IRAK – Kryeministri Sudani: Çarmatimi i fraksioneve pas largimit të forcave shumëkombëshe

BAGDAD, 6 nëntor /ATSH/ – Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, deklaroi se qeveria e tij synon t’i vendosë të gjitha armët nën kontrollin e shtetit, por kjo do të jetë e mundur vetëm pasi të largohet koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja, të cilin disa fraksione e shohin si forcë pushtuese, sipas “Reuters”.
Ai theksoi se prania e forcave të huaja nuk ka më arsye, pasi rreziku nga Shteti Islamik është zhdukur. “ISIS nuk ekziston më, falë Zotit kemi siguri e stabilitet; atëherë përse duhen 86 shtete në Irak (duke iu referurar numrit të trupave shumëkombëshe?”, tha Sudani.
Sipas tij, plani për tërheqjen e plotë të koalicionit shumëkombësh mbetet në fuqi dhe pritet të përfundojë deri në shtator 2026, ndërsa pas largimit të trupave do të nisë një program për çarmatimin e çdo grupi të armatosur jashtë institucioneve shtetërore.
“Do të ketë një plan të qartë për t’i vendosur të gjitha armët nën kontrollin e shtetit”, tha ai, duke shtuar se grupet mund të përfshihen në forcat zyrtare të sigurisë ose të hyjnë në politikë.
Iraku po përballet me presione nga SHBA-ja për të çarmatosur milicitë e mbështetura nga Irani, pjesë e “Forcave të Mobilizimit Popullor” (PMF), të integruara formalisht në ushtri, por që ende ruajnë lidhje të forta me Teheranin.
Sudani tha se vetëm shteti mund të vendosë për “luftë dhe paqe” dhe se “asnjë palë nuk mund ta tërheqë Irakun në konflikt”. Ai theksoi se situata në Irak është ndryshe nga ajo e Libanit dhe se vendi është i vendosur të ruajë stabilitetin.
Që nga rrëzimi i Sadam Huseinit në vitin 2003, Irani ka fituar ndikim të madh në Irak, ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme janë përpjekur të ruajnë ekuilibrin midis Teheranit dhe Uashingtonit.
Ndërkohë, Sudani tha se marrëdhëniet ekonomike me SHBA-në po forcohen dhe se kompanitë amerikane po hyjnë fuqishëm në Irak”, përfshirë marrëveshjen më të madhe ndonjëherë me “General Electric” për 24 000 megavat energji elektrike.
Sudani, që garon për një mandat të dytë në zgjedhjet e 11 nëntorit, është paraqitur si “ndërtuesi i Irakut”. Ai theksoi se ka përfunduar mbi 2 500 projekte të mbetura pezull nga qeveritë e mëparshme, ndërsa buxheti i tij trevjeçar prej mbi 150 miliardë dollarësh është më i madhi në historinë e vendit. “Iraku është një vend i pasur me shumë burime,” përfundoi ai, “por rreziku më i madh është vonesa në zbatimin e reformave”. /Ad.Ab./