ISHP: Në vendin tonë gripi i derrit ka prekur 66 persona
TIRANE-Numri i personave që aktualisht janë prekur nga gripi i derrave, AH1N1, në vendin tonë, ka shkuar në 66 raste. Deklarata është bërë nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Enver Roshi, i cili jo vetëm ka bërë një pasqyrë të situatës, por ka deklaruar se në laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik shkojnë çdo ditë me qindra mostra që u nënshtrohen ekzaminimeve. Roshi ka deklaruar se nuk duhet ngatërruar virusi i zakonshëm nga pandemia e gripit të derrit, pasi ata janë krejtësisht të ndryshëm. "Vendi ynë nuk është në epidemi dhe për të marrë masat sa më të shpejta, analiza për këtë virus është falas", - ka deklaruar drejtori i ISHP-së, Enver Roshi. Duke qëne në një situatë monitorimi, Roshi kërkoi nga të gjithë qytetarët të drejtohen menjëherë tek mjeku i familjes, duke mos neglizhuar asnjë shenjë të gripit, pasi ai mund të shoqërohet me komplikacione. Sipas kreut të ISHP-së më të ndjeshëm mbeten të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, personat të cilët kanë qenë më parë të sëmurë.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)