Sallat operatore, probleme me higjienën
Shëndetit Publik në Tiranë. Sipas studimit nga ISHP, nga 870 mostra të analizuara në sallat operative janë izoluar 77 shtame mikrobike. Që do të thotë, burim infeksioni për pacientët, që shkojnë për një trajtim të caktuar e dalin së paku me një tjetër. Kështu, 870 mostrat e analizuara, sipas studimit, janë marrë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ndërsa pavijonet e marra në shqyrtim janë ai i Kardio-Kirurgjisë, Okulistikës, Maxilo-Faciales dhe Otorino-Laringologjisë. Gjithashtu, një pjesë e mostrave për analizim, e që shërbyen më pas në rezultatet e studimit, janë marrë edhe në sallat operatore të Rrethit të Krujës dhe Kavajës. Në analizën e mostrave, plot 77 rezultuan me mikrobe dhe një situatë e tillë është vërtetë shqetësuese. Nga këto 27 shtame mikrobike janë vërejtur në qarqet e tubave të inkubimit dhe të aspirimit. Ndërsa 15 shtame mikrobiologjike, janë vërejtur në sipërfaqe dhe orendi të sallave që u vrojtuan.
Mjekët e familjes, kryqëzojnë Vasilin: Nuk kemi kushte pune në spitale
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili në një takim me mjekët e familjes të kryeqytetit dhe të rretheve të tjera të vendit ka përforcuar dhe njëherë mesazhin, se sistemi i ri i referimit, që ka filluar te zbatohet në institucionet shëndetësore, lufton korrupsionin dhe njëkohësisht, ofron një shërbim me cilësor për pacientët shqiptare. Por gjatë takimit me këta mjekë specialistë Vasili është ndier jo mirë kur ata janë ankuar se nuk kanë kushte e mjete me të cilat duhet të presin e përcjellin pacientët e rretheve e për këtë shkak një pjesë e konsiderueshme e tyre i drejtohen QSUT-së. Sipas Vasilit vendosja e mjekut të familjes në qendër të këtij sistemi, dhe përforcimi i rolit të tij, është nga synimet e strukturave të shëndetësisë. "Ky sistem eviton në mënyrë absolute që abuzivisht të kemi një kontakt të drejt për drejt, ndonjëherë me elemente korruptive, nga pacientet në njërën anë dhe sistemit shëndetësor nga ana tjetër, por ofron transparencë të plotë dhe shqiptarët në përgjithësi të perceptojnë ti kemi marrëdhëniet drejt për drejt, e cila kalon pastërtisht në rrugët profesionale dhe jo në rrugën e parave që jepen në dorë" , tha Vasili. Këtë deklaratë kreu i Shëndetësisë e bëri gjatë, një takimi me mjekë të familjes nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar ku janë mbajtur dhe referime, në lidhje me zbatimin e sistemit të referimit. Qytetet e mëdha si Tirana e Durrësi vuajnë mungesën e mjekëve të familjes, kryesisht në zonat e reja të banimit. Drejtori i Shëndetit Publik në ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja thotë se në Tiranë nevojiten 50 për qind më shumë mjekë familje, por ata smund të punësohen në qendrat ekzistuese shëndetësore, pasi nuk ka ambiente të reja. Bejtja shpjegon se shumë kërkesa i janë dërguar pushtetit vendor, por hapja e qendrave të reja shëndetësore, në lagjet e reja, duhet të bëhet përmes planifikimit urban nga ana e Bashkive. Lëvizjet demografike kanë rritur nevojën e mjekëve të familjes. Qendrat aktuale shëndetësore vuajnë nga fluksi i pacientëve, ndaj kërkohet ndërtimi i qendrave të reja shëndetësore. Por i takon pushtetit vendor, që përmes planifikimit urban, të krijojnë hartën sanitare në të cilën duhet të përfshihen trojet për godinat e reja të qendrave shëndetësore.
