Kushtetuesja, nis shqyrtimi i ligjit të legalizimeve
TIRANE- Të përfaqësuar nga juristi Artan Hajdari, ligjvënësit e majtë, të pranishëm dhe fizikisht në këtë seancë, kërkuan nga togat e zeza anulimin e amendimeve të ligjit në fjalë, që i jep më shumë kompetenca ALUIZNI-t në procesin e legalizimeve. Sipas tyre, këto ndryshime kanë cenuar parimin e Kushtetutës për decentralizimin e pushtetit vendor dhe autonomisë së qeverisjes lokale. “Do të ndodhë përplasje midis këtyre pushteteve, duke bërë që pushteti vendor të mos ushtrojë kompetencat e tij në mënyrën e duhur për shkak se kompetencat e tij do të ushtrohen nga një agjenci qeveritare, siç është ALUIZNI”, - u shpreh Hajdari. Por përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe ALUIZNI-t, i kundërshtuan këto pretendime me argumentin e nevojës së përshpejtimit dhe unifikimit të praktikave në të gjithë vendin në procesin e legalizimit. Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi për marrjen parasysh në proces shqyrtimin e kërkesës së grupit të deputetëve të opozitës. Ndërkohë që rrëzoi kërkesën e tyre për pezullimin e ligjit deri në shprehjen e Gjykatës. Gjatë shqyrtimit të kërkesës, togat e zeza kanë gjetur mungesë të bazës ligjore në këtë pretendim.
(s.g/BalkanWeb)