E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Progresi” i Ministrisë së Punës në analizën 7-mujore të vitit 2008

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Edhe një tjetër Ministri i bashkohet “sukseseve” të qeverisjes gjatë 2008-s. Madje, në rastin konkret është gjetur fjala “progres”. Ministria e Punës Cështjeve Sociale dhe e Shanseve të Barabarta në analizën e saj për periudhën janar-gusht 2008, ka radhitur në shifra punën e saj të cilësuar progresive.

Sikur të zbrisje befas nga një tjetër realitet, e të mbaje mend vetëm se si ka qenë më parë, problematika social-ekonomike e shqiptarëve jo më larg se vitet e fundit, pasi të njiheshe me arritjet e Ministrisë Shqiptare të Punës në këtë vit, do të bëheshe kureshtar të shihje më nga afër këta hapa gjigandë. Progresi, ose ndryshimet ditë-natë, do të ishin intriguese për t u njohur. Teksa lexon një raport me fjalë “modernizim”, “performancë”, “reformim të programeve”, “rritje të burimeve financiare”, “përmbushje objektivash” ...pret të shohësh…

Grevat e minatorëve, e mjekëve, e ish-punëtorëve të Gërdecit, e Alb-Petrolit …nuk kanë qenë greva. Ndoshta mbani mend gabimisht (dhe jo më larg se korriku) se ata e kishin ballin të lidhur, rrinin shtrirë, u bënë për urgjencë, apo thjesht u grumbulluan dhe bojkotuan orët e punës, operacionet, lanë vendin e tyre të punës për orë dhe ditë të tëra, por këto sekuenca mund të kenë qenë pjellë e fantazisë kolektive të shqiptarëve. Ministria e Punës e Cështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta ka deklaruar dje paqen sociale të arritur për 7 muajt e parë të vitit 2008, ku “nuk është rregjistruar asnjë grevë (referuar pёrcaktimit ligjor pёr ligjshmёrinё e grevёs)” dhe që sipas saj, “ёshtё njё tregues i rёndёsishёm i qёndrimit bashkёpunues tё partnerёve socialё dhe efikasitetit tё ndёrhyrjes nga ana e strukturave institucionale tё ndёrmjetёsimin e pajtimit.” Pastaj, argumenti i dytë është rritja e numrit të kontratave kolektive nё nivel ndёrmarrjeje, krahasuar me tё njёjtёn periudhё tё njё viti mё parё. Janё regjistruar 340 kontrata kolektive tё lidhura nё nivel ndёrmarrjeje, 100 kontrata mё shumё se njё vit mё parё nё sektorёt e arsimit, shёndetёsisё, transportit, gjeologji-minierave, agrikulturёs dhe ushqimit, ndёrtimit, metalurgjisё, mbrojtjes, konfeksioneve etj.
Sapo dëgjon këto deklarata, të vijnë në mend ato gratë që donin të ndanin burrat, për të mos humbur nga kriteri “Nuk lejohen në ndërmarrje, dy nga një familje”, të kujtohen protestat e minatorëve e metalurgëve për mungesën e kushteve të mbrojtjes në punë, pa llogaritur një lumë konfliktesh të përditshme që gjeneron fronti i punës. Por përqindjet e zgjidhjes së konflikteve tregojnë se më tepër se gjysmën e tyre i ka zgjidhur vetë Ministria me ndërmjetësimin e saj, të tjera me pajtim dhe bisedime dypalëshe, ndërsa 17% e këtyre konflikteve kanë përfunduar në gjyq. Por sa janë këto 17%? 17% e sa konflikteve të punës?
Ministria e Punës gjithsesi beson se ka zhvilluar dialogun social, “i cili kërkon organizata të forta të punëdhënësve dhe të punëmarrësve. Ndaj vëmendja jonë është përqendruar në rritjen e nivelit te kualifikimit të përfaqësuesve të partnerëve socialë dhe thellimin e njohurive të tyre në fushën e legjislacionit të punës”, thotë më tej raporti 7-mujor. Gjatë kësaj kohe ka patur rritje tё kёrkesave qё partnerёt socialё i kanё drejtuar Ministrisë dhe Zyrave Rajonale dhe Vendore tё Punёsimit pёr ndёrhyrje nё trajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrёveshjeve kolektive tё punёs. Ndёrmjetёsimet kanё patur pёr objekt zgjidhjeje, çёshtje tё tilla si: rritja e pagave tё punonjёsve, dhёnia e pagёs nё natyrё, konsultime mes palёve me qёllim zbutjen e efekteve sociale si pasojё e ristrukturimit tё disa ndёrmarrjeve dhe pushimet kolektive qё pasojnё kёtё proçes (punonjёsit e Albpetrol- Sh.A, Agjensia e Shёrbimeve Detare, Instituti i Monumenteve tё Kulturёs, Shёrbimi Gjeologjik Shqiptar), kushtet e punёs, sigurisё nё punё, etj.

