E Diel, 1 Nëntor 2026

Akti normativ, miratohet fondi 5 miliardë lekë për ndërtuesit



Ervin KOÇI

Kompanitë e ndërtimit, të cilat kanë përfunduar punimet në projektet publike gjatë vitit 2009 dhe 2010, do të marrin së shpejti paratë e tyre. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave, miratoi dje në mbledhjen e tij të parë për këtë vit, aktin normativ për buxhetin e vitit 2010, sipas të cilit një fond prej 5 miliardë lekësh do të shkojë për likuidimin e faturave të papaguara të punimeve të kryera. Ndërsa nga komuniteti i biznesit të ndërtimit, vijnë pretendimet se ky fond është vetëm një pjesë e vlerës totale, që qeveria iu ka borxh këtyre kompanive. Vetëm pak kohë më parë, komuniteti i biznesit të ndërtimit i kërkoi qeverisë që të bëjë pagesat e prapambetura deri në fund të qershorit të vitit 2011. Nga ana tjetër, ndërtuesit ngrenë pretendimet ndaj qeverisë për shuma më të mëdha nga sa pretendon ministri. Sipas kryetarit të shoqatës së ndërtuesve, Maksim Muçi, janë gati 10 miliardë lekë fatura të papaguara për punët e kryera në dy vitet e fundit. “Qeveria duhet të marrë masat sa më shpejt. Shumë firma ndërtimi kanë marrë kredi te bankat për të realizuar investimin e kërkuar nga institucionet publike”,- tha Muçi. Borxhi kryesisht i takon sektorit të rrugëve, për të cilat qeveria cakton mesatarisht çdo vit të paktën 30 miliardë lekë.

Akti normativ
Akti normativ i qeverisë prek disa institucione, të cilave u janë marrë fondet për t’i kaluar Ministrisë së Transporteve. Dokumenti zyrtar përmban të dhëna të tjera lidhur me zhvendosjen e fondeve, por ato nuk bëhen publike, edhe pse kanë marrë miratimin e qeverisë dhe tashmë kanë kaluar edhe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për t’u diskutuar dhe miratuar. Akti normativ realizohet në periudha kur ka diferenca të konsiderueshme në realizimin e investimeve dhe tek të ardhurat. Si 11-mujor, investimet publike ishin 5 miliardë lekë më pak se plani i buxhetit dhe gati 10 miliardë lekë më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Pikërisht, këto diferenca rregullohen përmes aktit normativ, ku fondet i shkojnë atij institucioni që ka ecur mirë me projektet dhe ka nevojë për to, duke ia marrë një tjetri që ka dështuar me planin.

Investimet
Nisja e fushatës elektorale dhe fakti i detyrimeve të prapambetura ka çuar në gjetjen e zgjidhjes së problemit që ministria e Transporteve kishte me firmat e ndërtimit. Ministri Olldashi pranoi se për punët e kryera në vitin 2010, MPPT-ja u kishte mbetur një detyrim prej 3.4 miliardë lekësh kompanive të ndërtimit, që sipas tij do të likuidoheshin shumë shpejt. Ministria e Financave nga ana tjetër ka kryer disa rregullime të buxhetit, duke u nisur nga shpenzimet dhe arkëtimet. Bëhet fjalë për rishikim të buxhetit në masën e 5 miliardë lekëve, në interes të sektorit rrugor. Këto para janë krijuar nga rezervat e ministrive që nuk mundën t’i shpenzonin fondet brenda afateve, dhe për t’u mos u djegur, qeveria ia ka “gjetur” vendin duke i kaluar për sektorin rrugor. Mësohet se 5 miliardë lekë do të shkojnë për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, si nevojë për financimin e atyre projekteve që kanë avancuar më tepër gjatë vitit 2010.

Bonot, edhe 2011 nis me interesa në rënie

Bonot e Thesarit e nisin edhe vitin 2011 me interesa në rënie. Në ankandin e zhvilluar këtë javë, norma e ponderuar e interesit për bonot me maturim 12-mujor ra në 6.82%, nga 6.91% që ishte në ankandin e fundit të muajit dhjetor. Edhe në ankandin e fundit vazhdoi të mbizotërojë oferta e lartë për të financuar borxhin publik. U paraqitën 33 oferta me vlerë 11.6 miliardë lekë, ndërkohë që shuma e kërkuar për t’u financuar ishte 9.5 miliardë lekë. Dinamika e tregut të bonove tregon se bankat vazhdojnë të jenë shumë të interesuara për këtë lloj investimi. Por gjallërimi i kredisë në dy muajt e fundit është një tregues se bankat po i rikthejnë likuiditetet e tyre drejt huadhënies, ndaj rënia e interesave të bonove edhe mund të frenohet së shpejti. Nga ana tjetër, vetë ulja e interesit të bonove përbën një stimul për kredinë, duke qenë se ndikon në uljen e normave të interesit për kredinë në lekë. Rënie pësoi edhe interesi për bonot me afat maturimi 6-mujor, që në ankandin e kësaj jave u emetuan me një normë interesi të ponderuar prej 6.36%, nga 6.41% që ishte interesi në ankandin e fundit të muajit dhjetor. Vlera e borxhit të kërkuar ishte 18 miliard lekë dhe shumë u plotësuar nga 13 oferta, ndërkohë që në ankand ishin paraqitur 18 oferta.

