ISKSH, në fund të janarit gati listën e re të barnave me rimbursim
Instituti i Sigurimeve të Shëndetit Mjekësor pritet të nxjerrë në fund të muajit janar listën e barnave të rimbursushme për vitin 2010. Burime pranë këtij institucioni, sqarojnë paraprakisht se këtë do të ketë ndryshime në këtë listë që është shumë e rëndësishme veçanërisht për të sëmurët kronik dhe moshën e tretë. Të njëjtat burime shpjegojnë se në listën e re do të pasqyrohen edhe kërkesat e pacientëve dhe grosistëve. Të gjitha shërbimet spitalore paraqesin
çdo vit kërkesat për shtimin e barnave të reja në listë, sidomos për ato sëmundje që kanë një kosto të lartë trajtimi. Drejtoria Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë kishin vendosur si afat të fundit datën 10 nëntorin e vitit të kaluar për të dorëzuar propozimet. Nga lista e barnave me rimbursim më tepër përfitojnë pensionistët dhe fëmijët. Këto dy shtresa për shkak të prekjes më të shpeshta nga sëmundjet e ndryshme dhe për shkak të të ardhurave të pakta. Sipas komisionit të hartimit të listës së barnave, për vitin 2009 u propozuan që pjesë e rimbursimit të jenë medikamentet për të sëmurët të cilët kryejnë transplantim dhe për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda të gjakut, siç është leucemia. Një pjesë e pacientëve që vuajnë nga sëmundje të gjakut (leucemi), sëmundje të veshkave apo të sëmurët mendorë, do të përfitojnë falas një pjesë të barnave. Komisioni, i mbledhur në muajin mars, ka shqyrtuar kërkesat dhe ka vendosur që për sëmundjet e rënda, që kërkojnë marrjen e vazhdueshme të kurës me barna të shtrenjta, të përfitohen falas. Lista e re e barnave është mbyllur si çështje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Specialistët e Drejtorisë së Farmaceutikës kanë përzgjedhur sugjerimet nga klinikat e spitaleve, specialistëve, mjekëve nga i gjithë vendi, si dhe firmave farmaceutike.
Last Updated on E Merkure, 06 Janar 2010 22:49