Nevina Shtylla: Po jetoj një ëndërr, nuk e prisja kurorën e bukurisë
Kalaja e Gjirokastrës ka bekuar bukuroshen e radhës të Miss Shqipëria. Ajo është Nevina Shtylla nga Tirana, e cila është vetëm 16 vjeçe dhe për një vit do të jetë ambasadorja e bukurisë shqiptare, në të gjitha evenimentet e spektakleve të bukurisë në botë. Vajza me numrin 29 Nevina Shtylla u shpall Miss Shqipëria 2010,
ku u kurorëzua si mbretëresha e bukurisë shqiptare mes 32 konkurrenteve. Nevina Shtylla, 16-vjeçarja gjimnaziste e shkëlqyer në mësime në vitin e dytë në shkollën Ismail Qemali, me origjinë nga Korça dhe banuese në Tiranë, fitoi kurorën e edicionit të 12-të të këtij konkursi të bukurisë. Sfilimi i 32 bukurosheve çeli spektaklin Miss Shqipëria, ku përzgjedhja e parë veçoi 10 vajzat më të vlerësuara për sharmin e tyre, të cilat vijuan konkurrimin deri në shpalljen e fitueseve. Mes 32 konkurrenteve të ardhura nga të gjitha krahinat shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve, por edhe vende perëndimore, kurora këtë vit i shkoi 16- vjeçares Shtylla, e cila akoma nuk po arrin ta besojë që këtë vit është pikërisht ajo që mban në kokë kurorën e më të bukurës. Në një intervistë dhënë për gazetën SOT 16 vjeçarja rrëfen se si nisi udha e saj në këtë event bukurie. Nuk e mendoja se do të isha unë ajo që do të fitoja këtë konkurs bukurie, pasi kishte vajza shumë të bukura, nuk e prisja të fitoja, tregon mes emocioneve Miss Shqipëria 2010. Ajo pohon se pjesëmarrja e saj në këtë konkurs bukurie është mbështetur shumë dhe nga familja e saj, e cila ka qenë dhe një shtysë që ajo të merrte pjesë tek ky event, duke treguar se ata i kanë ndenjur pranë në çdo moment gjatë konkursit. Me prindërit kam ardhur edhe tek përzgjedhja që u bë. Unë kam babain që më qëndron pranë, edhe pse duhet të ishte me pushime, po ashtu dhe vëllai im që është dy vjet më i madh se unë kujdeset shumë për mua. Ndihem shumë e lumturuar që bukuria dhe fati u takuan tek unë. Ky çmim më takon jo vetëm mua, por edhe prindërve të mi, të cilët më ndoqën hap pas hapi, tregon ajo për familjen saj. Shtylla mendon se pavarësisht çmimit ajo do të jetë njësoj, por është e ndërgjegjshme se portat janë hapur për shumë projekte të tjera. Jam akoma e pavendosur për të ardhmen, pasi jam ende 16 vjeçe, thotë me modesti Miss Shqipëria 2010.
-Vetëm pak ditë pas shpalljes si Miss Shqipëria 2010. Si ndihesh?
Jam shumë e emocionuar dhe ishte diçka e re, e papritur për mua, por pak nga pak kam filluar që ta marr veten. Ishte një eksperiencë e re, ku u ndjeva shumë mirë. Po jetoj një ëndërr, nuk e prisja kurorën e bukurisë.
-E ndjenit konkurrencën mes vajzave pjesëmarrëse?
Besoj se ka pasur shumë vajza të bukura, por dhe unë kisha hyrë për një eksperiencë të re dhe nuk kisha si qëllim fitimin e kurorës. Konkurrencën nuk është se e ndjeva dhe aq shumë. Komunikimi me vajzat në këtë konkurs ka qenë shumë i thjeshtë, kaluam bashkë disa ditë, dhe ruaj shumë kujtime me to dhe shpresoj se këto do të jenë dhe kujtimet më të bukura që unë do të kem nga konkursi Miss Shqipëria 2010.
-Si u ndjetë në momentin, që ju dëgjuat emrin tuaj si Miss Shqipëria 2010?
Nuk e mendoja se do të isha unë ajo që do të fitoja këtë konkurs bukurie, pasi siç thashë kishte vajza shumë të bukura, nuk e prisja të fitoja. Kisha shumë emocione.
-Urimet e para nga ju erdhën?
Urimet e para sigurisht që ishin nga familja ime, e cila ishte atë natë atje. Familja ime më ka përkrahur që në fillimet e mia në këtë event bukurie, dhe në momentin që unë fitova, urimet e para ishin nga familja.
-Pse vendose që të marrësh pjesë në këtë event bukurie?
Arsyeja e pjesëmarrjes sime ishte për të pasur një eksperiencë të re, të paprovuar më parë, por kjo ishte dhe realizmi i një ëndrre. Në këtë konkurs ti shpallesh si më e bukura dhe do të përfaqësosh më pas vendin tënd në shumë evenimente të tjera bukurie në botë. Jam shumë lumtur për këtë, por me çmimin mu dha dhe një bursë 4-vjeçare për të studiuar në shkollën e lartë.