Ministria:Kemi mbyllur për herë të parë dy sektorë të pasigurt
Punëtorët e vdekur, asnjë shifër zyrtare në analizën e Ministrisë
43% e numrit të përgjithshëm të gjobave janë vënë në sektorin e ndërtimit

Ministria flet për sigurinë në punë, analizon 7 muajt e vitit 2008, por pa viktima. Shifra më e rëndësishme e këtij treguesi mungon.

Ministria e Punës numëron objektivat, ndërsa minatorët numërojnë shokët e humbur. Numërimi i Ministrisë përfundon më shpejt. Vetëm në Minierën e Bulqizës kanë humbur jetën gjatë muajve të parë të këtij viti edhe të paktën 5 minatorë të tjerë, duke kaluar shifrën tragjike të 12 viktimave, të tjera viktima ka pasur në Ish-Metalurgjikun e Elbasanit. Kjo është tabloja më e zymtë e punës në Shqipëri, që fajëson ministrinë që duhet të mbrojë njerëzit e Punës. Ministria e Punës, për fat të keq, edhe e punës që prodhon vdekje, nuk po e ndal dot këtë tren tragjik. Megjithatë, nga zyrat, e ardhmja duket optimiste, se ja, u miratua edhe Vendimi “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoriatit Shtetëror të Punës” e, “nëpërmjet tij do të përmirësohen kapacitetet e burimeve njerëzore”.
Mësojmë më tej, se, gjatë këtij 7- mujori për herë të parë, për moszbatim të kushteve të sigurisë në punë dhe mosmarrjen e masave për të siguruar mjedis pune të sigurt për punëmarrësit, Inspektoriati ka bllokuar 2 aktivitete, Uzinën e Celikut në subjektin Kurum- Elbasan dhe subjektin Ital- Crome në Burrel. Gjithashtu, janë kontrolluar 43 miniera dhe karriera dhe 60 aktivitete të llojit elektricitet, gaz, ujë. Përveç këtyre, në raport përmendet “këshillimi i punëdhënësve, pa synuar të merren masa ekstreme në lidhje me gjobitjen e subjekteve. Masat ekstreme janë marrë në ata sektorë ku janë konstatuar mungesa e marrjes së masave parandaluese ndaj aksidenteve në punë si p.sh në sektorin e ndërtimit ku janë vendosur rreth 43% e numrit të përgjithshëm të gjobave, në sektorin e prodhimit 23,2%, në tregti dhe shërbime 13,9% e numrit të përgjithshëm të gjobave”.
Por përsëri, për të gjykuar për përmasat e gjobave të vendosura, në raport me numrin e aktiviteteve, do të duheshin shifra të drejtpërdrejta dhe krahasuese, në vend të përqindjeve që nuk na thonë asgjë. P.sh. 23% të 5 gjobave, të 50 gjobave apo 500 gjobave? Gjithashtu, gjoba duke pasur karakter parandalues, duhet të tejkalojë shumë herë rastet e aksidenteve. Sot nuk kemi ende një raport për numrin e aksidenteve të shënuara dhe numrin e gjobave të vendosura. Apo janë baras?...

