Listë-pagesa e radhës për 177 ish-të përndjekur që dëmshpërblehen
Anilejda Shëmbitraku
Gazeta “Albania” publikon sot listë-pagesën e radhës për dëmshpërblimin e 177 ish-të përndjekurve politikë. Janë 177 emra të ish-të përndjekurve që do të dëmshpërblehen dhe që duke nisur nga sot duhet të paraqiten në bankat ku kanë hapur llogaritë e tyre për të tërhequr paratë. Aktualisht janë dhe disa dosje me mangësi në dokumentacion, një pjesë e të cilave është duke u plotësuar. Qytetarët duhet të paraqiten në banka për të tërhequr paratë. Asnjë qytetar nuk mund të dëmshpërblehet nëse emri i tij nuk është i listuar me vendim të Këshillit të Ministrave, mbasi janë kufizimet ligjore të tilla dhe pikërisht Ligji Nr. 9831. dt.12.11.07, i ndryshuar në nenin 12, ku thuhet, ndër të tjera, se dëmshpërblimi, gjatë fazës së parë të mos jepet më i madh se 1 000 000 lekë. I njëjti mekanizëm do të përsëritet deri në marrjen e plotë të dëmshpërblimit për të gjithë të dënuarit dhe familjarët e viktimave.
Këstet
Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve do të realizohet nëpërmjet kësteve për tetë vjet ku shuma që ata do të marrin është 720 000 lekë të reja për çdo vit burg që ata kanë bërë. Buxheti që është akorduar për dëmshpërblimin e plotë të të përndjekurve, është 800 milionë USD, ku qeverisë i takon përkatësisht të shpenzojë 100 milionë USD në vit. Realizimi i këtij buxheti është bërë dhe do të vazhdojë që të bëhet nëpërmjet kredive të buta që ka marrë Ministria e Financave. Procesi i cili pritet të mbarojë për tetë vjet, mendohet që të dëmshpërblejë gjithsej 3198 persona, të cilët kanë dorëzuar dokumentacionin dhe kanë aplikuar për të marrë kompensimin. Të gjithë personat kanë dorëzuar dokumentacion të zgjeruar së bashku me dosjen që kanë pasur.
Dëmshpërblimi
Sipas ligjit, masa e dëmshpërblimit për çdo të dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2000 (dy mijë) lekë në ditë. Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1000 (një mijë) lekë në ditë. Për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
24 Dhjetor 2010