Uji i bekuar mbledh beratasit mbi Osum, 18 vjeçari vazhdon traditën e familjes
Festa pagane e ujit të bekuar ka mbledhur dhe për këtë vit mijëra qytetarë që pavarësisht përkatësisë fetare janë rreshtuar në të dy anët e lumit Osum në lagjen Goricë, për të ndjekur ritet e kësaj feste. Ashtu si dhe vitet e kaluar festa e ujit të bekuar është shndërruar në një feste që ka mbledhur vizitorë të ardhur nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi si dhe nga disa rrethe të Qarkut Berat dhe të fshatrave rreth tij. Ritet fetare të festës së ujit të bekuar kanë nisur
që në orët e para të ditës së djeshme. Ato janë kryer nga imzot Ignati, peshkop i Beratit, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë. Por, ndryshe nga vitet e kaluar ritet e kësaj feste nuk janë zhvilluar në kishën e Shën Spirillonit në lagjen Gorricë, por në katedralen e Shën Dhimirtit në qendër të qytetit të Beratit. Pas riteve të faljes dhe bekimit të kryqit imzot Ignati ka hedhur nga ura e 300 vjeçare e Gorricës ku ishin mbledhur mijëra vizitorë kryqin e shenjtë në ujërat e Osumit që si gjithmonë edhe pse reshjet nuk kanë pasur të sosur, ujërat e tij këtë mëngjes të ditës së ujit të bekuar kanë qenë më të kthjellëta se ditët e tjera. Disa grupe me nga 5 djem të rinj beratas u futën në ujërat e Osumit për kapjen e kryqit, por fati këtë vit ka qenë me 18 vjeçarin Irakli Merolli, banor i lagjes Gorricë. Ky i fundit është shprehur se u ndje shumë i lumtur që arriti të nxjerr nga lumi kryqin e shenjtë, traditë të cilën e kish nisur më parë vëllai i tij të ndërprerë për dy vjet resht nga dy vëllezërit mysliman. Me kryqin e shenjtë në duar 18 vjeçari ka marrë bekimin e imzot Ignati dhe është takuar me besimtarët në lagjet e qytetit duke trokitur sipas zakonin në çdo portë të krishterë e mysliman, pa i shkuar ndërmend ndarja fetare, trokitje që është mirëpritur me kënaqësi në të gjitha portat e trokitura.