E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lukunia antiQose e inspiruar nga segmente të politikës së vjetër

Nga Aleksandër Ndoja

Kryetari i Bashkise Rreshen z. Ndue Gega gjate pritjes se Rexhep Qoses dhe MejadanitSapo u lajmërua se akademiku Rexhep Qosja gjatë një turi në Shqipëri përveç Tiranës, do të ndalej edhe në Mirditë, pati reagime të ndryshme, madje dhe në kundërshti të forta me njëra-tjetrën. Të parët ishin ata që nxitonin për të zënë vend në sallën e madhe mbi 300 vendeshe të qendrës kulturore në Rrëshen, për tu takuar dhe dëgjuar mendimin e akademikut Rexhep Qose, ndërsa një kategori tjetër, krejt e pakët në numër bluante predha tymuese në blogje interneti, të denja vetëm për gjirizet e llumnajës intolerante e arkaike, që ende gëlon si dhuratë e së shkuarës së largët apo të afërme. Rexhep Qose anti-shqiptar, Qose kundër Kadaresë dhe europianizimit. Qose antikatolik dhe për pasojë nuk ka vend në Mirditë etj.
I gjendur në këtë trysni dhe disi i habitur, nuk më mbeti tjetër veçse ti bëja një pritë për ta pyetur konkretisht akademikun e shquar se çfarë kishte ai me Mirditën, mirditasit apo dhe Kadarenë. E dija që akademiku i shquar i shqiptarëve kishte një listë të gjatë botimesh prej 25 veprash që nisin me Vdekja me vjen prej syve të tillë dhe deri tek vepra më e fundit Shqipëria dhe Kosova, si janë dhe si duhet të jenë, të gjitha të botuara tek shtëpia botuese Toena, pa folur për botimet e Tij më të hershme, në Prishtinë e kudo. E dija se përveçse akademik, Rexhep Qose është kontribuues i çështjes sonë kombëtare, duke qenë edhe në kryesinë e delegacionit të Rambujesë ku u vulos fati i shtetit të pavarur të Kosovës, por edhe si drejtues i disa institucioneve që kanë të bëjnë më shumë me artin dhe kulturën. Kisha ndjekur debatin e Tij me Kadarenë, por edhe se kisha qenë dhe jam në anën e këtij të fundit, e dija që debati bëhej mes dy kolosëve të letrave shqipe, pasi asnjëri veç e veç nuk mund të debatojnë me llumërat blogjiste të lirisë së shfrenuar online. Mendja me mbeti sidomos te disa komentues të të reformuar që bënin thirrje që armiku i Mirditës të mos hyjë atje, se do ishte mëkat. Mu kujtua se baballarët e këtyre artikuluesve me emër e mbiemër, me dorën e tyre, në emër të ideologjisë komuniste kishin pushkatuar mirditorë, i kishin qeverisur me dorë të hekurt, dhe kishin marrë përfitimet e kohës, jo në emër të korrupsionit siç ndodh sot, por në emër të gjakut dhe jetëve. Habitem edhe sot se pse këta pseudomirditas qe veshin tis-in e pseudokatolikut, heshtën apo harrojnë se Saliu i tyre ka mbushur edhe në këto momente përrenjtë e luginës së Fanit me qindra turq në ndërtimin e një hidrocentrali, madje janë vendosur tabela të shumta në gjuhën turke gjatë gjithë rrugës, ndërsa kohë më parë kjo luginë u mbush me plot dymijë flamuj turq në pritje të Erdoganit për inaugurimin e Rrugës së Kombit.

