E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP: Mbi 13 % e fëmijëve vdesin nga aksidentet rrugore

Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur dje se, 13 % e fëmijëve kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore. Nga vëzhgimet e kryera ka rezultuar se, fëmijët janë më të rrezikuar, pasi pjesa më dërrmuese e shkollave 9-vjeçare është e ekspozuar ndaj rreziqeve të qarkullimit rrugor. “Më të riskuarat janë shkollat: “1 Maji”, “Vasil Shanto”, “Sabaudin Gabrani”, “Shkolla e Kuqe”, “Ali Demi”, “Kongresi i Lushnjës” etj”, - tha dje Boris Miska, përfaqësues i Departamentit të Edukimit dhe Promocionit të Shëndetit, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në shkollën 9-vjeçare “1 Maji”, në kuadër të Javës së Sigurisë Rrugore (10-17 maj), me sloganin “Rritja e sigurisë rrugore pranë shkollave”.

Sipas tij, aksidentet në kryeqytet ndodhin si pasojë e mungesës së sigurisë rrugore, humbje kohe në trafik, zgjatjes së arritjes në destinacion, shtimit të ndotjeve të ajrit për shkak të çlirimit të gazrave të dëmshme, etj. “Të gjitha së bashku ndërthuren në një pikë dhe kanë si shkak trafikun rrugor”, - tha Miska.

ISHP rekomandon që nëpërmjet programeve mësimore në shkolla të zgjohet vëmendja tek femijët, që ata vetë të kërkojnë përmbushjen e standardeve të sigurisë pranë rrugëve të shkollave, me synim që nga subjekt aksidentesh të kthehen në aktor të përmirësimit dhe administrimit të jetës së tyre.

Sipas ISHP-së, aksidentet shkaktohen, sepse në afërsi të ambienteve shkollore mungon sinjalistika specifike rrugore dhe fëmijët në dalje të shkollës përballen direkt me mjetet motorike, për shkak se dyert janë me pamje nga akset me intensitet të lartë lëvizjeje. Po ashtu, mungojnë mbikalime apo lehtësira që eliminojnë në maksimum rreziqet nga aksidentet.

315 viktima në vit

Rreth 315 vetë humbin jetën çdo vit si pasojë e aksidenteve rrugore që ndodhin në shkallë vendi, ndërsa nga viti 1991 dhe në vazhdim kanë ndodhur rreth 10 mijë aksidente, me afro 5 mijë viktima.

Numri i viktimave të shkaktuara nga aksidentet rrugore u bë i ditur me rastin e javës së sigurisë rrugore, 10-17 maj. Sipas të dhënave, Tirana regjistron numrin më të madh të automjeteve në qarkullim dhe për pasojë edhe numrin më të madh të aksidenteve rrugore.

Numri i të plagosurve, sipas të dhënave të ISHP-së, në tre vitet e fundit është disa herë më i madh se ai i të vdekurve. Meshkujt me moshë 25-45 vjeç përbëjnë numrin më të madh të autorëve të aksidenteve, të ndjekur nga ata me moshë nga 18-25 vjeç, një fakt që sipas ISHP-së korrespondon edhe me raportin e OBSH-së.

Pjesa më e madhe e aksidenteve rrugore në Tiranë regjistrohen nga automjetet e tipit veturë dhe kryesisht nga ora 12.00-20.00. Shkak kryesor i aksidenteve është shpejtësia tej normave të parashikuara në kodin rrugor dhe pakujdesia e këmbësorëve. Të ndara sipas shkakut, aksidentet klasifikohen: shpejtësi 24%; të ndryshme 19%; pakujdesia e këmbësorit 21%; pakujdesia e biciklistit 4%; larguar nga vendngjarja 10%; humbje kontrolli 18%; defekt teknik 2%; konsumim alkooli 3%.

Drejtuesit e ISHP-së theksojnë se krijimi i hapësirave për të lëvizur në këmbë e me mjete ekologjikisht të pastra, jo vetëm që do të rrisë sigurinë rrugore, por do të ketë edhe impakte pozitive në cilësinë e ajrit e në treguesit globalë të shëndetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›