhej ta dinin sesi mund të zhduken armët disa kilometra larg Tiranës. Epo kjo është e papranueshme sepse në çdo vend tjetër këta njerëz do thërriteshin përpara përgjegjësisë. Nuk mundet të shpallen fajtorë ato që kanë vrarë katër protestuesit, nuk mundet. Një mendje e shëndoshë nuk e lejon këtë. Dikush i vrau këta njerëz, ne duhet ta dimë kush i vrau, si dhe pse i vrau. U vranë katër protestues, në Evropë nuk ndodh diçka e tillë. Ato futen në parlament dhe ask

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›