Procesi për zhdukjen e Remzi Hoxhës, shtyhet seanca e parë
Seanca e parë në ngarkim të ish-kreut të SHIK në kryeqytet dhe aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, i cili akuzohet për zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit, Remzi Hoxha, është shtyrë. Shkak për këtë është bërë mosinformimi i dy të pandehurve të tjerë për fillimin e këtij procesi, Ilir Kumbaro dhe Budjon Meçe, të parit prej të cilëve nuk i dihet vendndodhja, ndërsa Meçe ndodhet i shtruar në spital, në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë, përveç Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, në sallën e gjyqit ka qenë i pranishëm edhe i akuzuari tjetër, Avni Koldashi. Seanca e djeshme ka zgjatur vetëm pak minuta, ndërkohë që kreu i trupit gjykues, Xhelal Elezi, ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet pas dy javësh, me qëllim njoftimin e dy të pandehurve të tjerë, Ilir Kumbaro dhe Budjon Meçe. Ndërkohë, për Kumbaron mësohet se është duke u përgatitur nga ana e prokurorisë edhe dosja me materialet e nevojshme për kërkimin dhe ekstradimin e tij, duke qenë se dyshohet që ai ndodhet që prej 10 vjetësh në Londër. Mungesa e tij, duke qenë se ai nuk ka caktuar edhe avokat mbrojtës, e bën të pamundur vazhdimin e procesit gjyqësor për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini dhe tre ish-drejtuesit e Shërbimit Informativ Kombëtar, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe, akuzohen se kanë rrëmbyer e më pas torturuar biznesmenin Remzi Hoxha. Ndërkohë, përveç kësaj akuze, ata do të procedohen edhe për rrëmbimin e Avdyl Loshaj, akuzë e cila të pandehurve iu është komunikuar vetëm para pak kohësh, teksa njiheshin me caktimin e masës së sigurisë. Katër të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Rrëmbimit të personit” dhe “Torturës me pasoja të rënda”. Sipas hetimeve organit të akuzës, të katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK, në vendin e quajtur Vajin të rrethit Lezhë. Aty janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit nuk është gjendur ende.