Shkurt////////////////////////////
Akuzat për mbifaturim, drejtuesit e CEZ takim në selinë e PS-së

Pas denoncimeve të njëpasnjëshme nga Partia Socialiste për kompaninë “CEZ Shpërndarje” për abuzime sipas saj me faturat e energjisë elektrike, përfaqësues të lartë të kësaj kompanie kanë zhvilluar dje një takim në selinë rozë. Drejtori i përgjithshëm i “CEZ” z. Josef Hejsek i shoqëruar nga ekspertë të kompanisë ka zhvilluar një takim me 2 deputetët socialistë Beqja e Bushati e në përfundim ka pranuar se për shkak të problemeve në sistemin e faturimit i cili është duke u rikonstruktuar, mund të ketë pasur gabime të cilat do të rishikohen. Hejsek tha që po rishikohen rreth 12 mijë fatura të cilat na rezultojnë të papaguara në sistem por konsumatorët pretendojnë se i kanë shlyer detyrimet ndaj kompanisë “CEZ Shpërndarje”. Ndërkohë ERE e ka konsideruar të paligjshëm emërtimin në faturë të zërit dëm ekonomik apo energji e pamatur dhe për këtë arsye, e ka gjobitur kompaninë “CEZ Shpërndarje” me 350 mijë lekë. Drejtori i “CEZ” deklaroi se është duke punuar ngushtë me Entin në mënyrë që shërbimi për konsumatorët të jetë cilësor.

Pesha: “Sanksione, për dëmet nga ndërprerja e energjisë”

Grupet e interesit kërkojnë që për ndërprerje të energjisë elektrike, apo defekte të ndryshme gjatë furnizimit, kompanitë private të kenë të drejtën e dëmshpërblimit. Gjithashtu në projektligjin e kontratës së re të energjisë elektrike të përcaktohen dhe sanksionet për afruesin e shërbimit. Në ligj të përcaktohet qartë që me këto çështje të merret Gjykata Administrative. Kryetari i Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Besian Pesha kërkoi që të drejtën e dëmshpërblimit të mos e kenë vetëm bizneset por çdo familje dhe qytetarë i thjeshtë. “Kontrata e re, do t’i japë fund marrëdhënies problematike që konsumatorët shqiptarë kanë pasur me ‘CEZ Shpërndarjen’ dhe do të vendosë një marrëdhënie të drejtë tregtare për energjinë elektrike”,- deklaroi Pesha. Me iniciativën e Konfindustrias, u zhvillua dje një dëgjesë akademike lidhur me projektligjin e ri të kontratës së klientit me furnizuesin me energji elektrike. Në diskutim morën pjesë profesorë në fushën e drejtësisë dhe ekonomisë.

Energjia, “CEZ Shpërndarje” hap qendrën e re për klientët në Durrës

Në vazhdimësi të zbatimit të strategjisë dhe premtimit për përmirësimin e shërbimit dhe rritjen e kujdesit ndaj klientit, “CEZ Shpërndarje” hapi dje në Durrës Qendrën e Kujdesit ndaj Klientit. Kjo qendër do të jetë pikë referimi për klientët e këtij qyteti dhe synon ta bëjë sa më të lehtë zgjidhjen e problemeve dhe kërkesave që ata kanë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Prefekti i Durrësit, Genci Alizoti dhe Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Qendra e Kujdesit ndaj Klientit do të ofrojë një sërë shërbimesh, duke përfshirë këtu: aplikim për lidhje të reja, printim të faturë, depozitim të ankesave apo kërkesave që mund të ketë klienti, etj. Gjithashtu, në këtë Qendër, klientët mund të aplikojnë për një kontratë ligjore me kompaninë, të mbyllin apo riaktivizojnë një kontratë ekzistuese, si dhe të marrin një informacion të detajuar mbi dokumentet që nevojiten për këto procedura. Për ta lehtësuar klientin, Qendra ofron mundësinë e pagesës së faturave, si dhe mundësinë e zëvendësimit të librezës ose ndryshimit të të dhënave të kontratës.

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.26 %
1Ë njëjavor 4.37 %
1M 1-mujor 4.92 %
3M 3-mujor 5.01 %
6M 6-mujor 5.62 %
12M 12-mujor 5.97 %
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
o/n njëditor 5.51 %
1Ë njëjavor 6.11 %
1M 1-mujor 6.50 %
3M 3-mujor 6.75 %
6M 6-mujor 7.17 %
12M 12-mujor 7.73 %

13 Janar 2011

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›