E Diel, 1 Nëntor 2026

Festohet sot Fiter Bajrami, mijëra besimtarë në shesh për ritin e faljes

Tiranë- Besimtarët myslimanë përmbyllën mbrëmë në darkë me iftarin e tyre të fundit, muajin e shenjtë të Ramazanit. Pas një muaji adhurim ndaj Zotit, agjërimi dhe përkushtimi ndaj Islamit myslimanët kremtojnë sot Ditën e Fitër Bajramit, ndërkohë që kanë kryer ritin e faljes në orën 6:30 në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Pas faljes së namazit të mëngjesit, festa e besimtarëve muslimanë vijon me drekën e Bajramit dhe me vizita tek miqtë dhe të afërmit, duke uruar më shumë begati dhe harmoni.

Kryeministri Berisha shtroi mbrëmë një iftar, në shenje respekti për këtë muaj të shenjtë dhë besimtarët muslimanë në vend, ku morrën pjesë të gjithë drejtuesit e komuniteteve fetare.

Të ftuar në iftarin e kryeministrit ishin përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kryetari i këtij komuniteti Haxhi Selim Muça, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, myfti, imamë, intelektualë islamë e drejtues të tjerë të bashkësive fetare në vend.

Gjatë këtij muaji edhe institucione të ndryshme dhe organizata kanë shtuar iftar falas për këtë muaj të shenjtë.

Sakaq dje për këtë  ditë të shënuar ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça.

Tashmë po dalim nga muaji më i dashur dhe miku më i njohur ndër myslimanët Ramazani, muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe favori hyjnor.

Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet tuaja.

Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Festimi i ditëve të Bajramit i inkurajon myslimanët për angazhime të mëtejshme dhe krijimin e një të ardhme më të mirë e më të lumtur. Kremtimi i kësaj feste i jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote.

Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, afrimitet, paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.

I uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta jetojnë gëzuar këtë festë. Paçin mirësi e begati dhe Zoti ua pranoftë agjërimin dhe adhurimet që kanë kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.

Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë,-tha dje Muça në urimin e tij.

Edhe në Kosovë besimtarët muslimanë kanë falur sot namazin e Bajramit ndërkohë që manifestimi qendror kushtuar festës së Fitër Bajramit në Kosovë u mbajt në Xhaminë Sulltan Mehmet Fatih në Prishtinë.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›