E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria mbështet heqjen e ditëve të pushimit ekstra

Konfindustria është shprehur pro ligjit të miratuar nga qeveria, për heqjen e ditëve të pushimit që zëvendësojnë ato të festave. Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku, e cilësoi si të vonuar marrjen e këtij vendimi. Konfindustria, ndonëse e gjykon të vonuar në kohë, mbështet vendimin e fundit të Qeverisë Shqiptare për heqjen e dyfishimit të ditëve të pushimit kur fundjava përkon me ditë festash zyrtare, u shpreh Buxhuku.

Gjithashtu ai e vlerësoi këtë vendim një hap drejt Bashkimit Europian. Vendimi në fjalë sjell ekonominë dhe institucionet shtetërore shqiptare në normalitet dhe sipas standardeve të vendeve të BE nga një gjendje absurde trashëgim i politikave populiste, me kosto të ndjeshme shtesë dhe krejt të panevojshme për efektivitetin e ekonomisë kombëtare, shërbimin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare në përgjithësi, vijoi Buxhuku. Gjithashtu ai theksoi se Konfindustria prej vitesh i kishte kërkuar parlamentit, që të miratonte një ligj të tillë, pasi sipas tij tashmë biznesi ka më shumë kohë në dispozicion. Konfindustria, duke u nisur nga kërkesat e vazhdueshme të industrive më të rëndësishme të vendit për çështjen në fjalë, ka shprehur zyrtarisht prej disa vitesh në mënyrë të përsëritur kërkesën drejtuar ekzekutivit shqiptar, ku ka arsyetuar për domosdoshmërinë e marrjes së vendimit të lartpërmendur, tha administratori i Konfindustrias. Ndër të tjera Buxhuku vlerësoi se ligji për heqjen e ditëve të pushimit, do të ulë goditjen mbi bizneset, për të cilat ditë e pushimit ishin një kosto shtesë për tu përballuar, pasi ulej ndjeshëm dhe konkurrueshmëria. Konfindustria vlerëson, se pjesa më e prekur e biznesit nga zgjatjet e papranueshme dhe të paarsyeshme të ditëve zyrtare të detyrueshme të pushimit, janë pikërisht industritë prodhuese të vendit, që marrin goditje dyfishe jo vetëm si kosto shtese krejt të panevojshme, por njëkohësisht edhe ndjejnë drejtpërdrejt uljen e mëtejshme të konkurueshmërisë së mallrave dhe shërbimeve të tyre në krahasim me prodhimet e importuara, vijoi më tej Buxhuku. Gjithashtu ai theksoi se miratimi i këtij ligji erdhi në një moment të përshtatshëm, pasi industria ishte goditur rëndë nga kriza financiare. Aq më shumë gjendja është e rëndë për industritë prodhuese të Shqipërisë kur në kushtet e pasojave të krizës globale financiare, tregjet ndërkombëtare janë ndjeshëm të varfëruara ne likuiditet, duke rritur kështu jashtëzakonisht ashpërsinë e konkurrencës luftës tregtare ndërmjet shteteve, përfundoi Buxhuku.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›