E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSH, inspektim pensioneve të minatorëve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur rishqyrtimin e dosjeve të pensioneve të minatorëve për t’i dhënë fund informalitetit që është bërë me këto pensione. Burime nga zyra e shtypit pranë ISSH–së bënë të ditur për gazetën “Albania” se aktualisht janë duke u riparë të gjitha dosjet e pensioneve të minatorëve dhe pritet që në fund të këtij muaji të bëhen publike rezultatet e inspektimit.
Gjithashtu, në fund të inspektimit do të bëhen publike dhe masat që ISSH do të marrë për rastet ku janë vërejtur abuzime. Përsa u përket të dhënave të tjera se sa dosje janë shqyrtuar dhe se cilat janë masat ndëshkuese ende ISSH-ja nuk ka bërë asgjë publike për të mos cenuar procesin e rishqyrtimit. Por ajo që dihet deri tani është se procesit të rishqyrtimit të pensionit nuk do t’i shpëtojë asnjë minator. Vetëm pak ditë më parë u bllokuan 650 pensione false dhënë minatorëve. Po sipas burimeve nga ISSH-ja, verifikimi i pensioneve të minatorëve është në proces për të zbardhur krejt rastet. Aktualisht, 650 minatorëve që kanë përfituar këtë pension me falsifikim u është ndalur pensioni dhe po merren masat që t’u ndalet vlera e përfituar financiare. Po kështu, ISSH ka bërë gati një dosje, të cilën e ka paraqitur për ndjekje penale në organet e Drejtësisë, duke kërkuar ndëshkimin e ish-drejtuesve të minierave dhe bashkëpunëtorëve të tyre në këtë falsifikim dhe krim ekonomik. Nga ana e tyre, minatorët e konsideruar “pensionistë fals” i janë drejtuar gjykatës, duke denoncuar për këtë punonjësit e ISSH-së, të cilët janë përgatitësit e dosjeve të tyre në kohën kur ata kanë përfituar pensionin.
Aktualisht, një minator me vjetërsi në punë në nëntoke apo edhe në prag të pensionit, shpërblehet vetëm me 5400 lekë në muaj.
J. Tashi

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›