Ja çfarë progresesh pretendon se ka arritur Ministria e Punës
-Reformimin e Programit të Ndihmës Ekonomike dhe performancën më të lartë në zbatimin e këtij Programi.
-Rritjen e burimeve financiare të sistemit të mbrojtjes shoqërore që u shoqërua me minimizmin e abuzimeve, evazionit dhe korrupsionit në sistem, duke krijuar nje sinergji midis rritjes së vëmendjes së Qeverisë për sistemin, politikat dhe shërbimet sociale dhe rritjes së përgjegjësisë së insitucioneve dhe agjencive menaxhuese e zbatuese te sistemit, politiave dhe programeve;
-Rritjen e burimeve financiare për mbështetjen e programeve për parandalimin, kujdesin dhe integrimin e grupeve në nevojë të shoqërisë, me fokus të veçantë në PAK (Personat me Aftësi të Kufizuar);
-Avancimin e procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale, si dhe rritjen e burimeve financiare për shërbimet sociale të mobilizuara nga qeverisja vendore;
-Ruajtjen e ritmeve të uljes së papunësisë dhe rritjen e impaktit të shërbimeve të punësimit në punëzenie; Dyfishimin e burimeve financiare për Programin e Nxitjës së Punësimit, performanca më e mirë e zbatimit të këtij programi dhe rritja e impaktit të tij në uljen e papunësisë dhe varfërisë;
-Thellimin e punës për modernizmin e sistemit të formimit profesional dhe fillimin e investimeve të rëndësishme në disa qendra formimi;
-Rritjen e rolit të Ministrisë si ndërmjetësuese dhe problem-zgjidhese e konflikteve dhe marrëdhënieve në punë;
-Miratimin e akteve ligjore e nënligjore bashkëkohore, në përputhje me standadtet e BE në fushat e shanseve të barabarta, paaftësisë, punësimit, shërbimeve sociale etj.

Ndihma ekonomike, pika prioritare e Ministrisë së Punës, ja se si është trajtuar
Më të varfrit marrin 3.3 miliardë, por në xhep, 40 mijë të vjetra
Institucioni nuk tregon as numrin e familjeve të varfra, as masën e ndihmës për secilën

Prioriteti që vetë Ministria e Punës e ka konsideruar si të tillë, më të varfrit e shoqërisë, nuk janë më pak të varfër se ç kanë qenë një vit më parë. Rritja e pretenduar shkon për të mbuluar rritjen e shfrenuar të çmimeve, që kurrizi i tyre e ndjen më tepër nga të gjithë. 40 mijë lekë të vjetra është masa më e zakonshme e ndihmës, që përfitojnë shumica e familjeve të mjeruara.

Ministria e Punës reklamon politikat e mbrojtjes sociale si prioritet të saj. Kjo do të thotë se në fokusin e vëmendjes së saj janë më të varfrit të cilët ajo i ka mbrojtur “më mirë”, duke miratuar edhe dy VKM, që përmirësojnë kriteret e shpërndarjes së Ndihmës Ekonomike. Ajo që Ministria ka bërë nëpërmjet të ashtuquajturit “Identifikim më i mirë i numrit të familjeve të varfra nga njësitë vendore, bazuar mbi hartën e varfërisë, sipas treguesve të Anketës për matjen e nivelit të varfërisë dhe Regjistrimit të Përgjithshëm të Popullsisë”, është reduktimi i numrit të personave të deklaruar të varfër, pra që marrin ndihmën ekonomike, nga 16.9% në vitin 2007, në 14% në vitin 2008. (Vini re se si flet Ministria në përqindje të papërkthyeshme në numër familjesh e rrjedhimisht, kjo bën të pamundur pjesëtimin e shumës totale prej 3.3 miliardësh me numrin e familjeve, për të parë se sa i takon secilës për të marrë). Dhe, ndërkohë që ndihma u shkon më pak personave, shuma e parave nga ana tjetër edhe është rritur; nga 2.6 miliardë, vitin e kaluar, në 3.3 miliardë në fillim të vitit 2008. Pra, me gjuhë ministrore kjo do të thotë; Të varfër ka më pak dhe janë më pak të varfër.
Por, përtej këtyre shifrave që flasin “në total” për miliarda, ndihma ekonomike për familjet, është vetëm një shumë simbolike e cila nuk mundet të pjesëtohet për frymë familjeje, pasi nuk është sa gjysmë pensioni. Kjo Ministri « ka harruar » për fat të keq, të thotë se sa shkon shuma e ndihmës ekonomike që merr një familje e varfër, dhe sa familje marrin vlerën e plotë të ndihmës.
Ministria e Punës pretendon se ka zbutur varfërinë me rritjen 10%-sh të ndihmës në 1 korrik, dhe se “masa mesatare e NE për familje në vitin 2008 dyfishohet në krahasim me vitin 2007 », por harron të na thotë se sa shkon ky dyfishim. Me sa mbajmë mend nga viti i kaluar, ndihma ishte 20-30 mijë lekë (në të vjetra,)
Ja, së paku iku edhe një problem…Të varfër kemi më pak dhe rrojnë më mirë…

