Pendohet në Londër vrasësi i Remzi Hoxhës

Dje, në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeprokurorja shqiptare, Ina Rama, së bashku me drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, “kanë marrë” një propozim të papritur nga Ilir Kumbaro, i akuzuar në Shqipëri si një nga personat që ka rrëmbyer dhe më pas zhdukur Hoxhën.
Sipas burimeve tepër konfidenciale, ai ka pranuar të tregojë të gjithë historinë e rrëmbimit dhe torturimit të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, por me një kusht: të mos ekstradohet në Shqipëri, si dhe të fitojë azilin politik në Angli, duke përfituar njëkohësisht të gjitha privilegjet që i jep ligji një “të penduari”.
Propozimi është marrë seriozisht nga delegacioni shqiptar dhe menjëherë kanë filluar konsultimet. Meqenëse në ekipin e lartë që ndodhet në Londër është edhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela, dikur një nga prokurorët që ka hetuar dosjen në fjalë, çështja është diskutuar në detaje, dhe parimisht është rënë dakord që Ilir Kumbaro të fitojë statusin e të penduarit, duke i krijuar të gjitha kushtet që parashikon ligji në fjalë.
Propozimi i ish-SHIK-asit
Dje, pas lajmit që faktikisht gëzoi hetuesit e çështjes, në Prokurorinë e Përgjithshme Shqiptare është diskutuar për mënyrën se si do të dëshmojë ish-SHIK-asi që ndodhet në Angli.
Burime konfidenciale thanë se Kryeprokurorja Ina Rama ka pasur dijeni prej një muaj për lëvizjet e Ilir Kumbaros në Angli dhe, menjëherë sapo ka marrë konfirmimin e homologut të saj, Ken Mec Donald, ka udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar. Bashkë me të janë nisur edhe dy prokurorë të tjerë të nivelit të lartë.
Ata kanë përgatitur edhe skeletin e seancës së pyetjeve. Mësohet se pyetjet do të bëhet me video dhe, nëse është e mundur, dëshmia mund të kryhet edhe me video-konferencë në një nga seancat gjyqësore që po zhvillohet aktualisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Ajo çka është ende enigmë për familjarët dhe prokurorinë shqiptare janë detajet se si u torturua dhe u zhduk Remzi Hoxha. Por, sidomos vendndodhja e trupit të tij.
Nëse rrëfen të dhëna të dobishme për gjykimin, atëherë ndaj Kumbaros do të aplikohen edhe masat që merren për mbrojtjen e të penduarve.
Një mundësi tjetër për akuzën është që Kumbaro të vuajë disa vjet burg për “krimin” që ka kryer, duke përfituar lehtësira.
Por, nga informacionet që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë, pasi pritet që ai të bëjë një rrëfim “të plotë” jo vetëm për çështjen “Hoxha”.
Trupi Remzi Hoxhës
Enigma 13-vjeçare, që ka shoqëruar rrëmbimin e Remzi Hoxhës, të çon në një pikë: ku është trupi i tij, kush e torturoi dhe “groposi”? Duket se të gjitha dëshmitë dhe provat e mbledhura nga prokuroria të çojnë në një emër: Ilir Kumbaro. Mësohet se ishte personi i fundit, që e kishte parë gjallë, duke e marrë në dorëzim nga Avni Koldashi.
Prokuroria thotë se emri i Ilir Kumbaros është përmendur shumë herë nga dëshmitë e ish-shikasve për dosjen “Remzi Hoxha”. Ata kanë treguar se e kanë marrë biznesmenin në një punishte duralumini në Tiranë dhe e kanë transferuar në drejtim të godinë së SHIK-ut në Lezhë.
Atje e kanë dorëzuar tek Ilir Kumbaro, i cili është marrë “personalisht”... Gjithashtu, prokuroria thotë se ka dëshmi se nga keqtrajtimet biznesmeni shqiptaro-maqedonas iu ka vdekur torturuesve në duar dhe më pas është “sistemuar” në një vend të fshehtë, i cili ende nuk është gjetur.
Prokuroria shqiptare, pas nisjes së “negociatave”, i ka vendosur një kusht Ilir Kumbaros: Na trego ku është trupi i Remzi Hoxhës?