Gërdeci, familjarët e viktimave kërkojnë 520 milionë lekë dëmshpërblim
Dy kërkesa për Gërdecin në Gjykatën e Lartë, madje në të njëjtën dosje. Veçse njëra kërkesë është penale dhe tjetra civile. Por, të dyja pritet të shqyrtohen paralelisht me njëra-tjetrën. Padia civile është përgatitur nga familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, të cilët kërkojnë nga të pandehurit Fatmir Mediu, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari dëmshpërblim për viktimat që u shkaktuan më 15 mars në fabrikën e demontimit në Gërdec. Por, në padi nuk janë vetëm të pandehurit, të cilëve u kërkohet dëmshpërblim, por edhe shoqëria Albdemil, Ministria e Mbrojtjes dhe Kryeministria. Bëhet fjalë për 26 viktima dhe kërkesën për nga 20 milionë lekë për çdo viktimë si dëmshpërblim. Sipas burimeve nga organi qendror i akuzës, janë 11 familjarë të cilët përgatitën kërkesë-padinë, duke ua dorëzuar prokurorëve të çështjes, të cilët e dorëzuan së bashku me fashikujt hetimorë në sekretarinë e Gjykatës së Lartë. Padia civile që i është bashkangjitur dosjes penale të prokurorëve një javë më parë, ndodhet tashmë në duart e Kolegjit Penal që do të gjykojë çështjen. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, familjaret kërkojnë 20 milionë lekë për çdo të vrarë. Familjarët e viktimave kërkojnë 520 milionë lekë dëmshpërblim në total nga të pandehurit dhe subjektet e tjera shtetërore që kanë paditur për humbjet në familjet e tyre. Ndërkohë, edhe qeveria do të kërkojë që dëmi i shkaktuar në Gërdec, të paguhet nga pronari i kompanisë së demontimit, Mihail Delijorgji. Sipas burimeve zyrtare, Avokati i Shtetit do të ndjekë çështjen civile, ku do të kërkojë nga kompania të paguajë dëmin në masën e llogaritur prej 14 milionë eurosh. Dëmi është paguar nga qeveria për dëmshpërblimin e banorëve të Gërdecit. Burime pranë Avokatisë së Shtetit pohojnë se shkresa e organit të prokurorisë, ku kërkohet të ndiqet kjo çështje, është depozituar në këtë institucion. Sipas dokumenteve që ndodhen në dosje, prokuroria, për arsye hetimore, ka llogaritur se fatura shtetërore e katastrofës së 15 marsit të vitit të kaluar në Gërdec llogaritet në rreth 14 milionë euro.
Detaj
11 familjarë të viktimave në Gërdec i drejtohen me një padi civile Gjykatës së Lartë për dëmshpërblim
520 milionë lekë kërkojnë familjarët e viktimave nga të pandehurit e dosjes “Gërdeci” dhe disa subjekte shtetërore
14 milionë euro kërkon qeveria nga Delijorgji përmes një padie, fatura shtetërore që pagoi për tragjedinë e shkaktuar prej tij