Qëndrojnë keq në banka, 40% e nxënësve me deformime
Studimi në shkolla: Kanë disbalancë muskulore e dhimbje koke.
Disbalancë muskulore, dhimbje koke e një risk gjithnjë e më i madh për të pësuar deformime të rënda të shtyllës kurrizore. Për specialistët, postura jonë (mënyra si qëndrojmë ndenjur e në këmbë) është gjuha e organeve, një shprehje ndjenjash, në fakt një shprehje e jashtme e ndjenjave tona të brendshme. Nis të kultivohet që në fëmijëri. Dikur në shtëpi e në bankat e fillores nga prindërit e mësuesit e dëgjonim shpesh fjalinë: Nuk qëndrohet ashtu. Mbaji shpatullat drejt. Leksionet i merrnim kur uleshim në tryezë apo kur dëgjonim mësimin. Sot, fëmijët kalojnë orë të tëra përpara kompjuterit, por të tilla këshilla jepen rrallë. Postura e keqe është kthyer në një problem ose zakon të të gjithë shoqërisë. Ky devijim në qëndrim përbën një problem shëndetësor, që është emërtuar skolioza idiopatike ose e fituar. Të dhënat e studimit të fundit të kryer nga shoqata shqiptare e dhimbjes në bashkëpunim me USAID, janë alarmante. Rreth 43% e nxënësve kanë disbalancë muskulore për shkak të qëndrimit, ndërsa mesatarisht 33% të tyre u shkaktohet dhimbje koke për të njëjtën arsye. Janë diagnostikuar nga mjekët specialistë rreth 400 nxënës në 2 shkolla të kryeqytetit. Prej tyre, 196 ishin femra dhe 204 meshkuj të klasave të katërta dhe të pesta, të shkollave Kushtrimi i lirisë dhe Androkli Kostallari, përkatësisht të moshës 9-10-11 vjeç.
Problemet e nxënësve
Rreth 43% e nxënësve të depistuar në shkollën Kushtrimi i Lirisë vuanin nga dhimbja e kokës dhe 46% prej tyre nga disbalanca muskulore, thuhet në studim. Sipas tij, duke iu referuar rezultateve të depistimit, sipas ndarjes gjinore rezulton se 20% e meshkujve dhe 25% e femrave vuajnë nga dhimbja e kokës dhe 21% e meshkujve dhe 25% e femrave vuajnë nga disbalanca muskulare. Pra, kemi një frekuencë më të lartë të shfaqjes së disbalancës muskulare tek femrat sesa tek meshkujt. Më pak prezent është ky problem në shkollën Androkli Kostallari. Rreth 24% e nxënësve që vuajnë nga dhimbja e kokës dhe 40% nga disbalanca muskulare. Vajzat vuajnë më shumë nga dhimbja e kokës, ndërsa nga disbalanca muskulare nuk ka ndonjë ndryshim të rëndësishëm, thuhet në studim. Nisur nga këto të dhëna, specialistët kanë dhënë një sërë rekomandimesh. Siç e dimë, problemet e skoliozës nisin të shfaqen në këtë moshë, prandaj duhen sensibilizuar institucionet shtetërore, drejtoritë e shkollave, mësuesit, prindërit për edukimin e fëmijëve që të kujdesen për posturën e tyre në vazhdimësi: për të shmangur problemet e kolonës gjatë rritjes dhe për të pasur një performancë të mirë akademike në të ardhmen, theksohet në studim. Sipas specialistëve, postura e keqe ndodh përgjithësisht te njerëzit pa vetëvlëresim dhe me vëmendje të ulët ndaj vetvetes, me probleme degjenerative të kolonës vertebrale, dhimbje të ndryshme muskulare nga spazmat ose kontraksionet dhe te njerëzit me mbipeshë. Pra, shpeshherë ajo ka të bëjë drejtpërdrejt me forcën tonë të vullnetit. Qëndrimi dhe njohuria e përshtatshme ndaj kolonës vertebrale dhe strukturave të lidhura ngushtë në të, ka një rëndësi të madhe në shëndetin tonë. Njohuritë dhe informacioni mbi rëndësinë e kolonës vertebrale duhet të fillojnë që në moshën parashkollore. Ndaj duhet bërë kujdes, thonë mjekët specialistë që trajtojnë dhimbjen.
33 per qind e nxënësve vuajnë nga dhimbja e kokës dhe 43% nga disbalanca muskulare. Këto probleme janë shkaktuar sipas mjekëve specialistë si pasojë e një qëndrimi jo të përshtatshëm të trupit.
