E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH: “Formë e re kontrolli për qendrat shëndetësore”

Autori i Lajmit: red.
Supervizioni mbështetës është forma e re që pritet të aplikohet për kontrollin e qendrave shëndetësore. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, supervizioni aktual është i përqendruar kryesisht te individi, ndërsa forma e re, supervizioni mbështetës, bazohet tek kontrolli i plotë i qendrave shëndetësore. Për ISKSH-në, kontrolli i aktivitetit të mjekut të familjes ka qenë dhe mbetet një nga faktorët kryesorë për sigurimin e shërbimeve shëndetësore të ofruara nga Qendrat Shëndetësore. Burime nga ISKSH-së thanë se "supervizioni mbështetës zgjeron fushën e deritashme të kontrollit, duke përfshirë vetëvlerësimin dhe vetangazhimin e personelit të qendrës shëndetësore dhe të komunitetit në vazhdimësi, si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore". Ky supervizon, sipas tyre, nxit gjithashtu rezultatet cilësore nëpërmjet fuqizimit të komunikimit, përqendrimit në zgjidhjen e problemeve, mbështetje në drejtimin e qendrave shëndetësore për të monitoruar dhe përmirësuar performancën e tyre. “Eksperienca e vendeve të ndryshme tregon që supervizioni mbështetës rezulton të jetë një nga mënyrat më efikase të përmirësimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe performancës së qendrave shëndetësore”, - nënvizuan burimet, sipas të cilave, çdo kontrollor do të vendosë si pikësynim kryesor përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, do të inspektojë të gjitha nivelet e stafit të qendrës shëndetësore, si dhe do të përpiqet të identifikojë dhe të zgjidhë problemet që shqetësojnë qendrën shëndetësore. Kjo do të bënte të mundur rritjen e prestigjit të qendrës shëndetësore, duke shmangur për pasojë kalimin e pacientit direkt tek mjeku specialist dhe në spital, fenomen mjaft i njohur në vendin tonë dhe me pasoja për pacientin dhe sigurimet shëndetësore. Përdorimi i praktikave të reja të kontrollit si listë-kontrollet, manualet ndihmuese të kontrollit klinik dhe planifikimi i kontrollit të qendrave shëndetësore, do të bëjë të mundur evidentimin e shumë problemeve në këto qendra dhe reduktim të kostos së shpenzimeve aktuale të kontrollit. Sipas të njëjtave burime, një ndër karakteristikat e supervizonit mbështetës është përqendrimi në zgjidhjen e problemeve për të siguruar cilësi dhe përmbushje të nevojave të pacientëve dhe vetë stafit të qendrave shëndetësore. Nëpërmjet tij, qendrat shëndetësore fuqizohen në monitorimin dhe përmirësimin e performancës së tyre, ndërsa kontrollorët veprojnë si ndihmues dhe instruktorë, si dhe vetë stafi i qendrës shëndetësore merr pjesë në kontrollin e vetvetes dhe të njëri-tjetrit. Në bashkëpunim me OJF-në PRO-Shëndetit, ISKSH ka përgatitur manualin për zbatimin e metodës së re të kontrollit të qendrave shëndetëosre, i cili do t u shpërndahet të gjitha strukturave që do të angazhohen me supervizionin. “E gjitha kjo do të ndihmonte drejt orientimit tashmë të njohur të kujdesit shëndetësor parësor, atë drejt pacientit”, - vlerësuan burimet nga ISKSH.
Ky lajm është publikuar: 06/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›