ISHP kalon në sitë klubet e natës, kritere të forta për licencat
Pronarët e lokaleve pasi të kenë investuar në godinë për të izoluar depërtimin e zhurmave jashtë, duhet të paraqiten pranë agjencisë rajonale të mjedisit për tu pajisur me leje mjedisore,e cila i kërkon Institutit të Shëndetit Publik të bëjë matjet e duhura për nivelin e zhurmës që dëgjohet. Ndërsa në ambiente të hapura muzika është e ndaluar dhe këto lokale nuk mund të qëndrojnë hapur pas orës 23.00 .Natën zhurma nuk duhet të kalojë nivelin e 35 decibel, që është përcaktuar edhe nga OBSH, thotë Mirela Shijaku, fizikante në ISHP. Në një studim të bërë 50% e banorëve të kryeqytetit kanë rezultuar me probleme e për këtë arsye janë evidentuar në shumë rast nga ekzaminimet e bëra me stres apo në shumë raste të tjera është shtuar kohët e fundit edhe përdorimi i kapsulave për stimulim të gjumit dhe prishje të dëgjimit për shkak të zhurmave akustike, ndërsa 72% e tyre vuajnë nga pasojat e zhurmave të trafikut urban. Ndotja akustike në Tiranë ka arritur në nivele të tilla sa rrezikon të kthejë në invaliditet nga dëgjimi disa kategori punonjësish më të ekspozuar si policët e qarkullimit rrugor dhe shitësit ambulante. Por jo vetëm kaq. Problemi më i madh është për banorët të cilët banojnë në zonën ku janë aktualisht klubet e natës e sidomos në ish bllok e në qendër të kryeqytetit ku ndotja akustike është kthyer në një shkaktar i cili përpos bezdisjes është kthyer edhe në makth për qytetarët të cilët kanë shtëpitë në katet e sipërme, të kubeve e diskotekave të shumta. Alarmi vjen nga mjekët otorino të cilët kërkojnë masa konkrete për reduktimin e ndotjes akustike. Në një studim të fundit të Institutit të shëndetit publik Tirana renditet si kryeqyteti më i zhurmshëm në Evropë. Zhurmat e padëshirueshme rritin presionin, shkaktojnë lodhje, ulin gjumin, rritin stresin, ndikojnë negativisht në tretje dhe pengojnë përqendrimin. Njerëzit që banojnë në zona me ndotje të lartë akustike si p.sh aeroportet, kanë një rrezik më të madh për hipertension krahasuar me ata që jetojnë larg tyre. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vlera komuniteti, ndotja akustike ul produktivitetin, aftësinë për të mësuar, rrit aksidentet, rrit asenteizmin dhe kontribuon në përdorimin e barnave narkotike. Në vendin e punës, zhurmat në kombinim me kompleksitetin e punës çojnë në një rritje të sëmundjeve kardiovaskulare si rezultat i rritjes së presionit.
200 të rinj në fshatrat e Vlorës braktisin shkollën nga varfëria
Rreth 200 nxënës që kanë mbaruar ciklin 9- vjeçar në fshatrat e Vlorës nuk janë regjistruar në shkollën e mesme. Kushtet e vështira ekonomike kanë bërë që prindërit ti punësojnë fëmijët duke i hequr përfundimisht nga bankat e shkollës. Drejtori i drejtorisë arsimore të Vlorës, Petro Kutulla propozon si zgjidhje për këtë kategori shkollat profesionale. "Do t'ju bëja thirrje gjithë nxënësve, që ndoshta jo për fajin e tyre ose për moskujdese që nuk kanë përparim të mirë mësimi në shkollat e tyre, do të doja që ata të orientoheshin drejt shkollave profesionale sepse ata në shkollat profesionale mund të kenë dhunti të ndryshme. Dikush mund të merret me automobilat, dikush me elektronikën, dikush tjetër me një profesion tjetër sepse profesionet sot janë bërë gjëja më e domosdoshme dhe gjëja më e garantuar për të gjetur vendin e punë" tha Kutulla. Drejtori Kutulla iu bën thirrje prindërve të bëhen palë me strukturat e arsimit për të luftuar këtë fenomen negative pasi do të ketë ndikim shumë të madh në shoqëri vitet që vijnë.
Velipoja pushtohet nga privatët, mungojnë hapësirat publike për pushuesit
Plazhi i Velipojës duket sikur është pushtuar në çdo metër katror të tij nga tregtarët ndërkohë që një prej problemeve për pushuesit, është mungesa e hapësirave publike. Vija bregdetare e Velipojës me gjatësi prej rreth 10 kilometra, këtë sezon ndryshe nga gjithë vitet e tjera është thuajse e mbushur me shezlone. Në pjesën më të madhe të saj sheh vetëm rrethime apo parcela të krijuara nga subjektet private, duke mos lënë hapësira publike. Sipas pushuesve kjo situatë është e padrejtë, pasi shumë prej tyre nuk kanë mundësi të paguajnë çmimet e çadrave të cilat variojnë nga 300 deri në 500 lekë. Ndërkohë për pushuesit mbetet problem mungesa e pastërtisë apo edhe ambienteve publike për argëtim. Ndërkohë kreu i komunës paralajmëron se shumë shpejt do të nisë aksioni për lirimin e plazheve publike. Zaptimi i bregdetit të Velipojës nga shezlone private ishte temë diskutimi edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Shkodrës që ngjalli mjaft debat mes këshilltarëve të forcave politike. Këshilltarët e majtë i kërkuan Këshillit Bashkiak që të reagojë zyrtarisht përmes një shkrese drejtuar prefektit të qarkut, që komuna Velipojë të rishikojë lejet e dhëna për shezlonet dhe rishikimin e hapësirave publike për pushuesit ditorë dhe rezidencialë që nuk kanë kushte ekonomike për përballimin e kostove të shezloneve.