E Diel, 1 Nëntor 2026

Verifikimi i dokumentacionit për legalizimin e vilave në bregdet



Anilejda Shëmbitraku

Burime nga Drejtoria qendrore e ALUIZNI-t në Tiranë kanë deklaruar për gazetën “Albania” se ka nisur prej kohësh verifikimi i dokumentacionit tekniko-ligjor për legalizimin e objekteve informale në zonën bregdetare ose, ashtu siç njihet me termat ligjorë, në zonën me përparësi zhvillimin e turizmit. Sipas burimeve, procesi i legalizimit në zonat bregdetare është kaq problematik sa në ato të zonave informale. Tashmë subjektet e interesuara kanë paraqitur kërkesën pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t. Ndërkohë që burimet pranë këtij institucioni bëjnë të ditur për gazetën se ALUIZNI ka tërhequr të gjithë dokumentacionin nga Ministria e Turizmit, e cila ka miratuar deri tani lejet e ndërtimit.

Lejet
Sipas burimeve pranë ALUIZNI-t, një pjesë e madhe e këtyre objekteve janë me leje, por gjithsesi janë leje që duhen verifikuar pasi shumë nga ndërtimet nuk u kanë qëndruar korrekte projekteve sipas lejes së ndërtimit.
Pak kohë më parë Parlamenti miratoi ligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, ose thënë ndryshe, ligji që do legalizojë, nëpërmjet një procesi të posaçëm, të gjitha ndërtimet e ligjshme dhe të paligjshme të bëra në fshatrat turistike deri në dhjetor të vitit 2008. Ligji përcakton që të gjitha ndërtimet e kryera në këto zona para 31 dhjetorit 2009 do të përfshihen në proces legalizimi, ku ndërtuesit apo poseduesit e këtyre ndërtimeve do të kenë mundësi që t`i bëjnë ato përfundimisht prona të tyre kundrejt blerjes që do t`i bëjnë tokës së përdorur si truall sipas çmimeve të tregut. Por në ligj sanksionohet se poseduesi i ndërtesës do të mund të blejë fillimisht vetëm truallin mbi të cilin është ndërtuar objekti, ndërsa oborri dhe çdo pjesë tjetër si lulishte, rrugët e fshatit turistik do të kalojnë në bashkëpronësi.

Çmimi
Çmimi i truallit që i shitet subjektit të interesuar do të jetë në proporcion me sipërfaqen e tij, në funksion të njësisë së ndërtimit që ai gëzon. Çmimi i truallit që do të paguajnë subjektet mund të reduktohet në masën 10% nëse paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim dhe 20% nëse paguhet brenda një muaji. Ndërkohë që vetëm pas blerjes së truallit sipas çmimeve të tregut, poseduesi mund ta regjistrojë ndërtesën në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

FATURA
Dorëzimi i dokumentacionit financiar

Në vendimin e qeverisë për legalizimin e zonave me përparësi turizmin parashikohet se qytetari duhet të dorëzojë dokumentacionin financiar që vërteton kryerjen e pagesës pranë ALUIZNI-t që e administron atë në dosjen përkatëse të subjektit. Kur vërtetohet se qytetari ka paguar të gjithë vlerën e çmimit të truallit apo pjesën takuese të tij, vijohet me lidhjen e kontratës së kalimit të së drejtës së pronësisë mbi truallin. Në rastet kur subjekti i interesuar, pra qytetari, ka paguar një pjesë të çmimit të truallit, por nuk e ka shlyer tërësisht pagesën brenda afatit të parashikuar prej 6 muajsh, atij i humbet e drejta për të lidhur kontratën e kalimit të pronësisë dhe i kthehet shuma e paguar. Për njësitë e ndërtuara që gëzohen nga dy ose më shumë subjekte të interesuara për privatizimin e truallit, në rastet kur njëri prej tyre ka paguar pjesën takuese të çmimit të truallit brenda afatit të përcaktuar, ky i fundit ka të drejtë të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë, pavarësisht nëse bashkëpronari tjetër nuk ka paguar pjesën e tij takuese të çmimit të truallit.

