E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH-ja shpërblen 9450 punonjës të qendrave shëndetësore në të gjithë vendin



Lizeta Duro

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të japë për të gjithë mjekët më të mirë një bonus prej mbi 2 mijë lekësh. Nga ky shpërblim përfitojnë rreth 9350 punonjësve të qendrave shëndetësore të cilët kanë rezultate të larta në treguesit e cilësisë dhe që i kanë shfaqur gjatë shërbimeve që iu kanë ofruar pacientëve. Sipas ISKSH-së shpërblimi prej rreth 260 milion lekësh do të shpërndahet në rreth 416 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, të cilat në këtë fund viti, kanë plotësuar të gjitha kriteret e vendosura nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Nga ky fond do të përfitojnë rreth 2000 mjekë familjeje të përgjithshëm, specialistë, si dhe 6600 infermierë, këta punonjës të qendrave në Tiranë, Berat, Dibër, Fier, Gjirokastër, Kukës, Vlorë. Drejtoresha e ISKSH-së u shpreh se në 200 qendra shëndetësore, numri i vizitave është realizuar në masën 80%. Numri i vizitave nga mjekët e përgjithshëm, dhe ata të familjes në të gjithë vendin, ka arritur në masën 84%, ndërsa treguesi i cilësisë në masën 56%.

Hana
Elvana Hana, drejtoreshë e ISKSH-së gjatë prezantimit të bonusit që ky institucion ka marrë u shpreh se treguesi i performancës është realizuar në 50%, në qendra shëndetësore në 35%. Ndërsa treguesit e bonusit janë realizuar mbi 50%. "Kemi një rritje të të gjithë indikatorëve të bonusit, qoftë vizitat për herë të parë te mjeku i familjes, qoftë vizitat e gruas shtatzanë në periudhën e parë tre mujore të shtatzanisë, qoftë indikatorë të tjerë të përshkrimit të recetave me rimbursim. Fondi që do të shpërndahet tani për të gjithë qendrat shëndetësore është rreth 260 milion lekë, përfitojnë në tërësi rreth 9350 punonjës. Pjesa më e madhe e tyre janë infermier, 6600 dhe dy mijë janë mjekë të familjes dhe specialistë", u shpreh Hana.

Indikatorët

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor u shpreh se shpërblimi do tu jepet atyre punonjësve të cilët kanë plotësuar 9 indikatorë të cilët masin cilësinë e shërbimit. Mes këtyre indikatorëve është përqindja e pacientëve të regjistruar në një qendër shëndetësore, trajtimi i marrë nga stafi mjekësor. Një tjetër indikator i rëndësishëm është numri i pacientëve që janë vizituar për herë të parë gjatë vitit. Përqindja e grave shtatzëna që marrin vizitën e parë shëndetësore të detyrueshme nga personeli shëndetësor dhe përqindja e fëmijëve 0-1 vjeç, që kanë kryer vizitat në qendrat shëndetësore përfshihen në indikatorët që masin rritjen e cilësisë së shërbimit. Qendra shëndetësore do të vlerësohen edhe nga pjesëmarrja e stafit të tyre në Konferenca të Edukimit në Vazhdim.

Bashkia e Tiranës vë në dispozicion, falas, në sheshi “Shtraus” shërbimin e internetit pa kabëll

Sheshi “Shtraus” ose siç njihet ndryshe zona e Xhamllikut në kryeqytet, do të bëhet pjesë e nismës për shërbimin e internetit pa kabull, të cilën Bashkia e Tiranës ka menduar ta verë në dispozicion të komunitetit, me qëllim përdorimin e Internetit në oraret e pasdites. “Nuk ka si të mos jem i kënaqur kur shoh këtë hapësirë deri dje tërësisht të degraduar dhe sot të kthyer në një hapësirë publike, ku kanë ardhur dritat e festave, ku ka ardhur Pema e Vitit të Ri dhe ku ka ardhur edhe një tjetër hapësirë e projektit tonë të Wireless-it, sistemit të internetit pa kabëll, pra të lidhjes me Internet jashtë në natyrë, në një park, një shesh, në një stol dhe këtë projekt ne kemi premtuar ta shtrijmë në hapësira të tilla”, u shpreh Rama. Kryebashkiaku duke iu uruar: “Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri” të gjithë banorëve të këtij komuniteti, atyre që janë këtu prej brezash dhe atyre që kanë ardhur rishtas, unë shprehu bindjen se ky projekt do të jetë i prekshëm edhe për komunitetet e tjera. Sipas Ramës, “Wireless for U" u dedikohet kryesisht atyre që janë dashamirës të natyrës, por që nuk duan të heqin dorë nga teknologjia. Nisma, sipas tij, i bashkëngjitet kështu qyteteve evropiane, të cilat e aplikojnë këtë shërbim modern. Sipas Bashkisë së Tiranës, ky është një plan që do të shtrihet edhe në të tjera hapësira komunitare, duke i dhënë mundësi të rejave dhe të rinjve në mënyrë të veçantë, dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të lundrojnë në Internet, ta bëjnë këtë pranë zonës së tyre të banimit dhe në shoqërinë e të tjerëve. Instalimi i pajisjeve është mundësuar falë bashkëpunimit të Bashkisë me kompaninë e telefonisë ”Albtelecom”.

Universiteti i Vlorësë “Ismail Qemali", zhvillon garën për zgjedhjen e rektorit të ri

Në universitetin e Vlorës "Ismail Qemali", dje u zhvillua gara për zgjedhjen e rektorit të ri, pas vendit të lënë bosh nga Tanush Shaska. Në garë për këtë post ishin katër emra profesorësh mjaft të njohur në universitetin e Vlorës, të cilët kanë shpalosur edhe platformat e tyre. Kështu për postin e rektorit kanë shpallur kandidaturën Albert Qari, Vladimir Kasëmi, Aleks Trusha dhe Engjëll Liçaj. Tre prej kandidatëve kanë preferuar të jenë më të ekuilibruar në angazhimet e tyre, nëse e fitojnë këtë post, dhe vetëm njëri prej tyre, profesor Albert Qari ka shpalosur një platformë që bie ndesh edhe me politikën që ka ndjekur deri më tani Universiteti i Vlorës. Qari ka deklaruar se do të heqë kalkuluesin nga degët me profil shoqëror, ndërsa ajo do të jetë lëndë fakultative tek Infermieria, ndërkohë që aktualisht kjo lëndë është e detyrueshme në të gjitha degët e Universitetit të Vlorës. Tri kandidaturat e tjera për postin e rektorit të UV-së kanë zgjedhur të mbajnë një qëndrim neutral, nga frika se mos dalja hapur kundër politikës që është aplikuar deri më tani mund t’u kushtojë disa vota më pak. Gjithsesi gara do të zhvillohet gjatë ditës së sotme, dhe fituesi do të mësohet vetëm gjatë ditës së nesërme, kur të ketë përfunduar edhe numërimi i votave. Posti i rektorit në Universitetin e Vlorës mbeti bosh gati dy muaj më parë, kur Tanush Shaska, i cili e drejtoi këtë universitet mes polemikave të shumta për tri vite me radhë, dha dorëheqjen, pas një shkresë të MASH-it, ku aktivitetet shkencore jashtë universitetit për të gjithë drejtuesit e Institucioneve të arsimit të lartë, duhej që më parë të miratoheshin nga ministri i Arsimit.

24 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›