-Studioni në gjimnazin Ismail Qemali?
Këtë vit mbarova vitin e parë në gjimnazin Ismail Qemali dhe e mbarova me rezultate shumë të mira. Kur erdha nuk kisha shumë nga shoqëria nga shkolla 9-vjeçare, por gjithsesi këtu zura një shoqëri shumë të mirë. Shkojmë shumë mirë që të gjithë. Shoqëria ime më ka përkrahur shumë që në momentin që ata morën vesh se unë do të marr pjesë tek ky konkurs bukurie, por dhe më kanë votuar shumë në internet.
-Mendon se do të ndryshojë diçka tek karakteri juaj pas shpalljes si Miss Shqipëria 2010, si do të ndikojë ky çmim tek ju?
Asgjë nuk do të ndryshojë tek unë me shpalljen e Miss Shqipëria 2010. Unë do të jem po e njëjta me shoqërinë time. Nuk kam pse të ndryshoj, shoqëria ime ka qenë shumë e afërt me mua.
-Si e priti familja juaj vendimin për të marrë pjesë në këtë konkurs bukurie?
Ata kanë qenë shtysë për mua, me prindërit kam ardhur edhe tek përzgjedhja që u bë. Unë kam babain që më qëndron pranë, edhe pse duhet të ishte me pushime, po ashtu dhe vëllai im që është dy vjet më i madh se unë kujdeset shumë për mua. Ndihem shumë e lumturuar që bukuria dhe fati u takuan tek unë. Ky çmim më takon jo vetëm mua, por edhe prindërve të mi, të cilët më ndoqën hap pas hapi.
-E ndërkohë që ju do të merrni pjesë dhe tek Miss Globe International, që pritet të zhvillohet gjatë këtij viti. Si e konsideroni pjesëmarrjen në këtë eveniment?
Është një eveniment akoma dhe më i madh, pasi është dhe përfaqësimi i Shqipërisë me të gjithë botën. Unë besoj se do tia dal mbanë që ta përfaqësoj denjësisht Shqipërinë në këtë konkurs bukurie.
-Ju thatë që studioni në gjimnazin Ismail Qemali, por veç mësimeve si e kaloni kohën e lirë?
Veç shkollës, është dalja me shoqërinë, por dhe vrap në mëngjes.
-Sa kujdesesh për të mbajtur trupin në formë?
Fizikun e kam vetë, nuk është se merrem me palestër. Por mundohem që të eliminoj ushqimet me yndyrna, ha ushqime të shëndetshme për trupin. Nuk mungon në mëngjes qumështi, një krosant, sallatat, supërat.
-Tani jeni në gjimnaz, por çfarë profesioni ke dëshirë që të kesh në të ardhmen?
Është akoma shumë herët dhe nuk e kam menduar akoma, duhet akoma kohë që unë ta mendoj një gjë të tillë. Jam akoma e pavendosur për të ardhmen, pasi jam ende 16 vjeçe.
-Sa të pëlqen bota e kinemasë?
Më pëlqen shumë që të shikoj filma. Shkoj në kinema dhe shoh film atë zhanreve të ndryshme si romancë, aksion, por më pëlqejnë gjithashtu dhe filmat shqiptarë.
-E ndërkohë po muzika dhe libri çfarë vendi zënë tek ju?
Më pëlqen shumë të lexoj, po ashtu dhe të dëgjoj muzikë, mjafton që ajo të jetë e bukur.
-Si kanë qenë ditët kur ju përgatiteshit për konkursin që do të zhvillohej në Kalanë Gjirokastrës?
Zgjoheshim në mëngjes herët, dhe ngjiteshim në kala më pas fillonim provat. Ishin ditë të lodhshme, pasi duhej të jepnim më të mirën. Por kishte raste që gjatë qëndrimit tonë në Gjirokastrës udhëtonim dhe drejt Sarandës. Kur ishim në kala ka pasur raste që provat kanë shkuar deri në orët e vona të natës. Dua të falënderoj shumë dhe Petri Bozon, pasi ai na ka ndihmuar shumë.
-Jeni vetëm 16 vjeç, por sa kujdeseni për paraqitjen tuaj?
Nuk vishem ekstravagante, pëlqej të vishem thjeshtë dhe përpiqem të jem sa më natyrale.
-Cilat janë pasionet e tua?
Më pëlqen shumë të merrem dhe pikturën.
-Pas netëve të lodhshme për përgatitjet e Miss Shqipërisë, keni menduar për pushimet?
Do ti kaloj me familjen në Himarë, pasi kam 13 vjet që shkoj atje. Nuk i jam ndarë atij vendi, kështu që edhe këtë vit do të shkoj atje sërish. Është një vend i vogël, por mikpritës.
Intervistoi: Julia Vrapi