E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, procedurat për ata që kanë mbaruar shkollën e mesme



Të gjithë ata që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara këtij viti dhe kanë dëshirë të vijojnë studimet e larta, do të duhet të marrin pjesë në provimet e Maturës Shtetërore, sipas Ministrisë së Arsimit. Përjashtim do të bëjnë vetëm ata që kanë mbaruar shkollën e mesme, por duan të vijojnë studimet e larta në Akademinë e Arteve ose atë të Sporteve, ku notat e lëndëve me zgjedhje nuk do të kërkohen.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur procedurat për të gjithë të diplomuarit. Ata që kanë përfunduar shkollën gjatë viteve të kaluara, kur ka qenë në fuqi Matura Shtetërore dhe kanë dhënë provimet me zgjedhje, nuk janë të detyruar t`i përsërisin ato. Ndërkohë, ata që kanë përfunduar përpara vitit 2005 do të duhet të regjistrohen për lëndët me zgjedhje të Maturës.

Provimet

Sipas rregullores së këtij viti, të gjithë nxënësit që në vitet e kaluara shkollore “dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik për t`u regjistruar në këto shkolla, këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara”.

I vetmi përjashtim është në rastin kur studenti ka dëshirë të rijapë provimet. Por në këtë rast, do të quhen të vlefshme rezultatet në provimin e fundit të dhënë dhe jo rezultatet më të mira.

Vetëm provimet me zgjedhje

Personat që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2005-2006 dhe kanë marrë dëftesën e pjekurisë, do të duhet të japin vetëm provimet me zgjedhje. Ata duhet të paraqiten në shkollat e mesme ku kanë përfunduar ose në drejtoritë arsimore, nëse këto shkolla nuk ekzistojnë, për të aplikuar.

Dokumentacioni që duhet të paraqesin është vërtetimi që ka mbaruar shkollën e mesme, i shoqëruar me notat 4 (katër) ose 5 (pesë) viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza); kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë; një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuar (pasaportë ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit ose letërnjoftim); dhe kërkesë me shkrim për dhënien e provimit me zgjedhje.

Pa dëftesë pjekurie?

Ndërkohë, personat që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara këtij viti, por nuk kanë marrë dëftesën e pjekurisë, do të duhet t`i japin të katërta provimet. Ata duhet të plotësojnë formularin A1, pasi të kenë dorëzuar në shkollë ose në Drejtorinë Arsimore, nëse shkolla nuk ekziston, dokumentet e nevojshme. Dosja përmban të gjitha dokumentet e sipërpërmendura, me përjashtim të kopjes së noterizuar të dëftesës së pjekurisë.

Për sa u përket personave që kanë përfunduar shkollën vitet e kaluara, kur ekzistonte Matura Shtetërore, por kanë marrë vetëm provimet e detyrueshme dhe jo ato me zgjedhje, duhet të rijapin provimet me zgjedhje, duke plotësuar formularin A2. Përjashtim përbëjnë ata të cilët dëshirojnë të kandidojnë për në Akademitë e Arteve dhe të Sporteve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›