Personat me Aftësi të Kufizuar
Pagesat e PAK mbeten më të vogla se pensionet

Rritja e këtyre pagesave u përngjan rritjes së pensioneve, por duke mbetur më të vogla se pensionet dhe nën minimumin jetik (pragu i varfërisë, i padeklaruar ende zyrtarisht në Shqipëri).

Me trajtimin financiar të personave me aftësi të kufizuara, (ndryshe nga përfituesit e NE), Ministria është treguar transparente. Këtu na thotë jo vetëm se sa ka qenë dhe sa është bërë pagesa, por edhe sesa persona e marrin atë. Kështu, 57 mijë Persona me Aftësi të Kufizuar mendore e fizike, përfshirë dhe kujdestarët e tyre, duke filluar nga 1 Korriku marrin 8.700 lekë në muaj nga 8.000 që kanë marrë deri tani, ose 10% më shumë; 14 mijë të verbër dhe kujdestarët e tyre marrin nga 1 Korriku, 8.700 lekë në muaj nga 8.000 që kanë marrë deri tani. 2 mijë persona para–tetraplegjik marrin, nga 1 Korriku, 8.700 lekë në muaj nga 8.000 që kanë marrë deri tani. 2 mijë para- tetraplegjikë, nga 1 korriku 2008 perfitojne 12.000 lekë për paketën e tyre higjieno-sanitare, nga 9.000 lekë që ishte deri tani, ose me 33% më shumë. Për invalidët e punës, nga 1 korriku 2008, u rrit masa e subvencionimit të karburantit, në 6.000 lekë në muaj nga 4.000 që marrin aktualisht. Pra 50% më shumë. Të gjitha kategoritë e invalidëve të punës, përveç indeksimit të pensionit bazë, përfitojnë edhe disa pagesa të përmirësuara: Pagesa për Aftësinë e Kufizuar të Invalidëve të punës u indeksua me 10%. Ndërsa, invalidët e punës që vuajnë nga sëmundjet profesionale dhe të aksidentuar në punë të grupit të parë dhe të dytë, nga 1 korriku 2008 përfitojnë një rritje të pagesës me 35%.

Shërbimet sociale
Ministria inauguron rikonstruksionet e azileve e jetimoreve pa vende
Ushtria e pleqve e fëmijëve të braktisur, “decentralizohen” shpejt

