E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano dhe nanoistët largohen zyrtarisht nga grupi parlamentar i PS

Ish-kryetari i PS, Fatos Nano, ka mbetur jashtë grupit parlamentar të PS, pasi ai nuk është paraqitur pranë zyrës së grupit parlamentar të kësaj partie për të firmosur si anëtar i grupit parlamentar të PS. Pas refuzimit që ai i ka bërë deklarimit në listën e deputetëve të PS, ish-kreu socialist nuk ka vendosur ende firmën e tij si anëtar i ndonjë grupi tjetër parlamentar. Përveç Nanos, në listën e deputetëve të PS mungojnë edhe deputet të tjerë të kësaj partie, të cilët njihen si kundërshtarë të Ramës apo mbështetës të Nanos në PD. Në listën e deputetëve socialistë mungojnë shumica e deputetëve të njohur si kundërshtarë të Ramës në PS, përfshi këtu edhe të gjashtët, deputetët që votuan pro zgjedhjes së Bamir Topit president i vendit. Kjo për arsye se këta deputetë janë përjashtuar me vendim të forumeve të larta drejtuese të PS. Ndër deputetët, firma e të cilëve mungon në listën e deputetëve të grupit parlamentar të PS, është edhe drejtuesi i Lëvizjes për Politikë Institucionale në PS, Petro Koçi, i cili gjithashtu nuk është paraqitur pranë grupit për të firmosur qëndrimin e e tij në këtë grup parlamentar. Sot përfundon edhe afati për regjistrimin e deputetëve në grupet e tyre parlamentare përkatëse, procedurë që përsëritet në çdo nisje sesioni parlamentar. Kjo procedurë duhet të ishte kryer që në shtator, por ishte shtyrë nga Kuvendi deri në gjysmë të muajit maj.

Deputetët, të cilët nuk kanë firmosur ende në listën e grupit parlamentar socialist, prej nga janë zgjedhur si deputetë, nuk dihet se çfarë drejtimi do të marrin. Nuk ka ende konfirmim për një lëvizje të tyre drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe pse shenjat për një lëvizje të tillë i kanë dhënë disa prej këtyre deputetëve. Petro Koçi prej disa javësh është shfaqur bashkë me Ilir Metën në aktivitetet e tyre të përditshme politike, siç është fushata kundër PD e PS për ndryshimet në Kushtetutë. Burime pranë LSI konfirmojnë nga ana tjetër se pranë grupit të tyre parlamentar do të afrohet një pjesë e konsiderueshme e deputetëve socialistë, të mbetur të “pastrehë” pas largimit të tyre nga grupi parlamentar socialist. Kryetari i LSI, Ilir Meta, është shprehur se LSI do të jetë strehë e të gjithë socialistëve të ndërgjegjshëm, sipas tij, të cilët nuk pajtohen me politikat e kryetarit aktual të PS, Edi Rama, pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve në Kushtetutë, të kundërshtuara fort nga LSI. Madje, prej disa ditësh ka nisur një betejë ndërmjet dy partive në drejtim të marrjes së anëtarëve të partisë nga partitë kundërshtare. Pak ditë më parë, në qytetin e Fierit, një prej ish-zyrtarëve të PS deklaroi largimin e 250 anëtarëve të kësaj partie dhe anëtarësimin e tyre në PS. Kjo u kundërshtua nga drejtuesit e LSI, të cilët thanë se shifra është e pavërtetë dhe deklarata ishte abuzive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›