E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Porti i Durrësit; Brenda vitit, nafta zhvendoset në Porto Romano



Brenda vitit 2009, do të largohen nga territori portual të gjitha depozitat (ose tankerat) e karburanteve të vendosura prej 15 vitesh atje. Puna e kompanive të karburanteve vazhdon si më parë dhe asnjëra prej tyre nuk është në fazën e largimit. Depozitat gjigande janë të mbushura me naftë, benzinë dhe benzol në kuota maksimale për shkak të çmimit të favorshëm të tyre në bursën ndërkombëtare. Drejtuesit e portit të Durrësit, bazuar në një vendim të KM-së shprehen se “brenda vitit 2009, depozitat gjigande do të transferohen drejt Porto Romanos, atje ku edhe do të ngrihet parku energjitik”. Disa vjet më parë, kompania amerikane “Wilbour Smith” e cila është konsulente dhe supervizore e projekteve të BB-së, i konsideroi këto depozita një rrezik për vetë investimet e mëtejshme në këtë port dhe sugjeroi largimin e tyre në një tjetër vend. Edhe kompanitë e tjera që kanë realizuar masterplanin e portit si dhe rikonceptimin e tij në kohë kanë sugjeruar të njëjtën gjë. Ato depozita, përveç rrezikut që paraqesin për jetën e komunitetit (për të cilën është folur shumë edhe herë të tjera) po mbajnë peng një investim prej 34 milionë eurosh të cilat do të përdoren për ndërtimin e terminalit të kontejnerëve. Në portin detar të thonë se brenda marsit do të nisë realisht zhvendosja e depozitave në drejtim të Porto Romanos. Atje ka kohë që po ndërtohet një port për përpunimin e anijeve të karburanteve si dhe parku për ndërtimin e depove të reja. Edhe nga ministria përkatëse ka sinjale për fillimin e zgjidhjes së këtij problemi. Në pjesën lindore të portit të Durrësit funksionojnë 14 depozita gjigande karburantesh. Pjesa më e madhe e tyre përdoret për depozitimin e naftës dhe të benzinës dhe njëra për karburant avionësh. Përveç tyre janë edhe dy depozita të cilat janë të mbushura me ujë me qëllim përdorimin e tij për shuarjen ndonjë zjarri të mundshëm. Kapaciteti total i depove të karburantit është 30 mijë tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›