Stolat e parkut mbetën edhe këtë vit shokët më të ngushtë të të moshuarve, edhe pse Minstria e Punës ka licencuar 110 OJF për shërbime komunitare. Në raportin e saj, Ministria bën fjalë për “furnizimin me pajisje dhe orendi të 45 qendrave komunitare shërbimesh të mbështetura nga projekti, që do të ndikojnë në realizimin e standardeve të reja”, por këto qendra nuk ofrojnë as kafen falas për të moshuarit dhe funksionojnë si lokale. Pas gjithë këtyre shërbimeve që shteti u ka bërë të moshuarve, sepse tashmë “për
përfundoi plotësimi i shërbimeve komunitare me pajisje elektronike dhe orendi të cilat do të ndikojnë në realizimin e standarteve të reja të miratuara”, ata vazhdojnë ta kalojnë kohën si edhe më parë, duke gjetur terrene të lira ku krijojnë mozaikun e gurëve-stola. Mbi këto gurë, 70-vjeçarët kalojnë ditët, e gurët nuk kanë gojë të flasin e të thonë se vazhdojnë të jenë në punë, me kapacitet të plotë e se nuk janë braktisur aspak. Këta gurë Ministria e Punës nuk i ka sfiduar dot…
Ndërkohë, me rezidencat, siç thirren rezidencat qeveritare (emër shumë pompoz për të përvijuar një azil apo një shtëpi fëmije), Ministria thuajse i ka larë duart, pasi 19 prej tyre i kanë kaluar tashmë pushtetit vendor, plus edhe 9 institucione të tjera për personat me aftësi të kufizuara. Sidoqoftë, azilet e kthyera në spitale pleqsh janë po ato, asnjë i ri, edhe pse të braktisurit e moshës së tretë janë shtuar e nuk kanë ku shkojnë. Krimi brenda familjes ka shtuar fëmijët jetimë-jobiologjikë dhe nevojat për një vend në strehëzat e shtetit janë të papërballueshme, por strategjitë fatlume thonë, si të jenë një “orakull” se më mirë është që të kemi vetëm qendra ditore e në darkë, jetimi- plak apo jetimi-fëmijë të shkojë prapë atje ku nuk ka vend apo ku e pret dajaku.

Shifrat: Në Arsim dhe Shëndetësi, mbitrefish të punësuar
Ndërkohë që mësues të papunë vetëm në Tiranë duhen 20 vjet të punësohen

Brenda 7 muajve, sipas shifrave të sjella nga Ministria e Punës, është mbitrefishuar numri i personave të punësuar në Arsim dhe Shëndetësi (nga 2158 në 7502). Por nuk kemi asnjë informacion se në ç mënyrë ka ndodhur ky “mbitrefishim”, ku janë hapur fronte nga shteti apo nga privati? Sa për pjesën shtetërore të punësimit, përveç shkurtimeve, nuk është folur asnjëherë për stafe bluzash të bardha, të rritura. Ndërsa në arsim, ku pjesa më e madhe e të punësuarve është në nivelin parauniversitar, sikur të kishte trefishim të të punësuarve, tashmë Tirana nuk do të kishte asnjë mësues të papunë. Sipas DAR, sikur shkollat e larta të mos prodhonin më mësues, këta që janë do të duheshin 20 vjet që të sistemoheshin të gjithë në punë, duke pritur daljen në pension të mësuesve. Këtu llogaria është e thjeshtë: Ikën një, vjen një. Ndërsa 400 vendet e reja të premtuara për pedagogë, janë në axhentë për të ardhmen.
Raporti thotë më tej, se niveli zyrtar i papunësisë së rregjistruar për vitin 2007 figuron në shifrën 142.871 vetë, e shprehur në përqindje në raport me forcat e punës 13.2%, ndërsa tani kjo shifër arrin në 140.011 mijë ose 13.1%.
“Vazhdon të njohë ulje numri i të papunëve në vend, si pasojë e punës së mirë të bërë nga zyrat e punës në zbatim të programeve të nxitjes së punësimit, ndërmjetësimit, por edhe sepse shumë individë që trajtohen nga skemat e ndihmes ekonomike apo të pagesës së papunësisë, pasi nuk pranojnë punët që u ofron Zyra e Punes, -tregues i punësimit të tyre ende informal, -u hiqet statusi i punëkërkuesit”. Kështu thuhet në raportin zyrtar të Ministrisë së Punës, i cili na tregon njëherësh, se i ka llogaritur në punë, edhe ata që deklarojnë se nuk e kanë një të tillë. Sipas shifrave të këtij institucioni, është rritur me 10% numri i personave fizikë të punësuar ose të vetëpunësuar, në krahasim me një vit më parë, është pothuaj dyfishuar numri i të punësuarve në transport dhe telekomunikacion (nga 8 568 në 16 735) dhe në aktivitetin bankar (nga 4072 në 7408), si dhe mbitrefishuar në Arsim e Shëndetësi (nga 2158 ne 7502).