Hana vlerëson mjekët e spitalit të Durrësit me 15 për qind rritje rroge
Spitali Rajonal i Durrësit ka zhvilluar konferencën e dytë mediko-kirurgjikale ku kanë qenë të pranishëm edhe mjekë të spitaleve të tjera të vendit. Besim Elezi,shef i shërbimit të kirurgjisë ka theksuar se cilësia e spitalit të Durrësit është rritur ndjeshëm dhe se reformat kanë rëndësi të madhe, pavarësisht se mund të jenë të dhimbshme. "Baza e elementit njëri janë dy, standardi i lartë etiko-moral dhe profesionalizmi i lartë. Ne si një njësi bazë e një institucioni shëndetësor na del kjo detyrë, të përsosim këto dy veti", tha Besim Elezi, shef i Shërbimit të Kirurgjisë në Durrës. Ndërsa drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana ka vlerësuar se përfshirja në skemën e sigurimeve shëndetësore të spitalit të Durrësit ka bërë që pagat e personelit të këtij spitali të jenë rreth 15 për qind më të larta se të mjekëve të spitaleve të tjera. "Eksperienca e spitalit pilot të Durrësit, rezulton shumë pozitive nga ato të dhëna që ne kemi matur në vazhdimësi në këto 11 vjet, gjë që ka bërë të mundur që ai sot të krahasohet pa dyshim me një spital të nivelit terciar shumë dinjitoz. Kjo falë dhe përthithjes së personelit mjekësor me grada shkencore dhe mjaft të kualifikuar", tha Elvana Hana, Drejtoresha e ISKSH-së. Konferenca është konceptuar të zhvillohet në dy sesione, me nga dy seanca secili. Në sesionin Kirurgji kanë referuar 24 grupe mjekësh, ndërsa në sesionin Sëmundje të brendshme 25 grupe të tjerë nga mjekë dhe specialistë të njohur.
20 mashtrimet e mëdha rreth dobësimit, armiku i shëndetit hidratet e karbonit
Mundoheni ti humbni disa kilogramë? Nuk jeni vetëm, një e gjashta e banorëve të rruzullit janë në dietë. Mirëpo, idetë si të shkrihen kilogramët, gjithnjë po ndryshojnë. Mos hani në mbrëmje, Zvogëlojini hidratet e karbonit, janë vetëm disa nga rregullat si duhet vepruar. Mirëpo, çështë e drejtë e çështë plotësisht gabim? Ja mashtrimet më të mëdha. Vaji i ullirit është më i mirë, sepse ka më pak kalori se vajrat e tjera. Vajrat, pa marrë parasysh llojin, janë yndyra që përmbajnë më shumë kalori se çdo ushqim tjetër (një lugë ka përafërsisht 150 kalori), prandaj trashin më së shumti. Megjithatë, vaji i ullirit përmban sasinë më të madhe të yndyrave të ngopura, për të cilat profesionistët thonë se janë më të shëndosha. Gjalpi ka më shumë kalori sesa vaji. Edhe kjo me siguri është gabim. Gjalpi përmban ujë dhe disa albumina dhe në fakt ka më pak kalori sesa vaji (në 25 gramë gjalpë ka 184 kalori, ndërsa në vaj 225). Zvogëlimi i hidrateve të karbonit është mënyra më e mirë për të zvogëluar peshën. Heqja e hidrateve të karbonit nga ushqimi mund të jetë e rrezikshme. Buka, patatet, brumërat, orizi - janë ushqim i shëndoshë dhe pjesë e rëndësishme e ushqimit tonë. Nëse i heqim nga tryeza, veç sa do të ndiejmë nevojë më të fuqishme për to, por edhe për hidrate të karbonit dhe për albumina e yndyra, kështu në fund do të hamë më shumë. Ushqimi i varfër me hidrate të karbonit, shpesh nuk sjell fije të mjaftueshëm, gjë që mund të shkaktohet kapsllëku e me këtë rritet rreziku nga kanceri i zorrës së trashë.