ISKSH: Kardiologët, pakt me farmacitë, rekomandojnë barna të shtrenjta
Shëndeti i pacientëve nuk është kryesor, ndërsa shtimi i xhiros së fitimit për firmat farmaceutike radhitet ndër prioritetet kryesore të mjekëve kardiologë. Këta të fundit u rekomandojnë pacientëve barna të shtrenjta duke rritur vlerën e rimbursimit të barnave me qëllim rritja e xhirove të firmave farmaceutike. Nga kontrollet dymujore të ushtruara nga Drejtoria e Kontrollit të Jashtëm të ISKSH-së, në rajonin e Tiranës ka rezultuar ndër të tjera se kardiologët kanë bërë pak të fshehtë me farmacitë në mënyrë që t’u rrisin xhiron e fitimit.
Abuzimet
“Mjekët specialistë, në mënyrë të veçantë mjekët kardiologë, vazhdojnë të plotësojnë rekomandime në lidhje me trajtimin e të sëmurëve me barna të alternativave më të shtrenjta që në fazat e para të sëmundjes në kundërshtim me praktikën e njohur mjekësore, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e vlerave të rimbursimit të barnave, ku qëllimi kryesor nuk është shëndeti i pacientit, por rritja e xhirove të firmave farmaceutike. Rekomandimet plotësohen në kundërshtim me protokollet e përdorimit të barnave, protokolle të nxjerra nga katedrat e shërbimeve spitalore universitare”, – shprehet Pjerin Kodraçari, drejtor i Kontrollit të Jashtëm në ISKSH. Lista e kontrolleve të ushtruara nga ISKSH-ja shtrihet si në qendrat shëndetësore dhe në farmaci.
Qendrat shëndetësore
Kështu në qendrat shëndetësore të Tiranës janë identifikuar disa mangësi në këtë shërbim. Mungesa të personelit shëndetësor sipas orarit të miratuar, mangësi të informimit të siguruarve në lidhje me shërbimet që ofron qendra shëndetësore, mosrespektim i tarifave të shërbimit shëndetësor për personat e pasiguruar, ku në pjesën më të madhe nuk dokumentohen vizitat për personat e pasiguruar (duke favorizuar pagesat informale në këtë rast). Ndërsa në qendrën shëndetësore Kashar, një mjeku, përveç mungesave të shprehura në punë, në ambientet e pikës shëndetësore iu gjendën dhe sasi barnash, ndaj këtij mjeku u dha “Paralajmërim për pushim nga puna”.
Mjeku i familjes
Në aktivitetin e mjekut të përgjithshëm dhe të familjes të kontraktuar me këto qendra shëndetësore janë konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuale, e konkretisht: pasaktësi në dokumentimin e aktivitetit profesional te mjeku, pasaktësi në regjistrimin e banorëve që mbulojnë me shërbim shëndetësor, duke shkelur parimin e zgjedhjes së lirë të mjekut. Vazhdon të ketë pasaktësi të të dhënave që raporton qendra shëndetësore pranë DRSKSH-së, kryesisht në lidhje me indikatorin e pagesës për numër vizitash, si plotësim të numrit të vizitave të një pacienti dy-tri herë brenda ditës, për të rritur në mënyrë artificiale këtë indikator pagese, mangësi në plotësimin e dokumentacionit për të dhënat e deklaruar për indikatorët cilësor. “Mbetet mjaft shqetësuese përdorimi racional i barnave në trajtimin e të sëmurëve nga ana e mjekëve të përgjithshëm dhe rekomandimeve të mjekut specialist”, - bën të ditur Kodraçari, drejtor i Kontrollit të Jashtëm në ISKSH.
Abuzuan me ilaçet e rimbursimit, ndëshkohen me gjoba 13 farmaci
Nga kontrollet e ushtruara në subjektet farmaceutike në Tiranë janë identifikuar një sërë shkeljesh në lidhje me qarkullimin e barnave me rimbursim. Kështu nga punonjësit e Drejtorisë së Kontrollit të Jashtëm gjatë dy muajve janë organizuar kontrolle të befasishme tek 59 subjekte farmaceutike. Problematika e evidentuar nga kontrollet është ofrimi i shërbimit farmaceutik nga persona që nuk kanë nënshkruar kontratën me ISKSH-në, ku u është vendosur gjobë në masën 10 000 lekë. “Janë gjetur barna të listës së rimbursimit pa pullën e kontrollit të MSH-së, ku është ndërprerë kontrata me këtë subjekt dhe i është propozuar komisionit të licencimit për heqje të licencës profesionale si dhe në ambientet e 3 farmacive u gjenden libreza shëndeti të pacientëve pa qenë të pranishëm në farmaci, ku janë vendosur masa administrative ndaj të tre subjekteve në vlerën totale 3000 lekë”, - bën të ditur ISKSH-ja. Ndërsa tek 10 farmaci u gjenden një sasi e konsiderueshme e faturave të furnizimit pa regjistruar në dokumentacionin përkatës sipas afateve të përcaktuara në kontratë), ku në zbatim të kontratës në fuqi janë marrë masa administrative gjobë ndaj këtyre subjekteve në vlerën totale 149 000 lekë.