POLITIKAT MIGRATORE
Ministria: “Tani keni sportele emigrimi në zyrat e punës”
Mjafton t i kontaktosh ato, për të emigruar në 36 vende!
Cfarë kanë dashur ata emigrantët, që kërkonin të kalonin ilegalisht në Greqi, duke rrezikuar jetën? Nuk u pëlqen emigrimi i ligjshëm? Ndoshta nuk e dinë se “Është përgatitur dhe është përfunduar Projektmarrëveshja Dypalëshe e Punësimit me Italinë dhe Protokolli i saj i Zbatimit. Të dy këto instrumente, pasi kaluan nëpër kanalet zyrtare janë gati për nënshkrim. Eshtë përgatitur Projektmarrëveshja Dypalëshe e Punësimit me Greqinë dhe është dërguar për mendim në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Që prej dy muajsh, në zyrat e punës në të gjithë vendin janë ngritur sportelet e emigracionit, ku shtetasve shqiptarë dhe të huaj u ofrohet informacioni i nevojshëm për emigrim të rregullt në 36 vende.” Pra, mjafton të kontaktosh me këto sportele, që ëndrra e emigrimit të përmbushet. Pra, më mirë sesa të kërkoni punë në Shqipëri, pranë këtyre zyrave, gjë që është e vështirë t ua gjejnë, provoni të kërkoni punë për jashtë. Edhe këtu, një tjetër notë optimiste nga ministria.

SHANSET E BARABARTA

A) Ne Janar 2008 u krijua Sektori Per masat ndaj dhunes ne Familje, i cili është përgjegjës për hartimin e akteve ligjore te nevojshme per parandalimin dhe reduktimin e dhunes ne familje dhe programeve sociale, parandaluese, promovuese per reduktimin e dhunes ne familje.
B) U përgatit nga Ministria Ligji Për Barazinë Gjinore në Shoqëri”, qëllimi kryesor i të cilit është mbrojtja e qytetarëve nga çdo lloj diskriminimi mbi bazë gjinie si dhe garantimi i mundësive dhe shanseve të barabarta për të dy gjinitë, për të arritur standarte më të larta në fushën e barazisë gjinore. Ligji u miratua në Korrik 2008 nga Parlamenti.
C) Hartimi i akteve nenligjore te ligjit Nr. 9669 “Per masat ndaj dhunes ne marredheniet Familjare” dhe hartimi i akteve nenligjore ka qenë prioritet në këtë periudhë dhe rezulton se deri tani nga institucionet përgjegjëse janë përgatitur disa akte të nevojshme nënligjore.
Në nivel qendror dhe rajonal janë ngritur sektorë/seksione “Për mbrojtjen e të miturve dhe dhunës në familje” pranë çdo Drejtorie Policie Qarku.
D) Me qëllim krijimin e strukturave të afta për ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje, në bashkëpunim me UNDP, kemi organizuar trajnime të punonjësve të policisë, të shërbimit shëndetësor, të shërbimeve sociale pranë Bashkive e Qarqeve.
Përmirësimi i Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët duke vendosur një sistem indikatorësh të matshëm për monitorimin
Në bashkëpunim me ekspertë është punuar për përmirësimin e Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët. Hartimi i SKZHI dhe ndryshimi i strategjive sektoriale të shëndetit, arsimit, mbrojtjes sociale, diktuan ndryshimet në planin e veprimit të Strategjisë Kombëtare për Fëmijët 2005-2010.
Ky lajm është publikuar: 06/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›