Atëherë përse akademik Rexhep Qose nuk duhej të hynte në Mirditë sipas këtyre shpëtimtarëve të Mirditës, çfar i kishte bërë ai Mirditës dhe kush i ka bërë dëm Mirditës, këta që kanë vrarë mirditas dhe sot qajnë me lot krokodili, apo Rexhep Qose?
Përgjigja e parë vjen sapo nisësh të shfletosh librin më të fundit, Shqipëria dhe Kosova, si janë dhe si duhet të jenë. Po, po, Rexhep Qose duhet të shpallet heretik, duhet të mos lejohet të prekë Mirditën dhe as Shqipërinë. Po, po, Rexhep Qose ka bërë mëkat, ka thënë të vërtetën. Në veprën e Tij shkruhet e bardha mbi të zezë që në faqen 16: Shqipëria do të bëhet shtet normal, domethënë shtet i shëndoshë vetëm kur të çlirohet prej patologjisë politike, që quhet Sali Berisha Ben Alia shqiptar, të cilit nuk i mjaftojnë 20 vite pushtet despotik në Shqipëri!. Sapo e dëgjova këtë Ben Ali duke gënjyer për demonstratën. Çadra pistoletë! Stilolapsa pistoletë! Thika helmuese! Për imagjinatën gënjeshtare të kryeministrit, protestuesve u munguan vetëm kaqushat e Luftës së Dytë Botërore shprehet Qose. Pra ai nuk meriton asgjë, se nuk e krahason kryeministrin me Skënderbeun, ashtu si disa bashkëqytetarë të tij, që ende vuajnë sidomos nga sindroma e Stokholmit, apo kulti i individit.

E ndërsa Akademiku i urtë Qose vjen në Mirditë, nuk bën asnjë përpjekje për ti shpëtuar pritës. I qetë dhe shumë i qartë, shpërndan tymnajën për akuzat imagjinare.
Duke folur për Mirditën, Akademik Rexhep Qosja u ndal kryesisht në dy figura, tek ajo e Abat Prend Doçit dhe e Dom Nikoll Kaçorrit. Duke vijuar më tej, Rexhep Qose tha se Mirdita është një krahinë që ka nxjerrë ndere e dinjitete të lavdishme që e ka nderuar kombin shqiptar. Duke u ndalur si studiues i letërsisë, Akademiku Qose tha se Mirdita ka lindur Prend Doçin një rilindas i madh, Mirdita ka lindur Dom Nikoll Kaçorrin, këtë figurë të madhe e Rilindjes Kombëtare, i cili është njëri prej nismëtarëve, njëri prej ideologëve të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare i cili ka qenë në të gjitha nismat që kanë sjellë pavarësinë e Shqipërisë.
Në vijim, pasi Rexhep Qose u informua se Mirdita në 99% të territorit të saj i përket religjionit katolik, ai tha se më së pari unë jam vetë me prejardhje katolike, jam vuthjan, i përkas në vijë të drejtë Gjon Balës, i cili ka ardhur prej Kelmendit dhe është vendosur në Vuthaj. Aty janë dy fshatra katolike, njëri është quajtur Vishnjeva, dhe një fshat tjetër quhet Dolm.
E dyta, koncepti im e ndoshta nuk është mirë për mua, por unë nuk e ndjej veten njeri fetar. Unë kam theksuar një gjë, ne e kemi fenë tonë, është shqiptaria. Ky është besimi im, nuk jam fetar. Unë e kam theksuar se nëse shqiptarët përfaqësojnë shumë ndarjet fetare, kalojnë në ideologjinë e shpërbërjes, e theksoj të shpërbërjes.

Feja është një e drejtë themelore njerëzore, nuk kemi të drejtë të bëjmë vërejtje për fenë që zgjedhin njerëzit, por nuk kemi të drejtë edhe tua imponojmë fenë. Këtë e kam theksuar në një libër dhe ma kanë prit keq. Unë nuk jam dhe për futjen e mësimit të fesë nëpër shkolla, pasi na bie që ti ndajmë nxënësit, sipas feve që praktikojnë.
I pyetur se si do i përgjigjes atij opinioni që shprehet se ju jeni përkrahës i ideve që vijnë nga Orienti, akademik Rexhep Qose tha se për këtë më mirë flet vepra ime, e jo ata që mendojnë kështu. Atyre u them urdhëroni e lexoni veprën time. Në lidhje me idetë e hedhura sipas të cilave shqiptarët duhet me ju kthyer fesë së parëve, Qose thotë se ai që do është mirë ti kthehet, por zyrtarisht, shtetërisht, administrativisht, nuk kemi të drejtë tua kërkojmë. Ajo është çështë individuale e cilitdo, por dhe përdorimi i fëmijëve si për çështë fetare, por edhe politike është i pa pranueshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›