Rastet
Pronat nuk legalizohen kur:

1- Shkel vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanistike apo projektet e veçanta infrastrukturore rrugore të çdo niveli, të miratuara apo në proces.

2- Cenon zbatimin e projekteve për zona turistike, zona komerciale dhe rekreative, zonat ekonomike, parqe dhe impiante industriale, për të cilat ka studime të miratuara ose në proces.

3- ALUIZNI është i detyruar që brenda 2 (dy) javëve nga data e depozitimit të kërkesës, t`i konfirmojë ndërprerjen e procedurave organit shtetëror përgjegjës dhe personit të interesuar për legalizimin e ndërtimit pa leje.

AMC
Feston me fëmijët dhe të moshuarit

AMC-ja, për të katërtin vit rresht, ndan gëzimin e festive të fundvitit me njerëzit në nevojë. Punonjësit e AMC-së filluan vizitat për shpërndarjen e pakove të dhuratave dhe pajisjeve për institucionet e shtëpive të foshnjave, fëmijëve dhe të moshuarve në Shkodër. Dje vizitat e përvitshme vazhduan me dhënien e dhuratave fëmijëve të jetimores në Durrës. Menaxheri i marketingut të AMC-së, zoti Gerassim Slavov, tha: “Jemi të lumtur që po japim kontributin tonë këtu. Kjo është një pjesë e asaj çka i kthejmë shoqërisë, veçanërisht në këto kohë të vështira dhe pikërisht njerëzve që kanë më tepër nevojë”. Më pas kalendari i vizitave do të shtrihet në shtëpitë e të moshuarve, në shtëpitë e foshnjave dhe shtëpitë e fëmijës në Tiranë, Kavajë, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër dhe Korçë. Punonjësit e AMC-së do të ndajnë momente plot ngrohtësi me fëmijët dhe të moshuarit. Banorët e këtyre qendrave, përveç dhuratave, do të marrin edhe veshje, pajisje të përdorimit të përditshëm, pajisje ngrohëse dhe materiale të tjera të nevojshme. Rreth 300 fëmijë dhe mbi 200 persona të moshuar do të festojnë me AMC-në e do të ndiejnë ngrohtësinë e njerëzve që kujdesen për ta. Këto nisma bëjnë pjesë në programin e Përgjegjësisë së Korporatës që AMC-ja zbaton prej vitit 2007 dhe kështu jep shembullin e një kompanie të përgjegjshme.

Vodafone Albania
Shpërndan dhurata në Shkodër

Fondacioni “Vodafone Albania” dhe Kryqi i Kuq Shqiptar shpërndanë dhurata në Shkodër me rastin e festave të fundvitit. Fondacioni “Vodafone Albania” dhe Kryqi i Kuq Shqiptar prej disa ditësh po ndezin atmosferën e festave në qytete të ndryshme të vendit duke shpërndarë dhurata për komunitete të veçanta, në nevoje për mbështetje e ngrohtësi. Ditën e djeshme, një grup prej 10 punonjësish nga Vodafone Albania dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq Shqiptar udhëtuan drejt Shkodrës për të shpërndarë dhurata për fëmijët parashkollorë të Shtëpisë së Foshnjave, për fëmijët shkollorë të Shtëpisë së Fëmijëve në Shkodër si dhe për Azilin e të Moshuarve të këtij qyteti. Fondacioni “Vodafone Albania” kishte përgatitur dhurata speciale për fëmijët dhe të moshuarit duke dhuruar momente të bukura për ta në këtë fund viti të vështirë. Aktiviteti i ditës së djeshme është pjesë e një projekti të fondacionit “Vodafone Albania” dhe Kryqit të Kuq Shqiptar, i cili ka për qëllim t’u vijë në ndihmë komuniteteve në nevojë si jetimët dhe të moshuarit. Gjatë fundjavës, grupi i punonjësve të fondacionit “Vodafone” dhe Kryqi i Kuq Shqiptar do të vizitojnë banorët e prekur nga përmbytjet dhe do të shpërndajnë ndihma dhe dhurata për ta.

24 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›