ISKSH, kontroll në bashkëpunim me Urdhrin e Mjekut
Mjekët e spitaleve dhe qendrave shëndetësore do të jenë nën vëzhgim edhe për mënyrën se si komunikojnë me pacientët. Shumë shpejt, ISKSH dhe Urdhri i Mjekut do të ushtrojnë kontrolle në bashkëpunim për të parë në terren etikën e mjekëve. Kështu, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, dje, gjatë Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Mjekut, vlerësoi rolin e rëndësishëm të këtij institucioni duke vënë theksin te rritja e peshës së tij sa i takon etikës së mjekëve. Në këtë kuadër, drejtoresha e ISKSH-së kërkoi që të bashkëpunohet me Urdhrin e Mjekut në çdo kontroll që kryen ISKSH, për sa i takon zbatimit të etikës nga ana e mjekëve në të gjitha nivelet e shërbimit. Bashkëpunimi i drejtorive tona rajonale me strukturat e Urdhrit të Mjekut do ti bëjë më efikase kontrollet tona, - tha Hana. Ajo vlerësoi rolin pozitiv që ka luajtur Urdhri i Mjekut gjatë zbatimit të reformës në shërbimin shëndetësor parësor dhe shprehu domosdoshmërinë e vijimit të bashkëpunimit me këtë institucion në kuadër të reformës spitalore.