E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilanci tregtar, “Financat”: Ritme të mira ekonomike



Bilanci tregtar për 2-mujorin e parë të vitit 2009 tregon se ecuria e ekonomisë shqiptare paraqitet në ritme të kënaqshme. Treguesit e importeve dhe eksporteve nuk kanë luhatje të mëdha, por kanë një ecuri të qëndrueshme. Nisur nga këta faktorë, drejtuesit e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, kanë dalë në konkluzionet se ekonomia në këtë fillim viti po performon në nivele të kënaqshme.

Dy zëvendësministrat e Financës dhe të Ekonomisë, Florion Mima dhe Eno Bozdo, dolën dje në një konference të përbashkët për shtyp, për të dhënë shifrat përmbledhëse për bilancin tregtar të vendit, importin, eksportin si dhe vëllimin e tregtisë në dymujorin e parë të vitit 2009. Në fjalën e tij hapëse, z. Bozdo theksoi faktin se shifrat që vijnë nga dy muajt e parë të vitit janë optimiste dhe se provojnë edhe një herë faktin që politikat ekonomike dhe fiskale të ndërmarra nga qeveria shqiptare kanë qenë të drejta dhe se kanë shërbyer si amortizatorë të fuqishëm për reduktimin thuajse në minimum të ndikimit në ekonominë shqiptare të krizës ekonomike botërore. Z. Mima dha disa konkluzione mbi dy muajt e parë të vitit, treguesit e të cilëve flasin për ritme rritjeje të ekonomisë në nivele të pëlqyeshme. “ Eksportet po performojnë pothuaj në të njëjtin ritëm si vitin e kaluar. Ka një rënie të lehtë në eksportet shqiptare (minerale, gurë, bimë medicinale, dru etj.). Fasonët janë në të njëjtin nivel si vjet. Energjia elektrike me rreth 6 milionë euro eksporte kompenson afërsisht humbjen në eksportet shqiptare. Importet paraqiten me rritje e lehtë në natyrë, ulje në vlerë dhe të ardhurat janë përgjithësisht në linjë me planifikimin”, - ka deklaruar dje Mima. Sipas tij, këta tregues flasin për qëndrueshmërinë e ekonomisë vendase, e cila premton se nuk do të preket nga efektet e krizës globale ekonomike. Zëvendësministri Mima theksoi gjithashtu se drejtësia e masave të marra nga qeveria si p.sh. rimbursimi në kohë i TVSH-së, zgjatja e afatit të sigurimit vetëm në aksidentet në punë, për punonjësit e rinj (kërkesë e vetë fasonistëve), heqja e deklaratës së importit të shtetit pritës, po japin tashmë rezultatet e tyre dhe se qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë masa të tjera lehtësuese në dobi të biznesit. Z. Mima deklaroi se Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë po monitorojnë me shumë vëmendje programin e kredisë së butë 25 milion euro në dobi të SME-së dhe se qeveria po merr në konsiderate ta rrisë ndjeshëm këtë shumë nëse programi do të vazhdojë me intensitetin dhe pozitivitetin e tanishëm. Z. Bozdo përmendi edhe një herë disa nga masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si kreditimi i interesave të kredisë për ndërtimin e 6000 apartamenteve - një mbështetje e ndjeshme për sektorin e ndërtimit, kreditimi për kolateralin e eksportuesve dhe për konkurrueshmërinë e tyre etj… “Të gjitha këto janë masa konkrete që po japin tashmë efektin e tyre”, - theksoi Bozdo.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›