Gjirokastër, prifti hedh kryqin në kazan dhe e gjen vetë
Kryqi hidhet në kazan dhe merret nga prifti i kishës. Kjo ka ndodhur në Gjirokastër në ditën e shënuar të ujit të bekuar ku festohet tradicionalisht me hedhjen e kryqit në ujëra të rrjedhshme. Duket se rrebeshi i shiut i cili mbizotëroi qytetin për 120 minuta pa pushim mesditën e sotme, ka trembur pa masë klerikët ortodoksë lokalë të cilët janë mjaftuar veçse ti bien rreth e rrotull kishës së Shën Mihajllos në lagjen Varrosh dhe më pas të hyjnë brenda duke
respektuar ritin fetar të hedhjes së kryqit. Kryqi është hedhur nga priftërinjtë ortodoksë At Theodhori dhe At Dhionizi në kazanin metalik që shërben për pagëzime, dhe është tërhequr po nga ata dhe nga një fëmijë dy vjeçar duke simbolizuar në këtë mënyrë pagëzimin e Krishtit në ditën e ujit të bekuar. Është rasti i parë që ndodh në Gjirokastër që kryqi hidhet në një kazan në ambientet e brendshme të kishës përfshirë edhe ceremoninë tradicionale me psalma dhe thirrje për një vit të mbarë dhe të paqtë. Dhjetëra besimtarë ortodoksë, kanë shprehur zemërim jo për motin e keq i cili pushoi në orën 11, por për veprimin e klerikëve ortodoksë të cilët u nxituan më tepër se çduhet duke e kryer ceremoninë tradicionale një orë më herët se çduhej. Ndërkaq në kishat ortodokse të fshatrave të Dropullit, kryqi është pagëzuar në rrjedhat e përrenjve apo të Drinos, duke sfiduar në këtë mënyrë kapriciot e motit të keq. Edhe ne qytetin e Vlores është festuar dita e ujit te bekuar. Qysh në orët e para të mëngjesit qindra besimtarë orthodoks por edhe te besimeve të tjera fetare, kanë shkuar në kishën e Shën Todhrit dhe kane marrë pjesë në të gjitha ritualet e zhvilluara aty në këtë rast. Ato janë udhëhequr nga At Konstandin Prifti. Më pas besimtarët kanë shkuar ne ambientet e plazhit të ri ku është organizuar edhe hedhja e kryqit ne det. Në këtë vit fatlumi i kapjes së kruqit ne det ka qenë besimtar Vasil Zaka nga fshati Bestrovë. Besimtarët vlonjatë në këtë ditë të ujit të bekuar kanë mbushur plot enë per ti ruajtur gjate gjithë vitit.