Dëmtimet
Dëmtimi i muskujve, i tendinëve dhe i ligamenteve nga postura e papërshtatshme është një nga arsyet kryesore të dëmtimit të kërcit dhe artikulacioneve të ndryshme të trupit tonë. Për këtë arsye, artritet sot janë problemi më madhor i sistemit shëndetësor. Njohja e këtyre strukturave, qëndrimi dhe sjellja e përshtatshme ndaj tyre është detyrë prioritare jo vetëm e sistemit shëndetësor, por e gjithë shoqërisë sonë.
Rëndësia e të qëndruarit si duhet në shtëpi dhe klasë
Postura përcakton në mënyrën më të qartë gjendjen e funksionit të organeve tona dhe të të gjitha sistemeve të organizmit tonë. Gjendja funksionale e organizmit tonë, në fakt përcakton mendimin ndaj vetes sonë, që në fund të fundit shpreh shëndetin e secilit. I gjithë ky mekanizëm tregon se organizmi ynë është një unitet funksional dhe, për të prishur këtë unitet, nuk kërkohet vetëm të kesh sëmundje të organeve të brendshme ose ndonjë sëmundje tjetër, të cilën ne e konsiderojmë si të shkaktuar nga fati ynë. Studimet e fundit kanë treguar se postura e dobët nuk është vetëm një dritare për të kuptuar sjelljen e kolonës vertebrale, por një burim informacioni në tërësi për gjendjen shëndetësore të individit.
Këshillat për një posturë të mirë
Për fëmijët e ciklit të ulët janë shumë të rëndësishme edhe orenditë shkollore:. Tavolinat duhen porositur për lartësinë trupore nga 112-160 cm.
. Këndi i kompjuterit duhet të jetë 30O me sytë e fëmijës, ky kënd jep mundësinë për një pozicion relaksues.
. Stolat duhen porositur në një lartësi nga 35-56 cm, për ti lejuar fëmijët që të mbështesin këmbët në tokë.
. Mbështetja duhet të jetë e përshtatshme.
. Çanta nuk duhet të kalojë 10% të peshës së fëmijës.
. Ajo duhet të mos i kalojë 10 cm poshtë bërrylave të fëmijës.
. Nuk duhet të detyrojë fëmijën që ti zbulojë qafën dhe mesin.
. Shputat e këmbëve duhet të jenë në një linjë me shpatullën, muskujt e kofshës zgjaten duke mos i detyruar gjunjët të shikojnë nga mbrapa.
. Duhet ruajtur një hark i vogël në nivelin e mesit, duhet mënjanuar tendenca për të krijuar një hark të ekzagjeruar, sidomos në qëndrime të gjata në këmbë, kërbishti duhet të shikojë paksa poshtë.
. Dërrasa e kraharorit duhet të ketë tendencë përpara-lart. Duke realizuar këtë tendencë, shpatullat do të shkojnë poshtë dhe mbrapa. Kjo do të krijojë një distancë të përshtatshme ndërmjet legenit tuaj dhe kafazit të kraharorit.
Pse duhet të kultivojmë një posturë të mirë te fëmijët
Intervista/ Flet Apostol Vaso, mjek specialist në trajtimin e dhimbjes
Skolioza, ja shenjat që sduhet të neglizhojnë prindërit

Mjeku Apostol Vaso
Që në fëmijëri duhet të kultivohet nga prindërit dhe mësuesit mënyra e duhur e të qëndruarit ulur apo në këmbë. Në intervistën e tij për gazetën, mjeku specialist në trajtimin e dhimbjes, Apostol Vaso, tregon rëndësinë madhore që duhet ti jepet këtij problemi.
Pse është kaq e rëndësishme të mësojmë që në moshë të vogël për të qëndruar si duhet?
Mënyra si qëndrojmë, është tregues për mirëqenien fizike dhe jo vetëm të një personi. Nuk do të flisja vetëm në nivel trupor por edhe për marrëdhënien me hapësirën, marrëdhënien reciproke të pjesëve të ndryshme trupore dhe mbajtjen e ekuilibrit. Duke kultivuar që në fëmijëri ndërgjegjësimin për rëndësinë e të qëndruarit si duhet, ne u kursejmë fëmijëve tanë dhimbje trupore dhe deformime të shtyllës kurrizore në rritje e, nga ana tjetër, i imponojmë respekt ndaj vetes dhe ndaj ambientit.
Si mund ta kuptojë një prind që fëmija e tij ka shfaqje të skoliozës. Çfarë është ky çrregullim?
Në qoftë se vini re që fëmijët