Krahas kontrollit të befasishëm, nga strukturat e kontrollit u organizuan dhe kontrolle të plota me inventarizim të barnave të listës së rimbursimit tek 15 subjekte farmaceutike. Nga këto kontrolle në shume subjekte janë konstatuar rimbursim i padrejtë për disa barna të listës të pajustifikuar me dokumentacionet përkatëse dhe shqetësuese ngelet tregtimi i barnave të listës pa recetë mjeku në kundërshtim me kontratën dhe ligjin për qarkullimin e barnave. Në total vlera e diferencave në plus të rimbursuara në mënyrë të padrejtë kap vlerën 1 059 693 lekë, ku janë vendosur masa zhdëmtimi ndaj 15 subjekteve farmaceutike për vlerën e mësipërme. Në lidhje me shitjet e barnave pa recetë mjeku, sipas diferencave në minus të detyrimeve kontraktuale, janë vendosur masa administrative gjobë ndaj 10 subjekteve farmaceutike në vlerën totale 100 000 lekë.
Shkeljet e qendrave shëndetësore
- mungesa e personelit në orarin e punës
- mungesë të afishimit të shërbimeve të qendrës
- nuk dokumentohen vizitat për personat e pasiguruar
- pasaktësia e të dhënave që raporton qendra shëndetësore pranë DRSKSH-së
- plotësim të numrit të vizitave të një pacienti dy-tri herë brenda ditës
- mangësi në plotësimin e dokumentacionit për të dhënat e deklaruar për indikatorët cilësorë
Shkeljet e mjekut të familjes
- një mjeku, paralajmërim për heqje nga puna, pasi iu gjetën sasi barnash në zyrë
- pasaktësi në dokumentimin e aktivitetit profesional te mjeku
- pasaktësi në regjistrimin e banorëve që mbulojnë me shërbim shëndetësor
- kartela personale e pacientit, nuk plotësohen të dhënat e domosdoshme sipas praktikës mjekësore, nuk plotësohet saktë ecuria e sëmundjes, diagnostikimit, ekzaminimet, konsultat dhe mjekimi
Shkeljet e mjekut specialist
- nuk pasqyrohen në kartelë të gjitha vizitat e kryera
- nuk zbatohet praktika e njohur mjekësore për përshkrimin në kartelë personale të treguesve kryesorë të vendosjes së diagnozës dhe mjekimit
- nuk respektohet sistemi i referimit për rekomandimet tek mjeku specialist dhe në spital, shkelje të kufizimit të listës dhe të protokollet e përdorimit të barnave, kryesisht për sistemin kardiologjik, pulmonar dhe traktit urinar
- nuk argumentohen të gjithë rastet e reja kronike dhe ndryshim terapie sipas detyrimeve kontraktuale
- mjekët kardiologë vazhdojnë të plotësojnë rekomandime në lidhje me trajtimin e të sëmurëve me barna të alternativave më të shtrenjta
Masat
- masa administrative për të gjithë mjekët e qendrave shëndetësore 10, 2, Kashar dhe Paskuqan
- në13 qendra shëndetësore janë gjobitur 26 mjekë në vlerën totale 86 000 lekë dhe masa zhdëmtimi ndaj 19 MP/F në vlerën 195 749 lekë
Shkeljet e farmacive
- janë gjetur barna të listës së rimbursimit pa pullën e kontrollit të MSH-së
- shërbim farmaceutik nga persona që nuk kanë nënshkruar kontratën me ISKSH-në
- në ambientet e 3 farmacive u gjenden libreza shëndeti të pacientëve pa qenë të pranishëm në farmaci
- në 10 farmaci u gjenden një sasi e konsiderueshme e faturave të furnizimit pa regjistruar
- rimbursim i padrejtë për disa barna të listës të pajustifikuar me dokumentacion
- tregtimi i barnave të listës pa recetë mjeku në kundërshtim me kontratën dhe ligjin për qarkullimin e barnave
Masat
- për 59 subjekte farmaceutike është vendosur gjobë në masën 10 000 lekë
- 3 farmaci, masa administrative në vlerën totale 3000 lekë
- 10 farmaci, gjobë në vlerën totale 149 000 leke