QSUT, sallat e operacionit në mjerim, pacientët blejnë dhe gjilpërat e anestezisë
Sallat e operacionit në QSUT janë prej disa muajsh në pikë të hallit, pa medikamente e gjilpëra ndihmëse për anestezinë lokale për pacientët të cilët duhet të operohen. Përpos kësaj mungojnë edhe një sërë gjilpërash të tjera që ndihmojnë të sëmurin për mos
të marrë ndonjë infeksion të mundshëm. Mungesa e kushteve higjieno-sanitare është pranuar edhe nga një prej mjekëve të spitalit nr 1 i cili tha për gazetën SOTse nga vonesa e tenderimeve për medikamentet e QSUT-së të gjitha rezervat e spitalit janë drejt fundit. Sipas mjekut specialist numri i madh i operacioneve që kryhen në ditë, mungesa e mjeteve të filtrimit të ajrit, mungesa e respiratorëve, mungesa e kontrollit për cilësinë e higjienës në ambientet spitalore, prezenca e mykut dhe lagështisë dhe mungesa e dezifektantëve janë shqetësimet më problematike të cilat janë kthyer prej muajsh në ankth edhe për pacientët apo të afërmit e tyre. Kohët e fundit nga vëzhgimet e gazetës është vënë në shumë raste re se përpara një operacioni janë vetë të afërmit e pacientëve të cilët duhet të vrapojnë në farmacitë përreth spitalit për të gjetur gjilpërat apo medikamentet ndihmëse të cilat shërbejnë për kryerjen e operacionit. Kjo gjë vjen si pasojë e mungesave të theksuara në sallat e operacionit të medikamenteve ndihmëse apo gjilpërave të anestezisë. Kështu në këtë kontekst, vetë familjarët e të sëmurëve kanë deklaruar për gazetën se tashmë spitali është kthyer në një katrahurë ku duhet të blesh gjithçka privatisht që prej pambukut e serumit e deri tek gjilpërat e anestezisë. I pyetur ditën e djeshme për gazetën Dritan Kopliku një prej të afërmve të një pacienti i cili kishte mbërritur me urgjencë në QSUT, për tu operuar tha se, mjekët e urgjencës i kishin kërkuar ti blinin të gjitha medikamentet. Sipas tij këto gjilpëra nuk i kishin gjetur as në farmacitë përreth spitalit dhe duhet të shkonin të kërkonin në farmacitë e tjera në kryeqytet. Jo pak herë alarmi për rrezikun e infeksioneve që mund të marrin pacientët në sallat e operacionit në pavijonin e Kirurgjisë së Përgjithshme dhe të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë është bërë publik nga vetë mjekët e jo vetëm kaq.
Infeksionet
Kushtet higjieno-sanitare të sallave të operacioneve, jo vetëm që nuk i përmbushin standardet e duhura, por ambientet e tyre janë burim tepër real për marrjen e infeksioneve të tjera nga pacientët e sapo operuar. Kështu, mjekët vetë e kanë pranuar se sallat ku kryhen operacionet në pavijonin e Kirurgjisë së Përgjithshme apo Kardiokirurgjisë, janë të tej ndotura me baktere shumë të rrezikshme, jo vetëm për pacientët, por edhe për vetë stafin mjekësor. Ndërkaq, edhe po tu referohemi të dhënave sipas specialistëve, të qendrës për infeksionet spitalore, rreth 70% e pacientëve që shtrohen apo operohen në QSUT, marrin një infeksion të dytë. Problemi qëndron në faktin se kjo situatë është bërë e zakonshme dhe nuk po merren masa serioze për sterilizimin e sallave të operacionit para se të behën ndërhyrjet kirurgjikale. Megjithatë situata më problematike ndodhet në Spitalin Nr. 2 apo Kirurgjinë e përgjithshme, ku sallat e operacionit, përveç se janë në kushte higjieno-sanitare skandaloze, infrastruktura e tyre është tepër e vjetruar dhe e amortizuar. Përveç mungesës së aspiratorëve për filtrimin e ajrit në këto salla, herë-herë mungojnë edhe dezinfektuesit dhe detergjentet në pavijon. Gjithashtu, sipas mjekëve, stina e verës në të cilën jemi tashmë favorizon më tepër mundësinë e marrjes së infeksioneve, pasi mikrobi i rrezikshëm, stafilokoku, gjen terren të përshtatshëm për tu shumuar dhe përhapur në temperatura të larta, sidomos kur shoqërohet nga mungesa e kushteve higjieno-sanitare.
Arta AGOLLI